Intervista/ Qesari: Ka një nevojë të ethshme për të riparë përkthimet nga letërsia klasike greke dhe latine - Gazeta Express
string(105) "intervista-qesari-ka-nje-nevoje-te-ethshme-per-te-ripare-perkthimet-nga-letersia-klasike-greke-dhe-latine"

Arte

Donjeta Abazi

03/11/2023 16:24

Intervista/ Qesari: Ka një nevojë të ethshme për të riparë përkthimet nga letërsia klasike greke dhe latine

Arte

Donjeta Abazi

03/11/2023 16:24

Edon Qesari ka lindur në vitin 1983. Ai jep mësim në histori dhe politikë dhe punon në Tiranë. Qesari është kërkues shkencor pranë Institutit të Historisë (Akademia e Studimeve Albanologjike). Interesat e tij akademike përfshijnë marksizmin, veçanërisht perspektivën gramshiane, nacionalizmin dhe çështje të ndryshme që lidhen me politikat kulturore gjatë qeverisjes socrealiste në Shqipëri.

Intervistoi: Donjeta Abazi

Gazeta Express: Zoti Qesari, po na lejuat po fillojmë me këtë pyetje: Cili është raporti juaj personal me poezinë?

Edon Qesari: Me poezinë kam një marrëdhënie, le të themi, të dyfishtë: nga njëra anë, si çdokush që e ka librin, e veçanërisht letërsinë artistike, pjesë të përhershme të ditës së vet, poetika është një nga gjinitë që më ka shoqëruar që në krye të herës, duke qenë ende sot pjesë e leximeve të mia të pashmangshme; nga ana tjetër, poezia më ka shtyrë, gati pa e kuptuar, në përçapjet e para si përkthyes.

Si lexues dhe si përkthyes pra; dy role të cilat, te leximi i poezisë, jo vetëm që nuk kundërshtojnë njëri-tjetrin, e as dallohen, por përkundrazi, janë në përputhje të plotë. Deri në përmirësim të ndërsjelltë.

GE: Keni poezi të përkthyer nga poetë të caktuar përfshirë këtu: Raymond Carver, Pablo Neruda, Nazim Hikmet, Yehuda Amichai e shumë të tjerë. Nëse është e lejueshme një pyetje e drejtpërdrejtë: sa është i mundshëm përkthimi? Dhe cili është në të vërtetë përkufizimi juaj për përkthimin?

EQ: Cilindo përkufizim që mund të meritojë përkthimi, ky nuk do të jetë asnjëherë përfundimtar. Sakaq që vepra, në gjuhën e vet origjinale, e njeh një përfundim – të firmosur nga autori i vet – është e pamundur të themi se një përkthim i saj, qoftë edhe i gjykuar si i përkryer sipas parametrave më serioze profesionale, do të jetë fjala e fundit që mund të themi për veprën.

Në tjetër rast jam shprehur se është e nevojshme të merret në konsideratë jo vetëm përkthimi, por edhe ripërkthimi. Çka bën që veprat e mëdha të letërsisë – si veprat klasike, për shembull – të kenë gjithmonë nevojë për sipërmarrje ripërkthimi. Me kohën, ndryshon gjuha, sepse ndryshon raporti i saj me brezat. Kësisoj, përkthimi është i mundur vetëm brenda kufijve të përkohshmërisë. Të cilët janë fatalë për të. Që do të thotë se ka vepra të përjetshme, por jo përkthime të tillë. Fatmirësisht.

GE: A keni tentuar të përktheni anasjelltas, pra autorët shqiptar në gjuhë tjera?

EQ: Në pak raste, por nuk kam mbetur fort i kënaqur. Mbase për momentin, nuk është ky drejtimi gjuhësor që më përket në zemër.

GE: Procesi i përzgjedhjes së përkthimit lidhet me autorin, veprën, lexuesin?

EQ: Me të trija. Jo detyrimisht kundërshtohen mes vedi. Do të thotë se unë – por kam përshtypjen cilido përkthyes i letërsisë artistike – nuk do ta çonte dot kurrë deri në fund, aq më pak në mënyrë cilësore, përkthimin e një autori me të cilin e ka të pamundur të vendosë një marrëdhënie mirëkuptimi. Flas në mënyrë ideale. Vlen një gjë e tillë edhe me veprën; pavarësisht se më ka rastisur shpesh të dëgjoj përkthyes të cilët ndërmarrin prurjen në shqip të një vepre pa e lexuar paraprakisht atë, pa ia “prekur” dhe “njohur” lekurën dhe mishin nën të. Çka nuk është fort e udhës, do të thosha. Së fundi, marrëdhënia me lexuesin mbetet e një rëndësie shumë të veçantë. Në këtë pikë, përkthyesi, siç dhe autori vetë përpara tij, e shtron gjithmonë hipotezën dhe/apo parashtron stereotipin e lexuesit që do të marrë në dorë veprën. Kam përshtypjen se lexuesi, ndërsa përkthehet, është një prani e heshtur por këmbëngulëse në tavolinën e punës. Të paktën për mua është kështu.

GE: A ju ka rastisur të merrni porosi për një përkthim dhe rrjedhimisht të zbuloni një autor interesant, apo zakonisht ju vetë i ofroni botuesit autorët e dashur nga ju?

EQ: I kam pasur të dy përvojat. Dhe më duhet të them se fati më ka shoqëruar. Botuesit e mi, kur unë iu kam çuar tituj të gatshëm, ma kanë marrë parasysh këshillën. Siç dhe e ansjellta nuk më ka zhgënjyer.

GE: Cilët janë autorët, të cilët ju do t’i konsideronit të domosdoshëm, që i mungojnë lexuesit në gjuhën shqipe?

EQ: Lista është shumë e gjatë. Por nëse do të përpiqesha të tregohesha i përmbledhur, mund të them se sot ka një nevojë të ethshme për të riparë përkthimet më te hershme nga letërsia klasike greke dhe ajo latine. Madje, do të mirëprisja përkthime të reja nga këto dy letërsi që janë njëkohësisht trashëgimi të jashtëzakonshme të kulturës perëndimore.

GE: “Tri Rrëfenja” nga Umberto Eco, “Dita e Kukuvajkes”nga L. Sciascia, ‘Shtëpia e Shtrembër’ Agatha Christie. A mund ta ndani me ne përvojën e këtyre përkthimeve në prozë?

EQ: Janë tre gjini shumë të ndryshme nga njëra-tjetra. Rrëfimet e Eco-s i përkasin letërsisë për fëmijë; romani i Sciascia-s është një thriller politik i cili merret me një dukuri veçanërisht bashkëkohore si mafia; ndërsa “Shtëpia e shtrembër” është një nga romanet më të arrirë të shkrimtarës më të njohur, si dhe të botuar, sot në botë për sa i përket gjinisë policore.

Janë tre vepra të veçanta në llojin e tyre, por sfida ime e vërtetë – duke qenë dhe hera ime e parë në një përballje të tillë – ka qenë vëllimi me rrëfime në vargje i Eco-s. Pikërisht se kisha ndërmend një lexues fëmijë – siç po thosha më parë, lexuesi është një prani e heshtur por këmbëngulëse në mendjen e përkthyesit, teksa punon – andaj për mua ka qenë edhe vështirësia më e madhe: duhet të gërrmoja në kujtimet e mia si fëmijë, të rizbuloja një shqipe fëmijërishte që e kisha harruar, e të shihja sesa e mundur ishte që me të t’u flisja fëmijëve të sotëm shqipfolës.

GE: A jeni duke punuar në ndonjë përkthim të radhës?

EQ: Po. Jam duke punuar për përkthimin e një vepre tepër lirike nga një autor madhështor italian. Dhe do të jetë, më së pari, për publikun shqipfolës në Kosovë.

/Gazeta Express

Advertisement
Advertisement
Advertisement