Intervistë me Adrian Morinën, njërin prej aktorëve më të mëdhenj kosovarë të ditëve të sotme, shkas i së cilës ëshëtë bërë reagimi i tij i ndaj gjendjës së mjerë të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe vendosmëria e tij që të përballet jo vetëm me kolegët e përçarë dhe të shushatur, por edhe me sistemin, përmes Ministrisë së Kulturës, që ka ushqyer atë përçarje dhe ka nëpërkëmbur dinjitetin e artistëve
Intervistoi: Donjeta Abazi
«Si artistë, ne duhej të ishim më këmbëngulës, më të pa frikësuar, më të zëshëm. Por nuk ishim. Dhe kjo më dhemb më shumë se çdo premtim i pambajtur nga politika»

Gazeta Express: Zotri Morina, keni botuar këtë të hënë në Koha Ditore një tekst shumë të fuqishëm rreth grevës së aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Një vit pas, si është gjendja reale?
Adrian Morina: Faleminderit për pyetjen. Një vit pas gjendja reale, si brenda grevës, si brenda Teatrit Kombëtar të Kosovës, është jo vetëm e pandryshuar, por edhe më e rëndë se atëherë. Dhe dua ta theksoj se ai shkrim në Koha Ditore ishte reflektim i sinqertë, një rrëfim personal mbi dhimbjen, lodhjen dhe zhgënjimin që na ka shoqëruar që nga ajo ditë kur nisëm grevën. Ishte një thirrje miqësore, kolegiale, një lutje që t’i shikonim gjërat në sy: çfarë ndodhi e çfarë nuk ndodhi gjatë një viti. Dhe, nëse asgjë tjetër, le të mbetet si dëshmi e kohës. E kësaj kohe që po na rrëshqet ndër duar, ndërsa pushtetet bëhen më arrogante, më përçarëse, sa herë që ndiejnë terren të butë nën këmbë. Ne ua kemi bërë këtë terren më të butë. Edhe pse duhej të ishte e kundërta.
Si artistë, ne duhej të ishim më këmbëngulës, më të pa frikësuar, më të zëshëm. Por nuk ishim. Dhe kjo më dhemb më shumë se çdo premtim i pambajtur nga politika.
Nga ana tjetër, vendi është futur në një ngërç politik dhe në mungesë qeverie funksionale çdo gjë ka ngecur. Natyrisht, ka ngecur edhe çështja jonë. Greva formalisht u pezullua nga një pjesë e ansamblit, por realisht ne nuk jemi as në grevë, as jashtë saj, jemi thjesht në ajër. Një vit më pas, asnjë kërkesë nuk është realizuar. Madje ministria nuk ka bërë as përpjekjet më minimale. Përveç fjalëve të zbrazëta dhe premtimeve të lodhura të tipit “kjo është punë javësh”, nuk ka lëvizur asgjë.
Por javët e politikës nuk janë javët tona. Janë javë që zgjasin nga një minutë në dhjetë vjet varësisht nga sa vlejnë njerëzit në sytë e pushtetit. Studentët e pensionistët, për politikën, janë numra dhe vota; atyre u zgjidhen problemet brenda ditës, madje edhe pa kërkuar. Kështu blihet një shoqëri e lodhur, që jeton në buzë të varfërisë.
Por kur flasim për teatër, për TKK-në, për 60 punëtorë kokëfortë që nuk rreshtin së kërkuari dinjitet, atëherë “javët” bëhen vite dhe dekada. Dhe këtë po e shohim qartë.
Shija e hidhur e këtij realiteti është edhe tek artistët vetë: vullneti ka rënë, repertori i këtij viti e dëshmon këtë. Vetëm dy premiera, pak repriza, një program pa frymë, pa vizion, pa ambicie. Dhe kjo, për mua, është më e rëndë se çdo stagnim politik.
Një vit pas, ne jemi më keq se një vit më parë.
«Greva ishte më shumë se një kërkesë për paga. Ajo ishte shpërthim i një padrejtësie të mbledhur në raport me Teatrin Kombëtar. Greva ishte kërkesë për dinjitet. Ishte provë e fundit që ende jemi artistë, dhe jo figura pa zë në skenën ku politika luan rolin kryesor»

GE: Greva ishte kryesisht nevojë ekonomike, revoltë profesionale apo shprehje e një gjendjeje më të thellë strukturore?
Morina: Greva nuk ishte vetëm nevojë ekonomike, as vetëm revoltë profesionale. Në thelb, ajo ishte shprehje e një gjendjeje të thellë strukturore që ka vite që po gërryen Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Ajo nisi pas një paralajmërimi tonë dyvjeçar, që prej hartimit të Ligjit të Pagave. Gjatë gjithë asaj kohe, si sindikatë, kemi kontribuar, kemi luftuar e kemi shpjeguar pse struktura organizative dhe artistike e institucionit duhej të ruhej jo vetëm brenda TKK-së, por edhe në raport me të gjitha institucionet e kulturës. Të paktën duhej të respektoheshin parimet bazë të Rregullores 05/2018 për gradat dhe pagat e performuesve dhe punëtorëve tekniko-artistikë,
përfshirë: shpagim të drejtë karshi angazhimit artistik: përgatitjes profesionale e akademike, specifikave të punës, rrezikshmërisë, punës pa orar, përgjegjësive që mbajmë në skenë dhe jashtë saj.
Por këto jo vetëm që nuk u morën parasysh, por u devalvuan plotësisht. Na shndërruan në një “kope të të barabartëve”. Nuk ka më rëndësi nëse je artist që bën katër premiera në vit apo asnjë; nëse punon gjithë vitin apo asnjë ditë; nëse përfaqëson Teatrin Kombëtar apo Shoqatën “Tupanat e Karadakut”; nëse je diplomuar për art apo je amator; nëse je Primabalerinë e Baletit Kombëtar apo anëtare e një shoqate amatore; nëse je Solist Opere apo këndon nën dush mëngjesi; Mjafton të ngjitesh në skenë. Pa hierarki. Pa kriter. Pa dallim.
Në këtë logjikë, edhe delet e festivalit ‘Alpine Shtajnbach Breed’ mund të trajtohen njësoj si ne. Dhe kjo nuk është metaforë, është realiteti ynë. Dhe po, politika na do kështu. Jo vetëm kjo qeveri, por secila që ka ardhur e ikur: na do të nënshtruar, të disiplinuar, të shuguruar në kope. Na do bash dele. Dhe më e dhimbshmja është se ne po ua lehtësojmë.
Prandaj greva ishte më shumë se një kërkesë për paga. Ajo ishte shpërthim i një padrejtësie të mbledhur në raport me Teatrin Kombëtar. Greva ishte kërkesë për dinjitet. Ishte provë e fundit që ende jemi artistë, dhe jo figura pa zë në skenën ku politika luan rolin kryesor.
«Sistemit, me metodat e tij, nuk mjafton thjesht të të rrëzojë, ai insiston që të të përulë deri në një dorëzim të brendshëm, duke kërkuar të “ndërtojë” njeriun e ri sipas modelit të tij»

GE: Greva shpesh është parë nga njëra anë si akt radikal, nga ana tjetër disa artistë e kanë konsideruar atë të domosdoshme. Megjithatë me kalimin e kohës, siç e marrim vesh edhe nga reagimi juaj i lartpërmendur, ka pasur një përçarje zhgënjyese mes artistëve, grevistëve. Dhe me sa duket, ai që ka gërryer tokën ka qenë sistemi. I bie se në të vërtetë ka një luftë të hapur mes pushtetit dhe artistëve grevistë? Çka e shkakton atë?
Morina: Po, fatkeqësisht, përçarje midis artistëve, grevistëve. Brenda çdo institucioni ekzistojnë interesat personale, egot artistike që shpesh mund të tejkalojnë dimensionet njerëzore, përfitime personale. Shto këtu frikën reale për ndëshkime, përndjekje politike, pezullime pagash, siç po ndodh sot edhe në RTK me redaktorët dhe gazetarët pa paga, dhe krijohet një ambient ku shumë prej punëtorëve ndihen të detyruar të heshtin ose të vetmohohen për të mbijetuar. Sistemit, me metodat e tij, nuk mjafton thjesht të të rrëzojë, ai insiston që të të përulë deri në një dorëzim të brendshëm, duke kërkuar të “ndërtojë” njeriun e ri sipas modelit të tij.
Po. Greva është radikale; është mjeti i fundit për realizimin e kërkesave. Fatkeqësisht, ishim të detyruar të përdornim masa ekstreme për të mbrojtur të drejtat themelore, për të kërkuar dinjitetin njerëzor në këto kohë. Kërkesat themelore shpesh sot mund të arrijhen vetëm përmes mjeteve radikale si greva. Madje, ndonjëherë, as me grevë nuk mjafton, duhet të gjejmë diçka edhe më radikale, hahahha!
Nëse besojmë në vlerat demokratike, në lirinë e shprehjes, në dinjitetin e artit, nuk duhet të heqim dorë, me çfarëdo forme. Arti nuk është thjesht profesion, është mënyra se si jetojmë, mënyra se si refuzojmë të bëhemi pjesë e një kopeje të nënshtruarish. Dhe kjo betejë është më e rëndësishme se gjithçka tjetër.
«Teatrin Kombëtar e mbyllën brenda ditës, pa nënshkrimin e menaxherëve, pa nënshkrimin e Këshillit Drejtues – i cili, pavarësisht se është super militant, nuk guxoi ta mbyllte teatrin pa asnjë plan; e mbylli MKRS, e mbylli vetë ministri. Me një nënshkrim. Dhe ne u gjendëm menjëherë nën regjimin e improvizimit kulturor»
GE: Aktualisht, kryeqyteti është duke funksionuar me teatro jashtë hapësirave të tyre. Dhe do të ketë vonesa të tilla edhe për një kohë të gjatë. Me një fjalë, jemi nën regjimin e improvizimit kulturor. Çfarë nënkupton kjo për publikun?
Morina: Teatrin Kombëtar e mbyllën brenda ditës, pa nënshkrimin e menaxherëve, pa nënshkrimin e Këshillit Drejtues – i cili, pavarësisht se është super militant, nuk guxoi ta mbyllte teatrin pa asnjë plan; e mbylli MKRS, e mbylli vetë ministri. Me një nënshkrim. Dhe ne u gjendëm menjëherë nën regjimin e improvizimit kulturor. Teatri u mbyll për një vit, ndërkohë që për 40 muaj është në renovim dhe do të vazhdojë për të paktën edhe 40 muaj të tjerë.
Këtu kam faj edhe unë, edhe kolegët artistë. Ne protestuam mes pandemisë kundër rrënimit të Teatrit Kombëtar të Tiranës por jo kundër këtij vendimi arbitrar. Por vërtet besuam se brenda 12 muajve do të kishim një teatër të ri, të renovuar. Për këtë besim, dolëm pa asnjë rezistencë nga objekti i teatrit dhe përfunduam në hapësira të improvizuara dhe ju dhe publikun e dini se si po vazhdon kjo punë.
Po çuditërisht, në të njëjtën kohë u mbyllën për renovim edhe Galeria Kombëtare, Muzeu Kombëtar, Teatri Oda. Fillimisht mendova se e gjithë kjo ishte vetëm për të zhvatur miliona nga tenderët e renovimeve. Por e kuptova që kjo është një tendencë për të zëvendësuar artin. Në vend të artit dhe teatrit, na imponuan vetëm ekrane televizive ku 24 orë na servohen temat politike që na i imponojnë. Një lloj shpëlarjeje të trurit dhe kontrolli të plotë mbi mendjen sikur jemi te 1984-shi i Orwell-it.
Pra, regjimi i improvizimit kulturor nuk është vetëm një problem logjistik; është një sinjal i rrezikshëm që tregon sa shumë politika dhe pushteti mund të kontrollojnë dhe zbehin artin, Dhe kjo është një betejë që ne si artistë nuk mund ta dorëzojmë. Arti nuk mund të shuhet.
«Qëndrimi im është i prerë. Lufta për dinjitet, për të drejtat themelore dhe për artin është e vazhdueshme, dhe çdo aktor duhet ta vendosë vetë se sa larg është i gatshëm të shkojë. Unë kam zgjedhur që të qëndroj i vendosur, i ndërgjegjshëm dhe i vetëdijshëm për pasojsat. Ky qëndrim është i imi dhe është mënyra ime për të mos u dorëzuar»

GE: Të kthehemi edhe njëherë te greva. Çka do të bëjnë aktorët grevistë? Do të thyhen, apo do të arrijnë atë që po kërkojnë?
Morina: Sa i përket grevës, situata është komplekse. Artistët janë në pritje. Fillimisht menduam se do të zgjasë dy javë, pastaj u bënë 12, dhe tani duket se do të jenë 120 javë… dhe do të presim. Kjo pritje e gjatë tregon edhe sfidën e madhe që kemi përballë.
Sa i përket veprimit tim personal, siç ka thënë Ibseni “njeriu më i fortë është ai që është i vetem”. Pra, unë do të vazhdoj të protestoj dhe të rezistoj, edhe nëse jam vetëm. Dhe kur edhe vetja ime më tradhton, atëherë sigurisht do ta rimendoj dhe do të ndryshoj profesionin.
Qëndrimi im është i prerë. Lufta për dinjitet, për të drejtat themelore dhe për artin është e vazhdueshme, dhe çdo aktor duhet ta vendosë vetë se sa larg është i gatshëm të shkojë. Unë kam zgjedhur që të qëndroj i vendosur, i ndërgjegjshëm dhe i vetëdijshëm për pasojsat. Ky qëndrim është i imi dhe është mënyra ime për të mos u dorëzuar.

/Gazeta Express