Intervista/ Memli Kelmendi: «Përkundër përparimeve të bëra, na nevojitet një infrastrukturë më e fortë kulturore» - Gazeta Express
string(108) "intervista-memli-kelmendi-perkunder-perparimeve-te-bera-na-nevojitet-nje-infrastrukture-me-e-forte-kulturore"

Intervista/ Memli Kelmendi: «Përkundër përparimeve të bëra, na nevojitet një infrastrukturë më e fortë kulturore»

Arte

Donjeta Abazi

01/11/2024 15:30

Intervistë me Memli Kelmendin, kompozitor dhe dirigjent, nën drejtimin e të cilit Kori Siparantium ka arritur një mori suksesesh në arenën ndërkombëtare

Kori Siparantum, një prani e spikatur në skenën dinamike muzikore të Kosovës, u themelua në vitin 2016 nga një grup i përkushtuar vullnetarësh që ndanë një pasion për të kënduar dhe një mision për të shfaqur trashëgiminë e larmishme kulturore të Kosovës në një skenë globale. I udhëhequr nga dirigjenti i përhershëm Memli Kelmendi, kori përbëhet nga solistë, një kor femra, një kor meshkujsh, një kor miks dhe korin e fëmijëve “Siparantum Kids”, me bashkëpunëtor kryesor pianistin e arrirë Agron Shujaku.

Lexo Edhe:

Kori Siparantum ka fituar njohje ndërkombëtare duke marrë pjesë në konkurse dhe festivale korale. Ai paraqet një repertor të larmishëm që përfshin klasikët e Rilindjes dhe kompozimet bashkëkohore. Bashkëpunimet me kompozitorë dhe dirigjentë të shquar si Simon Carrington, Ēriks Ešenvalds, Robin Tyson, Petr Popelka, Heinz Ferlesch, Josip Degl’ Ivellio, William Bennett, Mihaly Zeke etj. kanë forcuar reputacionin global të korit.

Ata kanë mbajtur koncerte dhe kanë marrë pjesë në festivale prestigjioze në shumë vende anembanë globit, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara (Washington D.C.), Gjermani, Francë, Itali, Spanjë, Korenë e Jugut, Austri, Belgjikë, Zvicër, Suedi, Portugali, Kroaci, Poloni, Maqedonia e Veriut, Sllovenia dhe Shqipëria.

Intervistoi: Donjeta Abazi

«Vizioni ynë është të vazhdojmë të rritemi artistikisht dhe të sjellim më shumë inovacione në muzikën korale, duke ndihmuar gjithashtu në  zhvillimin e skenës muzikore në Kosovë»

Gazeta Express: Është shndërruar në traditë që çdo pjesëmarrje e Korit Siparantum në arenën ndërkombëtare të shpërblehet me çmim. Në Barcelonë para pak ditësh morët dy  çmime. Cila është rëndësia e këtyre çmimeve për ju dhe për gjithë ekipin,?  

Memli Kelmendi: Çmimet e fituara në Barcelonë “Medalje e Artë” dhe Çmimi Special për programin më të mirë kontemporan dhe interpretim, janë një njohje ndërkombëtare për punën tonë dhe përkushtimin e çdo anëtari të Korit Siparantum; këto shpërblime na motivuan për të vazhduar me pasion dhe për të rritur standardet tona artistike. Çmimet shërbejnë si një platformë për promovimin e kulturës muzikore të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke treguar se arti ynë ka vlerë.

Këto çmime janë një frymëzim për të rinjtë që ndjekin ëndrrat e tyre në muzikë, duke treguar se me punë dhe përkushtim, gjithçka është e mundur. Vizioni ynë është të vazhdojmë të rritemi artistikisht dhe të sjellim më shumë inovacione në muzikën korale, duke ndihmuar gjithashtu në  zhvillimin e skenës muzikore në Kosovë. 

GE: Kori Siparantum me rrymën dhe idenë e krijimit llogaritet si një frymë e re në  skenën korale në Kosovë që nga themelimi. Duke vendosur Kosovën në hartën  ndërkombëtare mes koreve me të njohura, a mendoni se po merrni përkrahjen e  duhur deri me tani?  

Kelmendi: Kori Siparantum me rrymën dhe idenë e krijimit llogaritet si një frymë e re në skenën korale në Kosovë që nga themelimi; derisa kemi arritur të vendosim Kosovën në hartën ndërkombëtare mes koreve më të njohura, mendoj se kemi marrë përkrahjen e duhur deri më tani, por gjithmonë ka hapësirë për më shumë. Mbështetja nga institucionet dhe komuniteti është thelbësore për të vazhduar zhvillimin tonë dhe për të forcuar pozitat tona në skenën ndërkombëtare. Angazhimi ynë për të promovuar artin dhe kulturën shqiptare është një detyrë e përbashkët dhe besoj se me përkrahjen e duhur, ne do të vazhdojmë të arrijmë suksese të reja. 

Falenderoj nga zemra Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit; Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës; Fondacionin Sunny Hill; Swiss Agency for Development and Cooperation –  Swiss Embassy in Prishtina; Komuna Pejë; Alba Qeramika; OnixSpa; Dukagjini; AFK; Ari Group Inc;  Filharmonia e Kosovës; Kolegji AAB – Dega Muzikë; Shkollën e Muzikës në Pejë dhe gjithë ata që mbështesin rrugëtimin tonë. 

«Kushtet me të cilat ne punojmë nuk janë as 5% të standardit evropian. Ne ende jemi në kërkim të ndonjë salle e cila do t’i afronte kushtet e punës…»

GE: I shohim rezultatet e Korit vazhdimisht, por nuk shohim prapaskenat e këtyre  rezultateve. Si është infrastruktura, ku i mban kori provat dhe cila është gjendja e  tyre?  

Kelmendi: Natyrisht, kushtet me të cilat ne punojmë nuk janë as 5% të standardit evropian. Ne ende jemi në kërkim të ndonjë salle e cila do t’i afronte kushtet e punës, për arsye se një sallë provash duhet të ketë akustikë specifike që përkon me këndimin koral, aq më shumë kur flasim që kori ynë ka 50 anëtarë. Kori Siparantum realizon provat në Pejë, në sallën e ushtrimeve të Qendrës Rinore “Peja” (tek salla e “Marimangat”), e cila menaxhohet nga komuna e Pejës; provat kryesisht zhvillohen gjatë ditëve të vikendit për shkak se shumica e anëtarëve janë studentë apo punojnë; kjo i jep mundësi çdo anëtari të jetë i pranishëm  dhe të kontribuoni në përmirësimin e performancave tona. Ne vazhdojmë të kërkojmë mundësi për rritjen e infrastrukturës dhe kushteve të provave, që të ndihmojmë në zhvillimin e mëtejshëm të korit.

«Angazhimi i fëmijëve në aktivitete korale jo vetëm që ndihmon në zhvillimin e aftësive të tyre muzikore, por gjithashtu kontribuon në formimin e karakterit dhe ndjenjën e bashkëpunimit. Përmes muzikës korale, ata mësojnë disiplinën, përgjegjësinë dhe rëndësinë e punës në grup, që janë vlera të rëndësishme për çdo individ»

GE: Pjesë e Siparantum është edhe Kori i Fëmijëve. Sa është e rëndësishme që vendi ynë  të ketë kuadro që familjarizohen nga fillimi me rrafshin artistik, në këtë rast me  muzikën korale?  

Kelmendi: Pjesë e Siparantum është edhe Kori i Fëmijëve; është tejet e rëndësishme që vendi ynë të ketë kuadro që familjarizohen nga fillimi në aspektin artistik, në këtë rast me muzikën korale. Angazhimi i fëmijëve në aktivitete korale jo vetëm që ndihmon në zhvillimin e aftësive të tyre muzikore, por gjithashtu kontribuon në formimin e karakterit dhe ndjenjën e bashkëpunimit. Përmes muzikës korale, ata mësojnë disiplinën, përgjegjësinë dhe rëndësinë e punës në grup, që janë vlera të rëndësishme për çdo individ, poashtu, këto eksperienca i ndihmojnë ata të krijojnë lidhje më të forta me kulturën dhe traditat tona, duke siguruar që pasardhësit tanë të kenë një lidhje të ngushtë me artin dhe muzikën. Kori i fëmiëve është themeluar në vitin 2018 dhe deri më  tani kemi realizuar një sërë koncertesh, kryesisht në qendra të ndryshme të Kosovës. Vitin e  kaluar ne kemi botuar albumin e parë të korit të fëmijëve Siparantum Kids “Echoes of Future”, i cili përmban 16 këngë.  

GE: Si po ecën projekti “Organizimi i punëtorive edukative-muzikore në shkollat e  qytetit dhe zonave rurale”?  

Kelmendi: Projekti “Organizimi i punëtorive edukative-muzikore në shkollat e qytetit dhe zonave  rurale” po ecën mjaft mirë, duke ofruar mundësi të reja për fëmijët dhe të rinjtë. Punëtoritë  synojnë të rrisin interesin për muzikën dhe të promovojnë vlerat e artit, duke arritur në grupe të  ndryshme, përfshirë ato në zona rurale ku mundësitë janë më të kufizuara. Pjesëmarrësit kanë  treguar një angazhim të lartë dhe janë shumë të interesuar për të mësuar rreth muzikës korale dhe  aftësive muzikore. Ne besojmë se ky projekt do të kontribuojë në zhvillimin e një kulture  muzikore më të gjallë dhe do të ndihmojë në identifikimin e talentëve të rinj. 

«Për të qenë një destinacion i dëshiruar për kore nga vendet e tjera, ne ende kemi sfida për të përballuar. Rrafshi artistik në Kosovë është në zhvillim e sipër, dhe shumë artistë dhe grupe muzikore po punojnë për të krijuar një ambient më të pasur dhe më profesional. Përkundër përparimeve të bëra, akoma na nevojitet një infrastrukturë më e fortë kulturore, përfshirë sallat e  koncerteve me akustikë të përshtatshme»

GE: Keni përformuar në mesin e skenave të njohura të skenës botërore. A është gati  rrafshi artistik dhe a kemi potencialin e duhur të mirëpresim kore të këtyre vendeve  në Kosovë? 

Kelmendi: Kemi pasur nderin të përformojmë në mesin e skenave të njohura të skenës botërore, dhe  kjo përvojë ka kontribuar në rritjen e njohjes sonë ndërkombëtare, si Kori Siparantum. Megjithatë, për të qenë një destinacion i dëshiruar për kore nga vendet e tjera, ne ende kemi sfida për të përballuar. Rrafshi artistik në Kosovë është në zhvillim e sipër, dhe shumë artistë dhe grupe muzikore po punojnë për të krijuar një ambient më të pasur dhe më profesional. Përkundër përparimeve të bëra, akoma na nevojitet një infrastrukturë më e fortë kulturore, përfshirë sallat e  koncerteve me akustikë të përshtatshme.  

Jam i bindur se, me mbështetje të vazhdueshme nga institucionet, përmirësimin e kushteve  infrastrukturore dhe promovimin e aktiviteteve artistike, Kosova mund të bëhet një qendër e rëndësishme për kulturën dhe artin në rajon. Angazhimi ynë në skenat ndërkombëtare është një  hap i rëndësishëm për të dëshmuar se ne jemi të gatshëm për t’i pritur dhe për t’i përkrahur ata që vijnë në vendin tonë. Kjo do të ndihmojë në ndërtimin e një reputacioni të fortë dhe do të rrisë interesin për Kosovën si një destinacion kulturor.  

GE: Projektet e radhës të Siparantum?  

Kelmendi: Kori Siparantum do të performojë në Festivalin ReMusica më 5 Nëntor 2024, në ora  19:00, në Atelieja e Pallatit të Rinisë, Prishtinë. Kjo vjen pas suksesit të korit në Kupën Botërore të Korit në Barcelonë, ku fituam dy çmime të rëndësishme, koncerti do të sjellë një program të  larmishëm muzikor me vepra nga tradita të ndryshme, duke shpalosur talentin e korit. Pas këtij  koncerti, planifikojmë një tjetër në Tiranë në fillim të dhjetorit.  

Në vitin 2025, kemi projekte të mëdha që na presin, përfshirë pjesëmarrjen në festivale  ndërkombëtare të muzikës korale që do të forcojnë shumë reputacionin tonë në spektrin  ndërkombëtar dhe do të ofrojnë mundësi për zhvillim artistik dhe bashkëpunime të reja. 

/Gazeta Express