Intervistë me shkrimtarin Liridon Mulaj, romani i të cilit, “Provinca”, është në listën e ngushtë për Çmimin Kombëtar të Letërsisë
Liridon Mulaj ka lindur më 24 prill 1987. Është diplomuar për drejtësi, marrëdhënie me publikun dhe politikë. Në letërsinë shqipe debutoi në vitin me vëllimin poetik “I pakuptuari”. Një vit pas këtij vëllimi, botoi romanin eksperimental “Kërkohet një vrasës”. Në vitin 2020 botoi romanin e tij të dytë “Mos harro të më kujtosh”, roman i cili u përfshi në listën e ngushtë të finalistëve për Çmimin Kombëtar të Letërsisë si dhe në listën e shkurtër të Çmimit Evropian për Letërsinë. Ky roman hyri edhe në listën e katër librave më të shitur të autorëve shqiptarë në Kosovë dhe Shqipëri për vitin 2020. Në vitin 2022 botoi romanin “Provinca”; ku fitoi çmimin letrar ‘Rexhai Surroi; dhënë nga KohaMedia, si romani më i mirë i vitit 2022. Mori pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Frankfurtit 2021 si dhe në Panairin e Librit të Torinos në vitin 2023 si shkrimtar përfaqësues i letërsisë shqipe.
Është përkthyer në disa gjuhë të huaja si turqisht, italisht, rumanisht, bullgarisht, anglisht, holandisht, etj. Aktualisht jeton në Tiranë dhe shkruan rregullisht artikuj letrarë dhe shoqërorë në shtypin shqiptar.
Intervistoi Donjeta Abazi
Gazeta Express: Zoti Mulaj, romani juaj më i ri ‘Provinca” (Onufri, 2022) është futur tashmë në listën e ngushtë të kandidatëve për çmimet Kombëtare të Letërsisë, 2022. Shohim se në listë po ashtu gjenden edhe disa emra eminentë të letërisë shqipe, si Kongoli për shembull. I keni lexuar ndonjërin prej tyre? Dhe cilat janë pritjet tuaja?
Liridon Mulaj: Jam rritur me romanet e Fatos Kongolit dhe fakti që gjendemi në të njëjtën short list më shton përgjëgjësinë dhe pritshmëritë për letërsinë time. Kongoli është në një farë mënyrë shkrimtari i parë që shkroi për periudhën e tranzicionit në një kohë kur letërsia shqipe ishte mbarsur më subjekte të cilat në thelb kishin periudhën e diktaturës komuniste. Romanet “I humburi” dhe “ Jeta në një kuti shkrepëse” janë dy vepra emblematike ekzistenciale të cilat sigurisht kanë pasë ndikimin e tyre në letërsinë e mëvonshme shqipe. Por pa modesti dua të them se i përkas një brezi tjetër shkrimtarësh të cilët kanë qasjen e tyre dhe shkruajnë jo për të zhbërë një brez siç rëndom është pretenduar, por për të thënë fjalën e tij në letërsinë shqipe. Fakti që unë jam pjesë e kësaj short liste e vërteton këtë gjë. Dhe duke qënë se ndodhem për të dytën herë në këtë listë të ngushtë pretendimet e mija janë as më pak as më shumë se të çdo shkrimtari që ndodhet në atë listë. Le të presim…
GE: Siç edhe shohim nga titulli, romani juaj trajton të jetuarit në provincë, një temë gjithsesi mjaft e pranishme në letërsi. Gjejmë një provincë aq të zymtë dhe në kaos, nga ato të vendeve të zhytura në mjerim ekonomik dhe me mungesë të theksuar të demokracisë…
Po cili është raporti juaj personal me provincën?
Mulaj: Shqipëria në vetvete mbetet një provincë e madhe. Globalizmi tenton që edhe botën e madhe ta shndërrojë në një hapësirë pa kufij dhe dallime sociale. Por nësë flasim për provincën si një hapësirë dhe territor larg qendrës se shtetit në të cilin jetojmë, unë vetë vij nga një skaj i tillë. Kam lindur në qytezën e Fushë Arrëzit, pra një provincë nësë i referohemi romanit tim. E njoh mirë dekadencen njerëzore që i shoqëron banorët e zonave të tilla. Komplekset, bjerrjen dhe inferioritetin, elementë të cilat nxirren në pah kur përballen me botën e madhe. Ashtu siç njoh mirë empatinë dhe afrimitetin gati gati mallëngjyes të njeriut të Provincës. Të jetuarit kaq afër me njëri-tjetrin dhe në hapësira të ngushta, e shndërron njeriun e provinces në një karakter thuajse paradoksal i cili jo rrallë sipas rrethanave shpërqaf dy skajet e tij, anën mizore dhe atë shpirtërore. Them se provincat në vetvete janë laboratore njerëzore. Mandej nësë flasim për fatin e provincave mendoj se ato janë të destinuara të braktisen. Thuajse gjithmonë njeriu i Provinces mendon se të lindësh aty ka qënë një fatkeqësi apo një gabim i fatit, dhe priren të ikin, sa më larg, sa më në qëndër. Ky është fenonem i vjetër sa vetë jeta.
GE: Ju keni qenë edhe më herët finalistë çmimesh. Me romanin ‘Mos harro të me kujtosh’ jeni përfshirë në listën e ngushtë të finalistëve për Çmimin Kombëtar të Letërsisë si dhe në listën e shkurtër të Çmimit Europian për Letërsinë. Çmimet dhe kandidaturat e tilla janë një mundësi e mirë edhe për promovimin e autërove të rinj. Si kanë ndikuar te ju?
Mulaj: Mendoj se letërsia nuk ka moshë. Të qënit në një listë do të thotë se vepra për të cilën gjykohesh ka njëfarë niveli. Jam kundër përdorimit të moshës së re të shkrimtarit për t’i dhënë njëfarë ngjyrese gjithpërfshirëse listave. Mandej nisur nga tradita, ajo na dikton se në Shqipëri kriteri kryesor për tu vlerësuar me çmim është mosha, mundësisht të kesh dalë në pension. Por bota perendimore na jep leksionet e duhura në këtë fushë. Letërsia nuk është përllogaritje dhe si e tillë ajo ka vetëm një kriter gjykimi, cilësinë estetike të veprës. Për të tjerat ka çmime dhe vlerësime honorifike individuale të cilat bazohen në vite karrierë apo kontribut në fushën e letrave. Në këtë rast janë veprat në garë dhe mendoj se mosha e autorit është krejt pa rëndësi.
GE: Ju jeni aktiv në fushën e letërsisë edhe në forma të tjera, si pjesë e PEN Center Shqipëria, drejtues i klubeve letrare, bashkëpunëtorë revistash kulturore. Sidoqoftë, a bëhet, qoftë në Shqipëri qoftë në Kosovë, mjaftueshëm për promovimin e librit dhe afrimin e lexuesit te libri?
Mulaj: Asnjëherë nuk është njaftueshëm kur bëhet fjalë për promovimin e librit dhe letërsisë. Ka nisma të mira qoftë në Tiranë apo ne Prishtinë. Ka klube libri të cilët mblidhen nga iniciativa tërësisht personale. Libri qarkullon pavarësisht teorisë se nuk lexohet. Janë kohëra të vështira për librin kudo në botë. Mendoj se duhet bërë më shumë për shpërndarjen e librit nëpër zona jashtë qyteteve të mëdha, atje ku mungojnë libraritë dhe ku mungojnë aktivitet të tilla. unë vetë punoj në Kamëz, qytet i ri dhe aty prej vitesh me mbështetjen e Bashkisë kemi iniciuar fushata leximi, kemi organizuar dy panaire të jashtëzakonshme të librit dhe kemi themeluar një klub libri me të rinjtë e zonës. Duhet shumë vullnet dhe punë. I duhet dhënë përparësi traditës dhe punës intensive të përditshme me librin, ndryshe teknologjia është gjithmonë aty, kërcënuese konstante.
GE: Çfarë do të duhej të bëhej më shumë dhe më mirë për përhapjen e letërsisë shqipe jashtë kufijve të saj?
Mulaj: Institucionet shtetërore e kanë në dorë këtë gjë. Letërsia e huaj që përkthehet në Shqipëri financohet në të shumtën e rasteve nga ambasadat e huaja dhe institutet e kulturës së shteteve të cilat kanë selitë në vendin tonë. Mendoj se një pjesë e mirë ë buxhetit të kulturës duhet shkuar për përkthime nga shqipja në gjuhë të huaj. Mendoj se nuk është çështje cilësie e letërsisë sonë dhe as mungesë universialiteti pse letërsia shqipe nuk gjen vend në botë, por mungesë e vullnetit nga institucionet për ta financuar. Shkrimtari e ka të pamundur të paguajë përkthyes dhe botues për veprën e tij. është absurde ta mendosh. Prej disa vitesh në Shqipëri financohen disa vepra nga Qendra kombëtare e librit dhe leximit, por është një numër i vogël. Kemi shkrimtarë dhe poetë të mrekullueshëm të cilët do ta përfaqësonin denjësisht letërsinë shqipe jashtë kufinjëve.
GE: Planet për të ardhmen…
Mulaj: Do t’i dedikoj një kohë shumë të gjatë dhe të domosdoshme tim biri i cili do të lindë për pak ditë. është një ndjesi e cila shpesh më le pa frymë dhe më bën të mendoj gjatë për këtë krijesë të re që po vjen në jetën time dhe të bashkëshortes.
Mandej kam një një dorëshkrim i cili është drejt përfundimit. Disa përkthime të romanit “Provinca” të cilat kanë nisur tashmë. Përmbledhje e disa poezive të shkruara në vite të cilat edhe ato do të botohen , Panairi i librit “ Kamza lexon” edicioni i tretë e shumë projekte të tjera me në fokus librin dhe letërsinë. Me Zotin përpara shpresojmë t’i realizojmë.
/Gazeta Express
aaaaa