Intervista/ Halil Matoshi: «Shkrimi geg m’bân me u nie në sh’pi» - Gazeta Express
string(58) "intervista-halil-matoshi-shkrimi-geg-mban-me-u-nie-ne-shpi"

Intervista/ Halil Matoshi: «Shkrimi geg m’bân me u nie në sh’pi»

Arte

Gazeta Express

23/02/2024 16:02

Intervistë me poetin dhe publicistin, Halil Matoshi, përmbledhja e fundit poetike e të cilit, “Lil’s poem”, është nderuar me çmimin vjetor për poezi ‘Ali Podrimja’, që e ndan Ministria e Kulturës

Halil Matoshi (1961) është poet, eseist, tregimtar, gazetar dhe publicist. Merret edhe me pikturë dhe studime filozofike e letrare. Ka diplomuar në Fakultetin Filozofik, Departamenti i Filozofisë dhe Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës. Ka një master në gazetari.

Lexo Edhe:

Matoshi ka punuar gazetar, redaktor dhe kryeredaktor i revistave dhe gazetave “Bota e re”, “Zëri i rinisë”, “Zëri”, “Syri i tretë”, “Republika”, “Sheshi”, “Lajm”, “Gazeta Express”, “Focus”, “Koha Ditore”.

Është autor i librave: “Udhëtim nëpër ëndërr të keqe” (1994), “Lajmësi memec” (1996), “Udhëtim nëpër zgjëndërr të keqe”, (2000), “Hija e Krishtit” (2004), “Katedrale prej letre” (2012), “N’zanafillë” (2013) dhe “Gdhendje drite”, (2021);

Poezi të tij janë përkthyer në gjermanisht, spanjisht, sllovenisht, serbisht e kroatisht, turqisht, rumanisht, greqisht, anglisht.

Intervistoi: A. Idrizi

«Të folunit e koduem âsht i ngjashëm me shkrimin që i ka njashtu kodet e veta, që na vijnë shpesh nga jokoshientja, ndërdija, shtresimet e mbamendjes…»

Gazeta Express: Zoti Matoshi, te poezia që edhe i jep titullin përmbledhjes tuaj poetike “Lil’s poem” – për të cilën sapo ju është ndarë çmimi ‘Ali Podrimja’ – flisni për arrestimin tuaj nga ana e forcave serbe, më 21 maj 1999. Kur e marrim titullin si të tillë, duket sikur është shenja juaj biografike. Pra, ngjarje të tilla e shënjojnë jetën e njeriut, nga aty më asgjë nuk është si më parë. Çfarë ndodhi saktësisht dhe si e mbijetuat gjithë atë?

Matoshi: Më habiti diqysh kjo “flisni” e juej!? A flet poezia? A âsht njâjt si me folë si me shkrue? Ose me u mejtue e mos me nxjerr zâ?

A flet nji memec?

Në jetë zor e në poezi po!?

A âsht zâni i vërtet i autorit brenda vargut poetik apo kush e shkruen tekstin e autorit? Ka katër dekada që përpiqna me ja gjetë fillin këtij misteri. Megjithatë të folunit e koduem âsht i ngjashëm me shkrimin që i ka njashtu kodet e veta, që na vijnë shpesh nga jokoshientja, ndërdija, shtresimet e mbamendjes…

Që nga Iliada e Homerit e Hamlet-i i Shakespeare, e deri në ditët tona, kritika e bân të njâjtën pyetje: Kush e shkruen tekstin e autorit?

Athu intenca e kthimit/Itakat tona janë vorret tona, sepse ideja e kthimit të kujton dekën, mes njerëzve të njohtun, sepse, siç thotë Karl R. Popper-i  “në qendrën më të thellë të qenies tonë, ne jemi krijesa shoqnore.”

Simas këtij autori nuk munet me pasë imagjinim ma t’gabuet se menimi se dikush munet me fillu diçka nga e para, i lirë nga e kaluemja ose pa qenë borxhli ndaj askujt!”

Kush dhe përse “ma diktoi” tregimin “Lojë” që shpërfaqte dialogje letrare, ekscentrike e të ankthshme dhe po aq reale, për kampet e përqëndrimit, më 1996, tek libri “Lajmësi memec” dhe si u gjeta në ni kamp të njimendët më 1999?

A thue forca të padokshme totemike i flasin atij (autorit) dhe i kërkojnë të mos zmbrapset nga rruga e tij, e kërkimit estetik, (dhe e zbulesës!?) e cila tashmâ kërkon tjera vlera e kode: Totemet e të shkuemes si fatum-i nietzschean dhe rikthim i përhershëm i të njâjtës!?

Në këtë kërkim pa fund, Tomas Mani shkruen se ne nuk mendojmë e veprojmë si subjekte autonome sepse tjerë mendojnë e veprojnë brenda nesh.

Rrugës së njâjtë i biem dy herë!

Niherë në letërsi dhe ni herë në realitetin brutal historik.

«Librat hem murosën… por hem varrosën. Ato që murosën marrin primesa shenjtnimi (ngrehine?) e ato që varrosen sikur shndërrohen në dhâm Kadmosi, me mbi përsëri!? Biblioteka ngjan në nji katakomb por vjen lexuesi i rizgjon kohnat, personazhet, Makondat»

GE: Gjatë luftës, bashkë me shtëpitë digjeshin edhe bibliotekat. Te poezia juaj që merret për këtë, ju shkruani se i kishit murosur librat – tingëllon si fiksion por ne e dimë se është thjesht një gjë praktike, dikush i muros, dikush i varros, po na u lejua kjo shprehje, e fatkeqësisht dikush nuk ka kohë as për të menduar për to…

Matoshi: Po. Librat hem murosën (si unë më 1999, janë plot dëshmitarë, ndër ta edhe Mufail Limani, i cili e ka shkru nji copë teksti për këtë mynxyrë) por hem varrosën. Ato që murosën marrin primesa shenjtnimi (ngrehine?) e ato që varrosen sikur shndërrohen në dhâm Kadmosi, me mbi përsëri!? Biblioteka ngjan në nji katakomb por vjen lexuesi i rizgjon kohnat, personazhet, Makondat. Flet me njerëz e me kohna para dhe mas kohës se tij. Ngatërrimi i kohnave, dhân ja zâ e t’nemitunes, e bân magjinë!

Por ka raste kur librat digjen (janë djegë libra që nga Mesjeta e deri në këtë shekull dhe në Kosovën e çlirueme bile!) me e zânë ngusht, stigmatizu e persekutu autorin, e najherë librat janë djegë bashk me pronarin ose autorin.

Qinda biblioteka personale janë djegë në luftën e Kosovës e shkrimtari Ymer Elshani âsht masakru me 17 prill, 1999  nga forcat fashiste serbe në Poklek të vjetër të Drenasit bashkë me gruan, të katër djemtë, nënën, kunatën dhe me afro gjashtëdhjetë bashkëfshatarë të tij, mos t’folim për librat e tina.

Legjenda shqiptare e murimit flet për nji grue – shèjt, pra librat é murueme janë si Rozafa. Gjatë anktheve e acareve të dimnit 1999 m’janë diftue librat sa e sa herë, kapakët é tyne, germat…kompleti i veprave të Danilo Kish-it, të Borges-it, Sartre-it, From-it. Kam lexu n’ândërr dhe kam msu pasazhe përmendësh!!!?

GE: Në një udhëtim të shkurtër nëpër bibliotekën tuaj, çfarë do të duhej të shfletonim patjetër?

Matoshi: Nashta fletoret e mia me shënime, skica, essay e poezi, që nga studimet 1982-1986 e nga puna si gazetar në “Zëri i rinisë” 1986-1999. Esetë e shkrueme gjatë luftës i kam botue në Librin é Zi (Udhëtim nepër zgjândërr të keqe, Zëri, 2000) që dmth ka dhe libra të zez, disi sikur ata të shkrumuemit!? Por edhe librat é moçme tashmâ, të Rilindjës së viteve ‘50a, ‘60a, ‘70a é ‘80a, kur duhej mos me hangër byrek nji ditë, me duru uni, me e ble ni libër! Librat e fletoret e shumzojnë njerëzimin.

«Vetmia për njeriun âsht hymje në lekcionet: Qysh me dekë!?… Libri ja që ndihmueka me e gabu murtajën! Me e rizgju Erosin kundër Thanatos-it!»

GE: Ndërkohë jemi përballur edhe me një betejë tjetër, globale, me pandeminë e COVID-19. Në atë ngujim ju keni shkruar një poezi, të karaktrizuar fund e krye nga një frymë këshillimore, si prej urdhëresash, ku në thelb konsideroni se njeriu (ose të paktën ai të cilit i drejtohet poezia, marrësi i panjohur) në të vërtetë është vetëm lojtar në këtë ekzistencë, jo shenjtor.

Matoshi: Në fakt jeta âsht lojë e njerëzit lojtarë. E në këtë epokë të mas-të vërtetës, kur besohet e nuk mendohet racionalisht, njerëzit janë shndrrue në lojtarë të rrezikshëm.

Vërtet sot besohet në shèjtnit por nuk ka të tillë, në politikë ka sall popullistë që anojnë kah fashizmi i ri; në arte pamore ka pozerë që interpretojnë pikturat si valle e çmendun e vijave, në muzikë reperë që fjalën shèjt e thojnë ‘fucking Saint” dhe arkitekturë që mendohet me e sfidu gravitetin. Letërsia e mirë po m’doket po e sfidon epokën. Po mbijeton! Poezia po rikthehet e rikthehet…

Pandemia na dëshmoi se jetojmë në nji planet të brisht si vet poezia, si estetika e dekës. Ajo na ka bâ neve që dojmë ma t’dashtunuem, e vulgus-in (turmat) i ka shndrru në “besimtarë të ri” tek ni Putler (kombinim i Hitlerit e Putinit) apo nji fashist pa thoj, që i shquen misteri i djallit e zjarrit (filmi Oppenheimer flet për këtë efekt deri qaty!?);

Thjesht shèjtor kurrë s’ka pasë po njeriu i lig u ka dhânë liderëve politik, fetar e kombëtarista, karakteristika të tilla, p’ej frike se po metet i vetmuet, i braktisun në këtë rizgjim e ulurimë shpellash…

Sikur në Pandemi (COVID19) kur shkolla u dëshmu institucion që duhet rimendu, kur Ferrari-n e mluen marimangat në garazh, kur lule s’mjellte kush e varret masive i zavensuen ato individuale é familjare!

Vetmia për njeriun âsht hymje në lekcionet: Qysh me dekë!?

Ngujimi (izolimi) njihet si forma ma mizore e ndëshkimit në burgjet politike.

Gjatë këtyne ditëve (ishin vjetë!) edhe pse teknologjia e ka kriju ashiqare distancën sociale, sërish njeriu lypë rrâjt, t’përgitmit e tij.

Autoritetet zvicerane patën vendosë që fëmijtë munen me i përqafue ma n’fun’ gjyshnat e tyne dhe a e dini cili ishte arsyetimi: Ata jetojnë me i përqafu mbesat e nipat!?

Kaq e thjeshtë por kaq themeltare për njeriun si qenie sociale!

Ni përqafim!?

Dhe në Italinë e pllakosun nga flama Illy Monteiro dhe Valeria Miranda patën vallëzu në çatinë e ndërtesës së tyne. Monteiro siguron mësime arti për fëmijët e ndërtesës në distancë, nga çatia.

Derisa gjithandej kishte pllakosë Pandemia po m’bjen n’mend “Murtaja” e Alber Camus-it dhe epilogu – ajo ka me u tërheqë nji ditë – por me art mëtohet të gabohet murtaja, për me marrë anën e jetës, kundër vdekjës.

Libri ja që ndihmueka me e gabu murtajën!

Me e rizgju Erosin kundër Thanatos-it!

«Duhet me e jetu jetën tue e marrë si lojë, tue u qaraveshë si ato maskat që simbolizojnë Theatrin… Thelbin e motivit për jetë duhet me e gjetë tek ekzistencializmi»

GE: Kur keni nisur ta ndieni vetminë e vërtetë? Atë që ju bën të ndiheni një lis që mbin nga dërrasat, që ishte para letrës (të cilën s’do t’jua shkruajë më askush) dhe mbas saj? Është vetmia e qenies njerëzore si të tillë, apo e poetit, artistit?

Matoshi: Njeriu në thelbin e vet, në dramën jetësore, âsht qenje e vetmuet me t’ardhë në jetë, tue u shkputun me brimë nga mitra e nânës dhe qenie-për-dekë (Nietzsche), sëkëndejmi qenje tragjike. Por duhet me e jetu jetën tue e marrë si lojë, tue u qaraveshë si ato maskat që simbolizojnë Theatrin. Me heroizmin tragjik pesimist të Alber Camus-it apo me e shndrru t’jetuemit në humor të kalkuluem e inteligjent si tek “La vita é bella” é Benigni-t. Thelbin e motivit për jetë duhet me e gjetë tek ekzistencializmi (me jetu pa shpresë se ka me u ba mirë, pa uzdajë në askan, pa pritje të asgjâsë. Sepse, Godo edhe nëse vjen – é njet s’e ka – âsht i rrejshëm!?

“Kemi artin mos me dekë nga e vërteta”, ky postulat nietzschean na e kujton tragjedinë greke nga e cila lindi muzika, teatri, letërsia, me nji fjalë é bukura, me art na bâhemi herë Oscarët e Grass-it e herë Joshua i Benigni-t.

GE: Duke qenë se jeni edhe piktor, na e thoni, nëse kjo nuk tingëllon banale, si e ndani mendjen që një ide ta ktheni në pikturë e jo në poezi, apo anasjelltas?

Matoshi: Edhe në pikturë ka poezi. Janë do gropa (si birat e zeza!?) do gunga, do rrudha e rrjedha, masanej do fishekzjarre e pika e sterpika gejzerash, që vallëzojnë, që herë na mushin trishtim e herë na ngazllejnë. Kurse piktura në poezi âsht gjendje psh. terri i ngurt i nji çelie burgu! “Nëse fjala “mur” nuk ju digjon… mos e përdorni mâ… për tetë vjet…, që të mledh mén për herën tjetër. Kjo është bukuria!” – tha Roberto Benigni!

Kjo âsht liria krijuese, e kufizueme vetiu në thelbin e saj, në mister.

«Unë qenjesoj gegnisht. Përtej politikave gjuhësore (hegjemonive kulturore) e ironisë menoj se gjuha âsht fryma dhe logosi é pa to s’ka poezi. Shkrimi geg m’bân me u nie në sh’pi. I mbrojtun nga t’hupunit e identitetit»

GE: Në dy librat e fundit poetik, por tashmë edhe në tekstet publicistike, e keni braktisur gjuhën e njësuar letrare në dobi të gegnishtes…

Matoshi: Gegnisht âsht vet shqipja parake dhe siperane. Ajo nuk âsht dialekt i asnji gjuhe, po vet rrâja e shqipes. Standardi ’72 i shqipes  se ashtuquajtun “e unisueme”  asht 99.9% tosknishte dhe 0.1% gegnishte. Fjalën ‘Kryetar’ é ka marrë p’ej gegnishtes që mos me ra në stisje vulgare e me i thânë kokëtar!? Fjalën ‘bâmirsi’ e kane marre nga gegnishtja, pasi tosknishtja nuk ka leksik qe shpreh t’bâmunit mirë!? Fjalën ‘ha – hangër’ e ka ruejt sa mos me thânë “e ngrëni gjelbër” për “e hangër jeshil”!? E shihni që fjalët janë frymë dhe shèjtnojnë. Letërsia âsht materie vitale, mos me dekë nga harresa. Mos me u shue Gjuha si strehë e qenjes. Unë qenjesoj gegnisht. Përtej politikave gjuhësore (hegjemonive kulturore) e ironisë menoj se gjuha âsht fryma dhe logosi é pa to s’ka poezi. Shkrimi geg m’bân me u nie në sh’pi. I mbrojtun nga t’hupunit e identitetit.

/Gazeta Express