Intervista / Erëmirë Krasniqi: «Është me rëndësi që përvojat nga margjina ta informojnë rrëfimin tonë kolektiv, që jetë më i shtresëzuar dhe gjithëpërfshirës» - Gazeta Express
string(152) "intervista-eremire-krasniqi-eshte-me-rendesi-qe-pervojat-nga-margjina-ta-informojne-rrefimin-tone-kolektiv-qe-jete-me-i-shtresezuar-dhe-gjitheperfshires"

Arte

Donjeta Abazi

12/04/2024 16:21

Intervista / Erëmirë Krasniqi: «Është me rëndësi që përvojat nga margjina ta informojnë rrëfimin tonë kolektiv, që jetë më i shtresëzuar dhe gjithëpërfshirës»

Arte

Donjeta Abazi

12/04/2024 16:21

Intervistë me Erëmirë Krasniqin, kritike arti dhe kuratore e Pavijonit të Kosovës në edicionin e 60-të të Bienales së Venecias.

Erëmirë Krasniqi është kritike e artit, kuratore dhe hulumtuese që vepron në Prishtinë. Krasniqi ka mbaruar studimet master në Kolegjin Dartmouth, ndërsa studimet themelore i ka kryer në Kolegjin Bard në Berlin. Si kuratore e pavarur, ajo ka drejtuar dhe kuruar projekte për Galerinë Kombëtare të Kosovës, Galerinë Kombëtare të Arteve në Shqipëri dhe Edicionin e 39-të të EVA International në Limerik të Irlandës. Praktika e saj kuratoriale dhe hulumtuese ndërthuret me arkivat, historinë gojore dhe fabulimet kritike për të përfillur dhe për të korrigjuar mangësitë në regjistrat historikë. Interesat e saj kërkimorë luhaten mes historive të artit modern socialist dhe të shprehurit lokal që kontribuon për sfidimin e narrativave dominante historike. Prej vitit 2017 deri në vitin 2024 Krasniqi ka qenë drejtore ekzekutive e Iniciativës për Histori Gojore, një burim digjital që ndërvepron me forma të reja të prodhimit kulturor dhe që mbështet dhe avokon për punën e pazëvendësueshme të arkivave mediatike.

Lexo Edhe:

Intervistoi Donjeta Abazi

«Si gjeneratë e re e grave, na ka interesuar sa strukturale janë pabarazitë me të cilat përballen gratë sot»

Gazeta Express: Pavijoni i Kosovës zgjedh të prezantojë një projekt që udhëhiqet nga një ekip i përbërë prej grave vendase dhe që përqendrohet tek to. Cili është impakti që kanë tek njëra tjetra, tema e ekspozitës dhe vetë përbërja e këtij ekipi?

Erëmirë Krasniqi: Projekti përqendrohet në punën e feminizuar dhe pabarazitë në vendin e punës në kontekst të industrive të lehta (p.sh. fabrika të ushqimit) përgjatë periudhës së tranzicionit ekonomik. Meqenëse janë gratë që targetohen në këto sektore për punët që kanë ngjashmëri me punët përbrenda hapësirës domestike, na ka interesuar se si nënvlerësimi i këtyre punëve nga sfera private bartet në sferën publike. Projekti i Pavijonit të Kosovës, Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës nga Doruntina Kastrati, si piknisje ka përvojën e nënës së Doruntinës, dhe si i tillë, aq sa është projekt personal trajton edhe dimensionin politik të përfshirjes në tregun e punës të grave në ekonominë e parreguluar të pasluftës. Si gjeneratë e re e grave, na ka interesuar sa strukturale janë pabarazitë me të cilat përballen gratë sot.

GE: Tek koncepti kuratorial, përmendet sistemi patriarkal dhe jo lufta, por pasojat e saj. Në një kontekst më të gjerë, cila është ndërlidhja mes këtyre të dyjave, më saktë cilat janë pasojat të cilat kanë ‘ushqyer’ edhe më, sistemin patriarkal?

EK: Trajtat e kapitalizmit të cilat kanë gjetur shprehje përmes industrive të lehta kanë pasur qasje shfrytëzuese ndaj punëtoreve gra dhe ka një lidhje të ngushtë me patriarkalitetin shoqëror dhe kjo bëhet e mundshme nga dinamikat ndërgjinore. Me gjithë fuqizimin që vjen me përfshirjen e grave në tregun e punës, ajo përcillet edhe me shfuqizim: sa ma të gjata oraret e punës në industritë e lehta, aq më i madh akumulimi i punës së papaguar. Vlen të theksohet që shumë nga aftësitë e punës që fitohen në sferën private, nëse performohen nga gratë në sferën publike, në tregun e punës ato shkathtësi nuk paguhet mirë. Ky nënvlerësim monetar ndërmjetësohet nga shoqëria patriarkale dhe nga ajo përfitojnë ekonomitë që ndërtohen mbi marrëdhënie kapitaliste.

«Çfarë po trajtojmë, aq sa është specifike për kontekstin tonë, ka edhe dimensionin e saj gjenerativ që krijon platformë për të diskutuar çështjen e punës së feminizuar anembanë botës»

GE: Ideja e artistes, burimin e ka te një fabrikë llokumesh në Prizren, më saktë te puna fizike e grave në sektorë të tillë. Megjithatë “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” tenton të përfshijë pabarazitë në vendin e punës të të gjitha grave në vendin tonë, na flisni pak rreth kësaj…

EK: Projekti i Doruntina Kastratit “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” nuk tenton të përgjithësojë dhe të trajtojë të gjitha pabarazitë në vendin e punës të të gjitha grave në vendin tonë. Mundohemi të identifikojmë çfarë është strukturale dhe që mund të përkthehet në kontekste të ndryshme të punës ku gratë targetohen kryesisht për shkak të aftësive të tyre që nga shoqëritë patriarkale konsiderohen “punë që u shkojnë më për shatati grave”.

Projekti artistik, “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” i Doruntina Kastratit trajton gjendjen e tehuajsimit përmes hulumtimit të kundër-historive, narrativave në vetën e parë dhe përvojave të grupeve të margjinalizuara. Instalacioni skulpturor është specifik pasi që ka në fokus fabrikat e llokumeve, një ambient pune që shpesh i ka prodhuar gratë si subjekte margjinale. Ky treg i punës sjell fenomenin kontratave të përkohshme, orare të gjata, pagesë e ulët dhe pasiguri ekonomike. E gjithë kjo e përcjellë me pasoja si lëndime trupore në punë dhe shkelje të drejtave të punëtorëve në mungesë të sigurimit shëndetësor dhe benefiteve tjera.  

Sidoqoftë, projekti nuk ndalet këtu, por përmes prezantimit në Bienalen e Venedikut mëton të komunikojë më gjerë dhe me kontekste tjera në botë ku këto dinamika të punës janë të pranishme. Çfarë po trajtojmë, aq sa është specifike për kontekstin tonë, ka edhe dimensionin e saj gjenerativ që krijon platformë për të diskutuar çështjen e punës së feminizuar anembanë botës.

«Përmes prezantimit në Bienale, rrëfimi ynë kolektiv tashmë ka filluar t’i definojë konturat e tij. Andaj, e kemi me rëndësi që këto përvoja nga margjina ta informojnë rrëfimin tonë kolektiv, në mënyrë që jetë më i shtresëzuar dhe gjithëpërfshirës»

GE: Për vite, Kosova është prezantuar me projektet që në thumb kanë politikat e identitetit, luftën e Kosovës, personat e zhdukur etj, cila është rëndësia dhe mesazhi që tentohet të përcillet këtë vit nëpërmjet këtij projekti?

EK: Historiku i pjesëmarrjes së Kosovës në Bienalen e Venecias është i shkurtër. Në një hapësirë kohore dhjetëvjeçare, Kosova me sukses është përfaqësuar me projekte që kanë pasur të bëjnë me politikat identitare, luftën e vitit 1999, personat e pagjetur në Kosovë, dhe mënyrën se si këto përvoja janë mediatizuar ndërkombëtarisht. Të gjitha këto projekte kanë dialoguar me njëra-tjetrën dhe vazhdojnë ta kenë një rëndësi madhore në ndërtimin e rrëfimeve kolektive. Si një ndër ngjarjet më të mëdha dhe më të rëndësishme në botë për kulturën pamore, Bienalja e Venecias tërheq një audiencë të madhe dhe globale. Kjo platformë mundëson një shkëmbim të rëndësishm në nivel diskursiv, por edhe në nivel të ekspozitë-bërjes. Mbi të gjitha, na mundëson që këto rrëfime nga perferia e lëkurës të bëhen të dukshme dhe të komunikohen nga një pozicion kritik. Përmes prezantimit në Bienale, rrëfimi ynë kolektiv tashmë ka filluar t’i definojë konturat e tij. Andaj, e kemi me rëndësi që këto përvoja nga margjina ta informojnë rrëfimin tonë kolektiv, në mënyrë që jetë më i shtresëzuar dhe gjithëpërfshirës. Për më tepër, e kemi me rëndësi që vetën tonë si gra dhe rrëfimet e grave të tjera me të cilat i ndajmë këto përvoja, të i shohim në platforma më të mëdha të artit pamor.

GE: A na flisni në detaje për procesin e punës dhe materialet e përdorura në skulpturë?

EK: Projekti që do të prezantohet në Pavijonin e Kosovës në Bienalin e Venecias, Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës – është instalacion skulpturor që përbëhet nga katër punë skulpturale të përmasave të mëdha të punuara në alumin- prodhimtaria artistike e këtyre përmasave është një aspekt i ri i punës së Doruntina Kastratit të cilin ajo e hulumton për herë të parë. Ky konstalacion i skulpturave është i përcjellë me një projekt tingullor që ka për qëllim të i aktivizoj skulpturat, por poashtu edhe hapësirën ekspozuese.

Përgjatë hulumtimit kemi dalë me materiale të shumta vizuale që dokumentojnë oraret e gjata dhe punën që performohet kryesisht në këmbë dhe nga gratë. ⅓ e këtyre grave kanë përvojën e operimit dhe vendosjen e implanteve në gjunjë. Metalet kirurgjike që vendosen në gjunjët e tyre janë përdorur si referencë për skulpturat e aluminit. Format skulpturale dy prej tyre marrin formën e këtyre implanteve dhe dy të tjera janë lëvozhga të arrave përbërës që përdorën në prodhimin e llokumeve. Metali si material për skulpturat po ashtu është menduar si material që referencon ambientet industriale dhe gjeneron ftohtësinë e atyre ambienteve të punës, por edhe ftohtësinë në gjunjët e punëtorëve.

«Artistët, përmes punës së tyre që reflekton mbi realitetin bashkëkohor të Kosovës, ka mundësi të lëvizin nga narrativa e luftës, gjithnjë duke nderuar dhe njohur rëndësinë e kësaj përvoje, por edhe të kontribuojë në perceptime të reja përmes kulturës dhe artit pamor që e prezanton vendin jashtë kufijve të tij»

GE: Përtej ekspozitës, cili është roli i artistëve kosovarë në përfaqësimin e vendit jashtë Kosovës?

EK: Kosova është shtet në bërje dhe e ka ende shumë të rëndësishme narrativat të cilat ndërtohen ndërkombëtarisht. Për një kohë të gjatë lufta ka qenë konteksti bazë mbi të cilim çdo sqarim kontekstual mbi Kosovën është ndërtuar dhe ky kontekst nuk ka qenë shumë i hapur dhe ka pamundësuar të krijohen edhe referenca dhe ngjyrime tjera kulturore. Shpesh ky kontekst ka ditur të jetë edhe reduktues pasi që sillte në vëmendje vetëm një moment historik, por dështonte të fliste për të sotmen dhe mënyrën se si dolëm nga përvoja e luftës. Artistët përmes punës së tyre që reflekton mbi realitetin bashkëkohor të Kosovës ka mundësi të lëvizin nga narrativa e luftës, gjithnjë duke nderuar dhe njohur rëndësinë e kësaj përvoje, por edhe të kontribuojë në perceptime të reja përmes kulturës dhe artit pamor që e prezanton vendin jashtë kufijve të tij.

/Gazeta Express