Intervista / Besim Ugzmajli: «Teatri Adriana po e vuan mungesën e stafit artistik dhe teknik» - Gazeta Express
string(88) "intervista-besim-ugzmajli-teatri-ardiana-po-e-vuan-mungesen-e-stafit-artistik-dhe-teknik"

Intervista / Besim Ugzmajli: «Teatri Adriana po e vuan mungesën e stafit artistik dhe teknik»

Arte

Donjeta Abazi

30/01/2024 16:09

Intervistë me Drejtorin Artistik të Teatrit Adriana – Ferizaj, Besim Ugzmajli

Besim Ugzmajli është regjisor, producent dhe shkrimtar, ka lindur në Ferizaj. Ai ka marrë pjesë në shumë festivale me filmat e tij, disa prej tyre kanë fituar edhe çmime. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindje, përkatësisht në Ferizaj, duke vazhduar studimet në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, për regji.

Lexo Edhe:

Intervistoi: Donjeta Abazi

Gazeta Express: Në vitin 2020, Teatri ‘Adriana’ u bë me staf rezidentë, aktorët që fituan titullin rezidentë ishin ata që kishin vite përvojë pune në këtë teatër… Ka pasur edhe mjaft pakënaqësi, sidomos nga ata që nuk janë pranuar. Cilat ishin kriteret që duheshin plotësuar?

Besim Ugzmajli: Po, në vitin 2020, pas shumë përpjekjesh Teatri Adriana ka krijuar stafin e saj rezidentë. Ky staf kryesisht është në përmbërje me aktorë që për shumë vite kanë punuar kryesisht në Teatrin Adriana. Ka pasur pakënaqësi nga aktorë që nuk kanë mundur të jenë pjesë e ansamblit rezidentë e që në fakt disa prej tyra kanë punuar për shumë kohë në këtë teatër e kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm. Sa i përket kritereve, pikërisht këto kritere kanë krijuar barriera teknike, me të cilat është pamundësuar punësimi i disa aktorëve në këtë teatër. Këto kritere kryesisht kanë pasur të bëjnë me vendbanimin e konkuruesëve dhe qështje të tjera të ngjashme.

GE: Si është gjendja financiare e teatrit, cilat janë kushtet, hapësira dhe stafi teknik?

B. Ugzmajli: Teatri Adriana ka qëndruar më së keqi sa i përket çështjes financiare, por që me vullnetin e jashtëzakonshëm të gjithëve kemi arritur të jemi ndër teatrot më produktive e më aktive në Kosovë. Hapësira e këtij teatri është shumë modeste, sidomos në aspektin teknik, për shkak së është bërë pothuajse i pamundur sistemimi i skenografive apo i mjeteve teknike në hapësirat e vogëla të këtij teatri. Stafi teknik por edhe ai artistik ka nevojë shumë për staf shtesë, sepse në këtë numër dhe në këto kualifikime është shumë i varfër.

GE: Në kohën e ndarjes së fondeve nga ana e Ministrisë së Kulturës, teatri juaj qe lënë anash. Pastaj, pas bujës së këtij refuzimi, keni përfituar një fond të veçantë… çka kishte ndodhur?

B. Ugzmajli: Çështja me MKRS nuk ka pasur të bëjë me Teatrin Adriana, ajo situatë ka qenë në lidhje me Festivalin e Teatrove që organizohet në Teatrin Adriana. Fond nuk kemi fituar nga MKRS pas atij debati, në fakt patëm refuzuar fondin e tejvonuar ardhur si propozim memorandumi nga MKRS.

GE: Cili është bashkëpunimi me teatrot brenda e jashtë Kosovës.

B. Ugzmajli: Bshkëpunimet janë kryesisht në nivel reprizash, në kuptimin e shfaqjes së prodhimeve tona në teatrot e rajonit apo pjesëmarrje në festivale të ndryshme që organizohen brenda dhe jashtë Kosovës.

GE: Si e vlerësoni raportin shfaqje-publik në teatrin atuaj?

B. Ugzmajli: Teatri i Ferizajt njihet për një publik shumë të kultivuar e veçanërisht publik në moshë të re. Fatkeqësisht numrin solid të publikut e ka dëmtuar shumë pandemia dhe që nga atëherë ënde nuk e kemi marrë veten plotësisht. Ne po përpiqemi të gjejmë forma të ndryshme promovimi e reprezentimi që sa më shpejtë të kthejmë edhe më shumë publikun në skenën e Teatrit Adriana.

GE: Si regjisor jeni duke vënë në skenë bashkë me dramaturgun me Jeton Neziraj një shfaqje në Teatrin ‘Dodona’. Për çka bëhet fjalë?

B. Ugzmajli: Bëhet fjalë një kohë të vëshirë morale e politike, ku ëndrra bëhët çështje kryesore e intepretimi i tyre vendos për të ardhmën e individit por edhe të shoqërisë në përgjithësi. Jeta idililike në ate që autori e quan “ëndrrokraci”  është alternativa e fundit më premtuese e një regjimi të ri për të cilin njeriu ka nevojë. Shfaqja është një aventurë e një personazhi esull brenda analeve të karaktereve që jetojnë në staza ëndrre apo sumnabulizmi.

GE: Premierat këtë vit në ‘Adriana’ dhe të rejat tjera.

B. Ugzmajli: Po sigurisht, tani po fillojmë shfaqjen “Fluturimi mbi folenë e qyqes” me regjisor Erson Zymberi dhe pastaj varësisht nga ecuria e çështjes së renovimit, planifikojmë të realizojmë edhe dy shfaqje të tjera.

/Gazeta Express