Interi tani nën pronësi kanadeze, s’priten ndryshime në klub - Gazeta Express
string(58) "interi-tani-nen-pronesi-kanadeze-spriten-ndryshime-ne-klub"

Futboll

Gazeta Express

01/11/2025 15:20

Interi tani nën pronësi kanadeze, s’priten ndryshime në klub

Futboll

Gazeta Express

01/11/2025 15:20

Inter tani është teknikisht nën pronësi kanadeze, pasi fondi investues “Brookfield” ka blerë 100 për qind të “Oaktree”, por kjo nuk pritet të ndikojë në klub apo në projektin e “San Siros”.

Është konfirmuar se “Brookfield” ka blerë pjesën e mbetur prej 26% të “Oaktree Capital Management”, në një marrëveshje me vlerë rreth 3 miliardë euro.

Ky proces ka qenë në zhvillim prej kohësh, pasi “Brookfield” kishte marrë shumicën e aksioneve të “Oaktree” gjashtë vite më parë, duke e vlerësuar tani të gjithë kompaninë e bazuar në Los Angeles në rreth 11.5 miliardë dollarë.

“Oaktree” mori kontrollin e Interit në maj të vitit 2024, kur praktikisht “ripozotësoi” klubin, pasi pronarët e mëparshëm “Suning” nuk arritën të shlyenin një hua ndaj kompanisë.

Pas kësaj, “Oaktree” promovoi Beppe Marottën në postin e Presidentit, duke ruajtur të paprekur ekipin drejtues.

Edhe pas marrjes së plotë të “Oaktree” nga “Brookfield”, nuk pritet të ketë ndryshime në strukturën drejtuese të Interit.

I vetmi aspekt që mund të ngjallë pak shqetësim është procesi i blerjes së tokës së “San Siros” nga Milan dhe Inter, por edhe këtu nuk pritet ndonjë pengesë e madhe.

Pagesa e parë prej 73 milionë eurosh për blerjen e tokës nga komuna e Milanos duhet të bëhet brenda 10 ditëve të ardhshme./GazetaExpress/