Interi ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt trofeut të Kupës së Italisë, duke mposhtur Torinon me rezultat 2-1 në ndeshjen çerekfinale të zhvilluar në stadiumin e Monzas.
Skuadra e drejtuar nga Cristian Chivu tregoi qetësi dhe efikasitet në momentet vendimtare të takimit. Zikaltërit kaluan në epërsi në minutën e 35-të, kur Ange-Yoan Bonny realizoi me kokë pas një asistimi të saktë nga krahu, duke mbyllur pjesën e parë me avantazh minimal.
Menjëherë në fillim të fraksionit të dytë, Interi dyfishoi shifrat. Në minutën e 48-të, Andy Diouf përfitoi nga një aksion i ndërtuar mirë dhe dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë qetësi skuadrës së tij.
Torino nuk u dorëzua dhe reagoi shpejt, pasi në minutën e 57-të Sandro Kulenovic shënoi me kokë, duke hapur sërish garën për kualifikim. Megjithatë, pavarësisht presionit të vazhdueshëm të miqve në minutat e mbetura, Interi menaxhoi me maturi lojën dhe ruajti rezultatin.
Me këtë triumf, Interi siguron një vend në gjysmëfinale të Kupës së Italisë, duke konfirmuar objektivin për të luftuar deri në fund për trofeun, edhe në një periudhë me kalendar të ngarkuar dhe mungesa të rëndësishme në skuadër. /GazetaExpress