Interi dhe Man Unitedi sonte kërkojnë gjysmëfinalen - Gazeta Express

Interi dhe Man Unitedi sonte kërkojnë gjysmëfinalen

Futboll

Gazeta Express

10/08/2020 10:07

Edicioni i 11-të i Europa League-s bëhet gati për të hyrë në fazën më të bukur dhe më të rëndësishme, me tetë skuadrat më të mira të këtij sezoni që do të rivalizojnë ndërmjet tyre në Gjermani, për të përcaktuar edhe emrin e klubit që do të fitojë edicionin e 49-të të kompeticionit të dytë më të rëndësishëm në Kontinentin e Vjetër.

Një edicion tepër i veçantë që ndoshta do të mbahet mend gjatë edhe për shkak të ndërprerjes së pazakontë të Koronavirusit dhe influencës së madhe që pati virusi COVID-19 gjatë këtij sezoni në Kupat e Evropës.

Drejtuesit e UEFA-s i dhanë privilegjin për të zhvilluar fazën përmbyllëse pikërisht vendit teuton, që do të presë pjesën e mbetur të sezonit në Europa League, nëpërmjet një formati të ri, të pagëzuar “final eight”.

Krerët e qeverisë evropiane të futbollit përzgjodhën katër qytete në Gjermani si Këln, Dyseldorf, Gelsenkirshen dhe Duisburg për të plotësuar edhe kuadrin e plotë të shtatë sfidave të fundit.

Ndeshjet e fazës çerekfinale janë ndarë në dy ditë të veçanta dhe në ditën e parë do të zbresin në fushë dy ekipe si Manchester United dhe Inter i Milanos, që konsiderohen edhe si klubet favoritë për të triumfuar në edicionin e sivjetshëm.

Zikaltërit do të matin forcat me Bayer Leverkuzenin, në një ndër ndeshjet më të forta të fazës çerekfinale.

Ekipi i drejtuar nga trajneri Antonio Conte me të drejtë konsiderohet si një ndër ekipet më në formë, duke pasur parasysh që Interi pas rifillimit të sezonit ka humbur vetëm 1 nga 15 takimet e fundit.

Shumë më të thjeshtë pritet ta ketë në takimin tjetër Manchester United, që do të përballet po në të njëjtën orë me Kopenhagenin në Qytetin e Këlnit, në “RheinEnergieStadion” pra pikërisht stadiumin edhe ku do të zhvillohet finalja e madhe e këtij edicioni në Europa League.

Të dyja këto ndeshje zhvillohen sonte nga pra 21:00.

Fituesi i duelit Inter VS Bayer Leverkusen do të përballet me fituesin e ndeshjes Shkahtar VS Basel.

Kurse fituesi i sfidës Manchester United VS Kopenhagenin, në gjysmëfinale do të ketë punë me fituesin e ndeshjes Sevilla VS Wolves.