Zëvendëstrajneri i Interit, Massimiliano Farris, ka pranuar se gjasat që Lautaro Martinez të luajë në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve janë “më shumë jo sesa po”, ndërsa thekson se skuadra e tij po përgatitet të përfitojë nga “pikat e dobëta” të Barcelonës.
Nerazzurrët e dinin që para fillimit të ndeshjes se Napoli kishte fituar 1-0 ndaj Lecce, duke ia lënë fatin e titullit në Serie A në dorën e Antonio Contes.
Me këtë në mendje, si dhe për shkak të pezullimeve, dëmtimeve dhe sfidës madhore ndaj Barcelonës të martën, Interi bëri 10 ndryshime në formacionin titullar përballë Veronës – dhe sërish fitoi.
Kristjan Asllani realizoi me qetësi një penallti në minutat e para pas një prekje me dorë nga Nicolas Valentini, dhe ajo mjaftoi për të marrë tre pikët.
Farris foli për mediat në vend të trajnerit Simone Inzaghi, i cili po vuan një pezullim si pjesë e një marrëveshjeje me prokurorinë lidhur me një hetim për lidhjet e Interit me elementë problematikë të tifo-grupit ultras.
“Intensiteti, përqendrimi dhe dëshira për të marrë iniciativën ishin aty. E dinim që do të ishte e vështirë të gjenim hapësira ndaj Veronës. Mund të kishim lëvizur topin më shpejt në pjesën e dytë, por qasja ishte e duhura,” tha Farris për Sky Sport Italia.
“Tani fokusi është te Liga e Kampionëve. Barazimi 3-3 me Barcelonën ishte një ndeshje e guximshme nga ana jonë, duke pasur parasysh momentin e vështirë që po kalonim.”
“Shkuam në ‘Camp Nou’ me një plan të qartë për të përfituar nga disa dobësi të Barcelonës. Ne e dimë që ata janë një ekip i madh që e do posedimin dhe na shtynë pas në disa momente, ndaj duhet të punojmë për këtë aspekt”, shtoi ai.
Për sa i përket gjendjes së Lautaro Martinez, Farris tregoi:
“Është e vërtetë që nuk ka dëmtim muskulor të rëndë, çka lë një fije shprese, por për momentin është më shumë jo sesa po. Ai nuk ka stërvitur, do të provojmë gjithçka sepse është një ndeshje themelore, por gjasat nuk janë të mira.”
Lidhur me sfidën që Lamine Yamal përbën, Farris tha:
“Po e rishikojmë ndeshjen, po analizojmë dhe do të diskutojmë me Simone për të parë si ta kufizojmë ndikimin e tij. Yamal ishte thjesht i mrekullueshëm. E kishim parë në video, por ajo që bëri në fushë ishte e një niveli tjetër. Nuk i dhamë shumë hapësirë, dhe sërish na dëmtoi.”
“Është padyshim një nga talentet më të mëdhenj të së ardhmes në futbollin botëror. Do përpiqemi ta kufizojmë dhe ta vendosim më shumë nën presion.”
I pyetur për ndryshimet mes Barcelonës dhe Bayern Munich, Farris tha:
“Bayerni na bëri presion për 90 minuta në San Siro, ndërsa Barcelona dukej sikur u lodh në pjesën e dytë. Ata mbrojnë shumë lart, afër mesfushës, dhe nëse formacioni i tyre çrregullohet pak, atëherë mund të përfitojmë.”
“Ata kanë luajtur me këtë stil në 52 ndeshjet e fundit, por nëse vendosin të ndryshojnë në San Siro, presioni i tyre mund të bjerë dhe ne mund të kemi më shumë topin. Gjithçka do të varet nga sa mirë e mbajmë topin.”
Sa i përket garës për Scudetto-n, Farris pranoi:
“Momentalisht nuk është më në duart tona. Detyra jonë është të fitojmë çdo ndeshje deri në fund dhe të mos pendohemi. Nëse Napoli gabon, ne duhet të jemi gati për të përfituar.” /GazetaExpress/