Inter Milan ka bërë një përmbysje spektakolare për të mposhtur Como me rezultat 4-3, duke u shkëputur në krye të Serie A me nëntë pikë diferencë dhe duke konfirmuar formën e kampionëve në fuqi.
Ndeshja nisi më mirë për vendasit, të cilët treguan ambicie të mëdha për një vend në UEFA Champions League. Pas disa rasteve të rrezikshme, Como kaloi në epërsi në minutën e 36-të me Álex Valle, i cili realizoi golin e parë në karrierën e tij me ekipin e parë. Pak para pushimit, Nico Paz dyfishoi shifrat me një goditje të bukur, duke e çuar rezultatin në 2-0.
Megjithatë, Marcus Thuram riktheu shpresat për Interin duke shënuar në fundin e pjesës së parë pas asistimit të Nicolò Barella.
Pjesa e dytë nisi furishëm për zikaltërit. Thuram barazoi shumë shpejt rezultatin në 2-2, ndërsa vetëm pak minuta më vonë Denzel Dumfries realizoi me kokë për të përmbysur gjithçka në 3-2 pas një goditjeje të lirë të Hakan Çalhanoğlu.
Interi nuk u ndal me kaq. Dumfries shënoi edhe golin e tij të dytë personal dhe të katërtin për ekipin, duke vulosur praktikisht fitoren. Në fund, Lucas Da Cunha realizoi nga penalltia për Comon, por ishte tepër vonë për të ndryshuar fatin e ndeshjes.
Kjo fitore e rëndësishme e ekipit të drejtuar nga Cristian Chivu i afron edhe më shumë me titullin e 21-të në histori, ndërsa vazhdojnë serinë e rezultateve pozitive në transfertë.
Nga ana tjetër, Como i Cesc Fàbregas ndërpreu një seri prej tetë ndeshjesh pa humbje dhe humbi një mundësi të artë për t’u futur në zonën e katër skuadrave më të mira. /GazetaExpress/