Ministrja e Shëndetësisë Evis Sala gjatë samitit dyditor “Inteligjenca artificiale në shëndetësi”, organizuar në Londër nga “The economist” tha se, shëndetësia globale po hyn në një fazë të re me ndihmën e teknologjisë së avancuar.
Duke sjellë eksperiencën e saj akademike në fushën e imazherisë onkologjike në nivel ndërkombëtar, ministrja Sala nënvizoi se Inteligjenca Artificiale do të udhëheqë revolucionin në shëndetësi, ndërsa paraqiti vizionin e qeverisë shqiptare në digjitalizimin e plotë në shëndetësi, si pararendës të përdorimit të inteligjencës artificiale në diagnostimin e përparuar.
“Spitali i së ardhmes do të ketë një infrastrukturë të padukshme teknologjike, qendër të unifikuar të të dhënave të pacientit, zero barrë administrative për profesionistët dhe një kulturë bashkëpunimi njeri – IA, ku është në qendër kujdesi ndaj pacientit”, u shpreh ajo.
Në panelin dedikuar integrimit të inteligjencës artificiale në praktikën klinike, krah emrave të njohur ndërkombëtarë, ministrja Sala ndau shembuj konkretë të përdorimit të IA për të ulur lodhjen e klinicistëve dhe ngarkesën administrative në radiologji, përfshirë automatizimin e detyrave të përsëritura, optimizimin e planifikimeve, gjenerimin automatik të raporteve dhe përpunimin e gjuhës natyrore për dokumentacionin mjekësor.
Në samit morën pjesë 300 pjesëmarrës e 60 folës nga e gjithë bota, ku u paraqitën njohuri ekskluzive dhe studime rastesh nga politikëbërës, përfaqësues të teknologjisë mjekësore, akademikë, organizata që punojnë për të arritur potencialin maksimal të IA-së në shëndetësi.