Inteligjenca Artificiale në media: Sfida dhe dilema etike për gazetarët në Shqipëri - Gazeta Express
string(82) "inteligjenca-artificiale-ne-media-sfida-dhe-dilema-etike-per-gazetaret-ne-shqiperi"

Shqiperi

Gazeta Express

11/07/2025 17:41

Inteligjenca Artificiale në media: Sfida dhe dilema etike për gazetarët në Shqipëri

Shqiperi

Gazeta Express

11/07/2025 17:41

Nga Erlis Çela

Vitet e fundit, gazetaria ka hyrë në një fazë transformimi të pandalshëm, që nxitet më së shumti nga zhvillimi i inteligjencës artificiale (IA) dhe teknologjive të tjera të ngjashme. Përdorimi i modeleve si ChatGPT, Bard, DALL-E dhe Midjourney, ka krijuar mundësi për automatizimin e përmbajtjes, rritjen e efikasitetit dhe inovacionit në prodhimin e lajmeve. Në të njëjtën kohë, përdorimi i AI ka sjellë një sërë sfidash dhe dilemash etike që kanë të bëjnë me saktësinë, transparencën, pavarësinë redaksionale dhe ruajtjen e integritetit gazetaresk[1]. Sfida këto që kërkojnë një diskutim serioz me përfshirjen e aktorëve të medias, shoqërisë civile dhe botës akademike. Duke ndjekur ritmin e shpejtë të zhvillimeve teknologjike dhe përfshiren e tyre në media dhe gazetari, studiues të shumtë dhe profesionistë të medias, në vende të zhvilluara kanë nisur tashmë një diskutim sa akademik aq dhe professional për dilemat dhe sfidat etike. 

Studime të ndryshme tregojnë se përdorimi i IA në media është një realitet tashmë. Shumë redaksi lajmesh kanë filluar të përdorin mjetet që mbështeten nga IA për përmbledhje lajmesh, krijim të imazheve vizuale, përkthime automatike dhe asistencë në redaktim. Këto dhe shumë përdorime të tjera në rutinën e përditshme gazetareske duket se kanë lehtësuar ngarkesën e punës së gazetarëve dhe kanë përshpejtuar procesin e publikimit të informacionit. Studimet tregojnë gjithashtu se gazetarët e shohin IA si një mundësi për të përmirësuar efikasitetin, por shprehin shqetësime për rreziqet që lidhen me gabimet faktike, paragjykimet algoritmike dhe humbjen e kontaktit njerëzor në krijimin e përmbajtjes.

Në Shqipëri, ku mjedisi mediatik karakterizohet nga burime të kufizuara, presione ekonomike, probleme të përqendrimit të pronësisë dhe nivele të ulëta të edukimit mediatik të publikut, përfshirja e inteligjencës artificiale në prodhimin dhe shpërndarjen e informacionit paraqet sfida të veçanta që kërkojnë reflektim të kujdesshëm dhe politika të qëndrueshme.

Dilemat etike

Nëse i referohemi historisë së zhvillimit të medias dhe profesionit të gazetarisë, shohim që çdo valë e re e zhvillimit teknologjik është shoqëruar me dilema etike. Për rrjedhojë mund të thuhet se diskutimi apo vëmendja e shtuar mbi dilemat etike që sjell integrimi i inteligjencës artificiale në media, është një proces i natyrshëm dhe i domosdoshëm. Hulumtimet e bëra për përfshirjne e IA në proceset e përditshme të gazetarisë, kanë zbuluar se njohuritë dhe të kuptuarit që gazetarët dhe profesionistët e medias për mënyrën se si inteligjenca artificiale bashkëvepron me gazetarinë e përditshme ndryshojnë në varësi të zakonit ose rolit të një individi brenda redaksisë. Nisur nga ky përtfundim mund të thuhet se shkalla e përjetimit të dilemave etike për përfshirjen e IA në media, ndjek të njëjtën logjikë.

Në përgjithësi gazetarët besojnë se gjatë praktikës së punës ata i marrin të mirëqëna disa vlera dhe norma profesionale. Kjo shpjegohet më mirë me konceptin “doxa” të sociologut Pierre Bourdieu. Sipas përkufizimit të tij, “doxa” nënkupton një grup bindjesh, vlerash dhe praktikash të marra si të mirëqena nga gazetarët brenda fushës profesionale. Në gazetari, doxa nënkupton rregullat e pashkruara dhe bindjet e përbashkëta që udhëheqin mënyrën e punës së gazetarëve. Ato përfshijnë idenë se raportimi duhet të jetë objektiv, i paanshëm dhe i balancuar, si dhe mënyrat praktike të veprimit që merren si të vetëkuptueshme brenda redaksive. Rreth këtyre vlerave nuk ndodh shpesh që të reflektohet apo diskutohet pasi ato konsiderohen si “rruga e zakonshme dhe normale se si funksionon gazetaria”. Këto vlera, bindje, dhe praktika rrallëherë vihen në dyshim dhe formësojnë perceptimin e asaj që konsiderohet si “normale” apo “e natyrshme” në gazetari[2].

Gazetarët shpesh besojnë se ndjekin të njëjtat standarde etike që burojnë nga “doxa gazetareske” kur ndërveprojnë me inteligjencën artificiale. Megjithatë studimet kanë zbuluar se ekziston  një vakum mes perceptimit të gazetarëve dhe realitetit ku nevoja për protokolle dhe kode të shkruara për etikën në lidhje me IA janë të domosdoshme.

Një studim i bërë nga studiuesit Angela Misri, Nicole Blanchett dhe April Lindgren mbi dilemat etike të gazetarëve në Kanada, në raport me përfshirjen e inteligjencës artificiale në profesionin e tyre, doli në përfundimin se gazetarët nuk bien dakord nëse është i nevojshëm një transformim për të zhvilluar norma etike të reja të cilat janë më gjithëpërfshirëse, apo nëse standardet ekzistuese janë të mjaftueshme. Sipas autorëve mungesa e konsensusit e bën të paqartë se si IA do të ndikojë në etikën e gazetarisë. [3]

Një tjetër studim i kryer nga studiuesit Kim Björn Becker, Felix M. Simon dhe Christopher Crum, publikuar këtë vit në revistën shkencore “Digital Journalism” analizoi 52 manuale për përdorimin e IA në 12 vende të ndryshme të Europës dhe Amerikës Veriore. Autorët dolën në përfundimin se shumica e udhëzimeve të marra në analizë i përmendin vlerat bazë të gazetarisë si “interesi publik”, objektiviteti, autonomia, menjeherësia dhe etika. Nga këto udhëzime, vetëm 45 e specifikojnë qartë ku lejohet përdorimi i inteligjencës artificiale, ndërsa 35 të tjera e përmendin qartë se ku nuk lejohet përdorimi.

Në 36 raste, udhëzimet përmendin gjithashtu rreziqet potenciale që sjell përdorimi i inteligjencës artificiale në gazetarët. Studimi ka identifikuara tre rreziqet potenciale të IA më të përmendura në udhëzimet mbi IA. Në vend të parë janë ato që referohen si “haluçinacionet” e inteligjencës artificiale. Kjo ka të bëjë me rastet kur aplikacionet e mbeshtetura në IA shpikin fakte që nuk ekzistojnë. Studimi identifikoi një udhëzim që specifikonte se organizata e medias ndjek një “qasje kritike ndaj burimeve në materialet e gjeneruara nga IA” për të adresuar këtë problem.

Rreziku i dytë ka të bëjë me “paragjykimet e modeleve të inteligjencës artificiale”. Kjo i referohet prirjes se aplikacioneve të IA për të riprodhuar paragjykimet ekzistuese në shoqëri. Ndërkohë që rreziku i tretë ka të bëjë me çështjet e të drejtave të autorit dhe pronësisë intelektuale. Udhëzimet e analizuara përmendin faktin se përmbajtjet e gjeneruara nga IA mund të shkelin kushtet e licencimit, të kopjojnë materiale ekzistuese dhe të cenojnë të drejtat e pronësisë intelektuale[4].

Një nga dilemat më të mëdha është transparenca në përdorimin e IA. Shumë media ndërkombëtare nuk e deklarojnë hapur kur një tekst ose një ilustrim vizual është krijuar nga IA, duke rrezikuar besueshmërinë e publikut. Një studim i realizuar nga studiuesit T. J. Thomson, Ryan J. Thomas dhe Phoebe Matich, mori në shqyrtim përdorimin e aplikacioneve të IA për gjenerimin e imazheve nga gazetarët dhe redaktorët e medias në shtatë vende. Autorët dolën në përundimin se transparenca ishte parimi më i përmendur nga stafi në dy të tretat e mediave, të cilat nuk kishin politika zyrtare për përdirmin e inteligjencës artificiale[5]. Ndërkohë një tjetër studim që mori në analizë 37 udhëzimeve për përdorimin e IA në media nga 17 vende të ndryshme doli në përfundimin se transparenca shihet si themeli mbi të cilin mund të ndërtohet një përdorim i përgjegjshëm i inteligjencës artificiale. Sipas autorëve të këtij studimi udhëzimet rekomandojnë që mediat të shënojnë qartë kur një përmbajtje është krijuar ose modifikuar nga inteligjenca artificiale. Në këtë mënyrë audienca ka mundësi të kuptojë nëse burimi i informacion që po merr është IA ose jo[6].

Kjo transparencë lidhet drejtpërdrejt me nevojën për mbikëqyrje njerëzore, pasi në mungesë të saj, vendimmarrja për publikimin e një materiali mund të bjerë mbi algoritmat, të cilat nuk kanë ndjeshmëri etike apo sens gazetaresk. Gjithashtu, rëndësia e shpjegueshmërisë së modeleve të IA për gazetarët dhe publikun theksohet si një element kritik për të shmangur një marrëdhënie të paqartë mes teknologjisë dhe audiencës, duke mos lejuar që procesi i krijimit të përmbajtjes të mbetet një proces i errët dhe i pakontrolluar.

Në Shqipëri, kjo mungesë transparence mund të ketë pasoja më të rënda, duke pasur parasysh besueshmërinë e brishtë të publikut ndaj mediave. Nëse redaksitë nuk tregojnë hapur kur përdorin IA në krijimin e lajmeve apo imazheve, kjo mund të krijojë konfuzion dhe të dëmtojë lidhjen e besimit që duhet të ekzistojë mes medias dhe qytetarëve.

Një tjetër sfidë e madhe që evidenton analiza e de-Lima-Santos është ruajtja e autonomisë redaksionale në një kohë kur teknologjitë e IA ofrohen kryesisht nga platforma të mëdha ndërkombëtare si Google, OpenAI apo Meta. Këto platforma jo vetëm që ofrojnë infrastrukturën teknologjike për përdorimin e IA, por njëkohësisht ushtrojnë ndikim në mënyrë të tërthortë te prioritetet editoriale dhe mënyrën se si shpërndahen lajmet.

Në vendet si Shqipëria reziku që media të bëhet e varur nga këto platforma, për shumë arsye është dukshëm më i madh se në vendet e zhvilluara. Kjo varësi mund të ndikojë në mënyrën se si redaksitë vendosin temat prioritare për raportim, mënyrën se si titullohen apo strukturohen lajmet dhe si shpërndahen ato në rrjetet sociale. Kjo çon në kufizim të pavarësisë editoriale dhe ndikon negativisht pluralizimin informativ. Frika më e madhe në këtë rast është se teknologjia që në dukje mund të shërbejë për të lehtësuar punën e gazetarëve, mund të shndërrohet në një mekanizëm, që gradualisht imponon logjikat e korporatave teknologjike në ekosistemin informativ.

Nga ana tjetër inteligjenca artificiale mund të amplifikojë paragjykimet ekzistuese, duke rrezikuar të cenojë objektivitetin dhe saktësinë e raportimeve. Në shumë raste, zhvillimi dhe implementimi i praktikave të bazuara në IA bëhet nga persona teknikisht të aftë, por me mungesë përvoje editoriale dhe pa një lloj ndjeshmërie ndaj etikës gazetareske. Kjo e rrit rrezikun e marrjes së vendimeve që mund të komprometojnë standardet profesionale. Etika shpesh mbështetet tek “instinkti gazetaresk” ose tek praktikat e brendshme të pashkruara, të cilat nuk mund të përballojnë kompleksitetin dhe sfidat që sjell përdorimi i IA në një mjedis redaksional të shpejtë dhe të ngarkuar. Ekziston rreziku që përdorimi i IA të cënojë standardet ekzistuese të etikës gazetareske, duke krijuar një “zonë gri” në praktikë, ku vendimet editoriale merren pa reflektim të plotë etik ose pa diskutim institucional mbi pasojat që mund të kenë për raportimin objektiv, privatësinë e qytetarëve dhe llogaridhënien publike.

Rasti i RTVE

Transmetuesi publik spanjoll RTVE është një shembull konkret i mënyrës se si një media publike mund të integrojë inteligjencën artificiale në redaksi duke ruajtur standardet etike dhe kontrollin editorial. Një studim i autorëve Teresa Barceló-Ugarte, José Manuel Pérez-Tornero dhe Pere Vila-Fumàs, me titull “Ethical Challenges in Incorporating Artificial Intelligence into Newsrooms” merr në analizë RTVE si një rast studimor[7]. Autorët e studimit theksiojnë se RTVE, në vend që ta trajtojë IA si një zëvendësim të gazetarit profesionist, e përdor atë si një mjet për të lehtësuar punën, menaxhuar fluksin e madh të informacionit dhe për të rritur efikasitetin, pa kompromentuar cilësinë dhe vlerat profesionale. Sipas anlizës në këtë studim, vihet re se RTVE e ka ndarë procesin gazetaresk në gjashtë faza; që nga momenti i zbulimit të lajmit, mbledhja e informacionit, shkrimi dhe publikimi, e deri te arkivimi dhe analiza e audiencës. Për secilën nga këto faza është identifikuar mënyra se si mund të përdoret IA  dhe cilat sfida etike duhen marrë parasysh.

Në fazën e zbulimit të lajmit, televizioni publik spanjoll e përdor IA për të monitoruar rrjetet sociale, burimet online dhe bazat e të dhënave për të identifikuar ngjarje që mund të jenë me interes publik. Kjo i lejon të përshpejtimin e procesit për identifikimin e lajmeve të reja.  Megjithatë RTVE ka përcaktuar se gazetarët mbeten përgjegjës për të vendosur nëse një sinjal i identifikuar nga IA është i rëndësishëm dhe i vlefshëm për raportim. Kjo bën që të shmanget mbështetja vetëm tek algoritmet, gjë që mund të çojë në prioritizimin vetëm temave virale, të cilat nuk janë domosdoshmërisht më të rëndësishme.

Ndëkrohë përsa i përket fazës së mbledhjes të informacionit, inteligjenca artificiale ndihmon në transkriptimin automatik të intervistave, kategorizimin e të dhënave dhe filtrimin e informacionit nga burime të shumta. Kjo bën që gazetarët të kursejnë kohë të vlefshme. Ashtu si në fazën e zbulimit të lajmit, edhe këtu, kontrolli njerëzor është thelbësor për të vlerësuar saktësinë e transkripteve, duke marrë parasysh kontekstin kulturor dhe etik.

Ndërsa në fazën e shkrimit të lajmit, RTVE e përdorin inteligjencën artificiale për të krijuar përmbledhje automatike për lajme rutinë siç janë njoftimet rreth ngjarjeve ekonomike ose sportive. Në studim thuhet se RTVE sigurohet që asnjë tekst të mos publikohet pa u kontrolluar dhe modifikuar nga gazetarët. Duke u kujdesur për këtë aspekt bëhet i mundur ruajtja e stilit, kontekstit dhe nuancave që kërkon raportimi profesional.

RTVE e përdor IA në fazën e publikimit si një mjet ndihmues për planifikimin e shpërndarjes së përmbajtjes në platforma të ndryshme, duke synuar që të arrijë mbulimin e këtegorive të ndryshme të audiencës. Ndërkohë që sa i përket fazës së arkivimit inteligjencia artificiale përdoret për të kategorizuar dhe etiketuar përmbajtjet. Qëllimi në këtë rast është aksesimi më i lehtë i lajmeve në të ardhmen.

Në faza e fundit që ka të bëjë me analizën e audiencës RTVE e përdor inteligjencën artificiale për të gjurmuar mënyrën se si publiku ndërvepron me përmbajtjet, preferencat e lexuesve dhe tendencat e konsumit të informacionit. Studimi thekson se RTVE i përdor këto të dhëna jo për të ndikuar në përmbajtjen editoriale, por për të kuptuar më mirë nevojat e audiencës, duke ruajtur balancën midis interesit të publikut dhe standardeve editoriale.

Në të gjitha këto faza, RTVE mban parasysh tre parime etike kryesore; ruajtjen e kontrollit njerëzor mbi vendimet editoriale, sigurimin e transparencës ndaj publikut dhe mbrojtjen e diversitetit dhe barazisë në përzgjedhjen dhe shpërndarjen e lajmeve.

Përfundime

Ashtu siç vihet re dhe nga studimet e shumta që analizojnë sfidat dhe dilemat etike të përfshirjes së inteligjencës artificiale në media, praktikat ndërkombëtare tregojnë se udhëzimet për përdorimin e IA nuk janë thjesht rregulla teknike. Ato shërbejnë si mjete për të mbrojtur gazetarinë si një e mirë publike dhe ruajtur funksionet e medias në një shoqëri demokratike. Qëllimi kryesor i kodeve, udhëzimeve dhe politikave të zhvilluar në këtë drejtim është përdorimi i inteligjencës artificiale si mjet që forcimin e raportimit professional gazetaresk, duke garantuar saktësinë, transparencën standardet etike.

Nisur nga praktikat ndërkombëtare është e rëndësishme që përdorimi i inteligjencës artificiale në gazetarinë shqiptare të bazohet mbi një qasje të kujdesshme dhe të qëndrueshme që ruan parimet themelore të gazetarisë. Rasti i televizionit publik spanjoll mund të shërbejë si një model në këtë drejtim. Megjithatë procesi në kontekstin shqiptar duhet të marrë parësysh sfidat dhe dilemat specifike që ka hapësira mediatike shqiptare. Sfida këto që mund të adresohen duket gërshetuar një sërë elementësh.

Këto element mund të përfshijnë krijimin i udhëzimeve të brendshme për përdorimin e IA në çdo redaksi, trajnimin i gazetarëve në përdorimin etik të IA, kontrollin e fakteve dhe analizën e të dhënave, garantimi i transparencës ndaj publikut, ndërveprimi me universitetet dhe organizatat ndërkombëtare për të përfituar nga praktikat më të mira dhe për të ndërtuar kapacitete të reja dhe krijimi i një platforme kombëtare për shkëmbimin e praktikave dhe eksperiencave mbi përdorimin e IA në gazetari./institutemedia.org