Integrimi në BE, Rama: Transferimi i njohurive dhe teknologjia, dy aleatët e Shqipërisë - Gazeta Express
string(84) "integrimi-ne-be-rama-transferimi-i-njohurive-dhe-teknologjia-dy-aleatet-e-shqiperise"

Shqiperi

Gazeta Express

10/09/2025 14:16

Integrimi në BE, Rama: Transferimi i njohurive dhe teknologjia, dy aleatët e Shqipërisë

Shqiperi

Gazeta Express

10/09/2025 14:16

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot, më 10 shtator, në Konferencën Ndërkombëtare për Qeverisje ku u diskutua për perspektivën e Shqipërisë në procesin e integrimit. Kreu i qeverisë tha para të ftuarve se vendi ynë ka dy aleatë shumë të mirë që i kanë ardhur me kohën.

“Këto janë dy aleatët tonë shumë të mirë që na ka dhënë koha: Pjesa e transferimit të njohurisë për pjesën e integrimit në BE dhe teknologjia”, tha Rama.

Sipas Ramës, procesi i integrimit është bekim nga ana teknike pasi transferohen njohuritë mbi ndërtimin e institucioneve.

“Kur nuk ke institucione është një bekim. Prandaj si Shqipëria ka për të ndërtuar institucione nëse nuk e bën nëpërmjet këtij kanali dhe nëpërmjet këtij procesi neurologjik, nëpërmjet këtyre pragjeve, kritereve, standardeve dhe të gjithë gjërave të cilat duken të çmendura? Dhe në fakt janë të çmendura. Por në fund është një kurbë mësimi”, tha Rama.

Sa i përket teknologjisë, ai tha se Shqipërinë e ka ndihmuar që të bëjë hapa të pamundura. Si shembull mori e-Albania-n që u ka dhënë qytetarëve milionë shërbime, apo edhe modeli i cili po përdoret për negociatat.

“Do ishte e pamundur pa teknologjinë”, tha ai.

Një tjetër shembull ishte ai i prokurimeve publike, që sipas Ramës, mund të jetë modeli që Shqipëria mund t’ua eksportojë vendeve të tjera nëse e realizon me sukses.   

“Ne kemi bërë progres të konsiderueshëm dhe synojmë të kemi modelin e parë në Europë të prokurimeve publike nëpërmjet inteligjencës artificiale, e cila do të jetë komplet me inteligjencë artificiale nga A te ZH”, tha ai.

Sipas Ramës, procesi për anëtarësim është po aq i rëndësishëm sa rezultati përfundimtar.

“Udhëtimi është ai që kemi nevojë, sepse nëse ne bëhemi një vend që vepron nga ana institucionale si një vend anëtar i BE-së kjo do ishte trashëgimia më e madhe që mund t’i japim fëmijëve tanë, për t’u rritur dhe jetuar në një shtet ku institucionet funksionojnë”, tha ai.