Shqipëria ka hedhur një hap të rëndësishëm përpara në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Këshilli i BE-së miratoi dje qëndrimin e përbashkët për çeljen e negociatave me vendin tonë për 8 kapituj të rinj të Grupimit 3, të fokusuar në Konkurrueshmërinë dhe Rritjen Gjithëpërfshirëse.
Ky zhvillim i hap rrugën Konferencës së Pestë Ndërqeveritare, e cila do të mbahet më 22 maj 2025 në Bruksel. Grupimi i tretë përfshin fusha kyçe si digjitalizimi, tatimet, politika ekonomike, sociale dhe industriale, kërkimi shkencor, arsimi dhe kultura, duke qenë vendimtare për modernizimin dhe rritjen e qëndrueshme të Shqipërisë.
Kapitujt e përfshirë janë:
Kapitulli 10 – Transformimi Digjital dhe Media
Kapitulli 16 – Tatimet
Kapitulli 17 – Politika Ekonomike dhe Monetare
Kapitulli 19 – Politika Sociale dhe Punësimi
Kapitulli 20 – Ndërmarrjet dhe Politika Industriale
Kapitulli 25 – Shkenca dhe Kërkimi
Kapitulli 26 – Arsimi dhe Kultura
Kapitulli 29 – Bashkimi Doganor
Në një reagim në rubrikën e tij të zakonshme “Sy m’Sy”, e cila këtë herë erdhi nga makina ndërsa udhëtonte drejt Kuçit të Vlorës, kryeministri Edi Rama komentoi çeljen e një tjetër grup-kapitulli në negociatat me Bashkimin Evropian, duke theksuar ritmin e përshpejtuar të këtij procesi.
“Dje kur po shkojë për në Fier, që meqë ra fjala ishte flakë, mora lajmin që grup-kapitulli tjetër i negociatave u aprovua për t’u hapur. Kemi hapur 16, hapim dhe 8 të tjerë, që bëjnë 24. Mbeten dhe 11. Kam besim dhe shpresoj e uroj që me fuqinë e re të 11 Majit, do t’i hapim edhe ato 11 në tryezën e negociatave brenda vitit”, tha Rama gjatë komunikimit me ndjekësit.
Ai e cilësoi këtë ecuri si një potencial për rekord në historinë e zgjerimit të BE-së.
“Ky do të ishte rekord europian, sepse asnjë vend s’i ka hapur grup-kapitujt në 1 vit dhe nuk është anëtarësuar për 3 vjet. Fati europian është në duart tona!”
Deri tani janë hapur 27 fusha negociuese në vetëm 8 muaj, përfshirë Grupimin 1 (Themeloret), Grupimin 6 (Marrëdhëniet me Jashtë) dhe Grupimin 2 (Tregu i Brendshëm). Ky ritëm përshpejtuar i negociatave pasqyron angazhimin e Shqipërisë për reforma dhe fokusin e ri të BE-së për zgjerimin si një prioritet strategjik.