Insajderi: Mësuesja e arrestuar në Pejë ishte e përfshirë në incidentin ku fëmijët e komuniteteve pakicë u ndanë nga festa e abetares - Gazeta Express
string(132) "insajderi-mesuesja-e-arrestuar-ne-peje-ishte-e-perfshire-ne-incidentin-ku-femijet-e-komuniteteve-pakice-u-ndane-nga-festa-e-abetares"

Insajderi: Mësuesja e arrestuar në Pejë ishte e përfshirë në incidentin ku fëmijët e komuniteteve pakicë u ndanë nga festa e abetares

Lajme

Gazeta Express

17/09/2024 14:36

Në maj të vitit 2022, jo të gjithë nxënësit e festuan njëjtë festën e abetares në Karagaq të Pejës. Në vend se të ishin pranë shokëve të tyre për të kremtuar, 10 nxënës të komunitetit RAE ishin ndarë duke u ulur në ulëset e tifozëve. Mësuesja që i kishte ndarë fëmijët e komuniteteve pakicë ishte po Gjylfidane Morina.

Gjylfidane Morina, sot, është arrestuar nën dyshimin për mashtrim. Këtë për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënësi i prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikqi.

Lexo Edhe:

“Prokurori i shtetit ka urdhëruar ndalimin 48 orë për të dyshuarin, – mësimdhënëse”, ka thënë ai për Insajderin

Mediumi merr vesh se e dyshuara ka mashtruar dhjetra persona, në lidhje me dokumentet për aplikim për subvencionin për bujqësi.

Burimet e Insajderit bëjnë me dije se ajo ka pasur mbi 300 mijë euro qarkullim në xhirollogarinë e saj bankare. E dyshuara është mësimdhënëse në shkollën Xhemajl Kada.

Kujtojmë se lidhur me këtë incident, në vitin 2022 kishte pasur reagime të shumta.

Ish deputeti, Veton Berisha kishte publikuar një kronike nga Festa e Abetares në Pejë, ku shihej se një grup nxënësish të komunitetit Rom, Ashkalinj, Egjiptianë, ishin veçuar nga ceremonia e përfundimit të klasës së parë dhe shokët e klasës.

“Një mësuese e shkollës fillore “Xhemajl Kada” në Pejë e quajtur Gjylfidane Morina duke iu bërë nder fëmijëve të këtyre komuniteteve i vendos në një vend krejt të veçantë prej nxënësve Shqiptarë dhe larg nga aktiviteti që po zhvillohej, me arsyetimin se këtë po e dëshirojnë fëmijët ndërsa fëmijët e konfirmonin të kundërtën”, kishte shkruar Berisha.

Poashtu, Ministrja Nagavci ishte shprehur e shqetësuar duke thënë se këtë problem do ta trajtojë me prioritet.

“Si ministre e MASHTI shpreh shqetësimin e thellë për rastin e raportuar në medie si diskriminues për pjesëmarrjen e nxënësve nga komunitetet, rom, ashkalinj dhe egjiptas në aktivitetin e sotëm të Festës së Abetares në Pejë!”, kishte shkruar ajo në Facebook.

Sipas saj, “parimi i mosdiskriminimit është pjesë e politikave dhe veprimeve tona në vazhdimësi, prandaj duhet respektuar dhe zbatuar në të gjitha nivelet”.

Lidhur me rastin pati reaguar edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi. Krasniqi ka dënuar ashpër këtë gjest dhe ka kërkuar nga institucionet që të thirren në përgjegjësi personat përgjegjës.