Injeksioni për dobësim tani në formë pilule: Tableta Wegovy miratohet pas rezultateve mbresëlënëse në prova klinike - Gazeta Express
string(114) "injeksioni-per-dobesim-tani-ne-forme-pilule-tableta-wegovy-miratohet-pas-rezultateve-mbreselenese-ne-prova-klinike"

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

23/12/2025 19:49

Injeksioni për dobësim tani në formë pilule: Tableta Wegovy miratohet pas rezultateve mbresëlënëse në prova klinike

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

23/12/2025 19:49

Një version në formë pilule i ilaçit shumë të njohur për dobësim Wegovy ka marrë dritën jeshile nga autoritetet shëndetësore amerikane, ndërsa pritet që tableta ditore të dalë në tregun amerikan në muajin janar.

Ky miratim shënon herën e parë që një ilaç oral autorizohet posaçërisht për trajtimin e obezitetit, duke ofruar një alternativë ndaj injeksioneve që kanë revolucionarizuar trajtimin e humbjes së peshës vitet e fundit.

Prodhuesi i saj, gjiganti farmaceutik danez Novo Nordisk, konfirmoi se po punon për ta sjellë pilulën edhe në Mbretërinë e Bashkuar, me një aplikim rregullator të planifikuar për vitin 2026.

“Sa i përket Britanisë së Madhe, po përgatitemi për paraqitjen e kërkesës për Wegovy në formë pilule në vitin 2026,” tha një zëdhënës i Novo Nordisk UK, duke shtuar se për momentin nuk ka detaje të tjera për afatet kohore.

Vendimi në SHBA u mor nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA), pas provave të gjera klinike që treguan se pilula Wegovy, e marrë një herë në ditë, është po aq efektive sa versioni me injeksion.

Tableta përmban 25 mg semaglutid, të njëjtin përbërës aktiv që përdoret në Wegovy me injeksion dhe në ilaçin për diabet Ozempic.

Ndërsa Ozempic është i licencuar për trajtimin e diabetit të tipit 2 dhe shpesh përdoret “off-label” për dobësim, Wegovy është zhvilluar dhe miratuar specifikisht për obezitetin.

Në prova klinike me rreth 1,300 pjesëmarrës, personat që morën pilulën Wegovy humbën mesatarisht 16.6 për qind të peshës trupore pas pak më shumë se një viti, sipas të dhënave të Novo Nordisk.

Rreth një e treta e pjesëmarrësve humbën 20 për qind ose më shumë të peshës së tyre.

“Pacientët do të kenë një pilulë të përshtatshme, që merret një herë në ditë dhe që mund të ndihmojë në humbjen e po aq peshës sa injeksioni origjinal Wegovy,” tha Mike Doustdar, shefi ekzekutiv i Novo Nordisk.

Ilaçet për dobësim të tipit GLP-1, si Wegovy dhe Zepbound i kompanisë Eli Lilly, kanë nxitur një bum global në trajtimin e obezitetit, veçanërisht në SHBA, ku vlerësohet se rreth 100 milionë persona jetojnë me obezitet.

Këto barna funksionojnë duke imituar një hormon natyral të zorrëve, i cili ul oreksin dhe rrit ndjesinë e ngopjes.

Megjithatë, përdorimi i tyre është kufizuar nga çmimet e larta, mungesat në furnizim dhe nevoja për injeksione të rregullta.

Ekspertët besojnë se versionet në formë pilule mund të rrisin ndjeshëm përdorimin, pasi janë më të lehta për t’u marrë dhe potencialisht më të lira për t’u prodhuar, edhe pse çmimi ende nuk është bërë publik.

Ky zhvillim i jep gjithashtu një avantazh Novo Nordisk ndaj rivalit Eli Lilly, i cili po zhvillon pilulën e vet ditore kundër obezitetit, orforglipron, që aktualisht ndodhet ende në proces shqyrtimi rregullator.

Zgjerim i përdorimit edhe për fëmijët në Europë

Miratimi vjen në një kohë kur edhe autoriteti europian i barnave ka lëvizur për të zgjeruar aksesin në injeksione të fuqishme për dobësim tek fëmijët.

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) ka rekomanduar që injeksioni Mounjaro të mund të përshkruhet për fëmijë që nga mosha 10 vjeç me diabet të tipit 2 – një sëmundje që rrit rrezikun për sëmundje të zemrës, dështim të veshkave dhe goditje në tru.

Deri më tani, opsionet e trajtimit për pacientët e rinj kanë qenë kryesisht të kufizuara në metforminë dhe insulinë.

Mounjaro, i njohur edhe si tirzepatide, është tashmë i miratuar për të rriturit për humbje peshe dhe diabet të tipit 2 të pakontrolluar. Ai vepron duke imituar hormone që rregullojnë oreksin dhe nivelin e sheqerit në gjak.

Në një provë klinike të fazës së avancuar, të publikuar në revistën The Lancet, fëmijët e moshës 10–17 vjeç që morën këtë ilaç jo vetëm përmirësuan kontrollin e sheqerit në gjak, por edhe humbën ndjeshëm në peshë. Ata që morën dozën më të lartë humbën mesatarisht 11.2 për qind të masës trupore brenda 30 javësh. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement