Dietologë të njohur paralajmërojnë se personat që përdorin injeksione për humbje peshe të tipit GLP-1 mund të rrezikojnë mungesë serioze të vitaminës C, deri në zhvillimin e skorbutit – një sëmundje që historikisht lidhej me marinarët e shekujve të kaluar.
Skorbuti shkaktohet nga mungesa e vitaminës C dhe dikur ishte i përhapur tek marinarët që kalonin muaj të tërë në det pa fruta dhe perime të freskëta. Sot, megjithëse konsiderohej pothuajse i zhdukur në Britani gjatë shekullit XX, rastet janë rritur me rreth 25 për qind që nga viti 2007, kryesisht për shkak të dietave të varfra dhe kequshqyerjes.
Pse lidhet me “fat jabs”?
Ilaçet për dobësim si Wegovy, Mounjaro apo të ngjashme veprojnë duke ulur ndjeshëm oreksin. Kjo i ndihmon pacientët të humbin peshë dhe të menaxhojnë diabetin, por njëkohësisht mund të çojë në konsum shumë të kufizuar ushqimi dhe mungesë të lëndëve ushqyese thelbësore.
Një rishikim i studimeve ekzistuese, i udhëhequr nga profesorja australiane Clare Collins, vuri në dukje se shumë prova klinike për këto barna nuk kanë monitoruar mjaftueshëm dietën dhe marrjen e ushqimit gjatë trajtimit. Si pasojë, disa pacientë kanë përfunduar funksionalisht të kequshqyer, duke zhvilluar mungesa të rënda vitaminash, përfshirë vitaminën C.
“A rënia në peshë nuk do të thotë automatikisht se një person është i ushqyer mirë apo i shëndetshëm,” thekson Collins, duke shtuar se ushqyerja shpesh është lënë në hije në vlerësimin e këtyre terapive.
Rasti i Robbie Williams
Një nga rastet më të njohura është ai i këngëtarit Robbie Williams, i cili zbuloi se ishte diagnostikuar me skorbut pasi kishte reduktuar ndjeshëm ushqimin gjatë përdorimit të një medikamenti për humbje peshe. Ai pranoi se kishte ndaluar së ngrëni normalisht dhe kishte përfunduar me mungesë të theksuar të vitaminës C.
Simptomat dhe rreziqet
Vitamina C është thelbësore për prodhimin e kolagjenit, që mban të shëndetshme lëkurën, kockat, ligamentet, enët e gjakut dhe muskujt. Pa të, trupi nuk shërohet siç duhet.

Simptomat tipike të skorbutit përfshijnë:
lodhje dhe dobësi,
dhimbje të forta në kyçe ose këmbë,
mishra të fryrë dhe që rrjedhin gjak,
mavijosje të lehta,
anemi,
lëkurë të thatë dhe flokë të brishtë.
Në raste të rënda, sëmundja mund të jetë kërcënuese për jetën.
Një problem më i gjerë
Të dhënat tregojnë se midis fillimit të vitit 2024 dhe fillimit të 2025-s, rreth 1.6 milionë të rritur në Angli, Uells dhe Skoci përdorën barna për dobësim. Paralelisht, në vitin 2022 u regjistruan mbi 800 mijë shtrime në spitale në Angli dhe Uells për gjendje të lidhura me ushqyerjen e dobët, përfshirë skorbutin dhe rakitin (mungesë e vitaminës D).
Ekspertët lidhin rikthimin e këtyre sëmundjeve “viktoriane” me rritjen e kostos së jetesës, dietat e varfra me pak fruta e perime dhe rënien e vëmendjes ndaj shëndetit publik.
Si parandalohet?
Vitamina C gjendet në agrume, luleshtrydhe, speca të kuq dhe djegës, domate, brokoli dhe patate. Autoritetet shëndetësore rekomandojnë konsum të rregullt frutash dhe perimesh të freskëta si pjesë e një diete të balancuar.
Ekspertët theksojnë se personat që përdorin barna për humbje peshe duhet të monitorohen nga mjeku jo vetëm për peshën, por edhe për statusin ushqyes, për të shmangur pasoja serioze nga mungesat vitaminike. /GazetaExpress/