Injeksionet për humbje peshe mund të ndihmojnë në ngadalësimin e përhapjes së disa llojeve të kancerit dhe të përmirësojnë mbijetesën e pacientëve, sipas një studimi të ri premtues.
Studiuesit e Cleveland Clinic në SHBA zbuluan se pacientët që nisën përdorimin e këtyre barnave pas diagnostikimit me kancer kishin më pak gjasa që sëmundja të përparonte në faza më të avancuara.
Efekti u vu re më së shumti te pacientët me kancer të mushkërive dhe të mëlçisë, ndërsa rezultate pozitive u raportuan edhe te kanceri i gjirit dhe ai i zorrës së trashë. Barnat e njohura si GLP-1, ku përfshihen Ozempic, Wegovy dhe Mounjaro, mund të kenë efekt mbrojtës edhe ndaj disa llojeve të tjera të kancerit, përfshirë atë të prostatës, veshkave dhe pankreasit.
Studimi përfshiu mbi 12 mijë pacientë në fazat e hershme të kancerit, të cilët përdornin ose injeksione për humbje peshe, ose barna të tjera për diabetin. Rezultatet treguan se pacientët me kancer të mushkërive, gjirit, zorrës së trashë dhe mëlçisë që përdornin GLP-1 kishin 38 deri në 50 për qind më pak gjasa që sëmundja të kalonte në fazën e katërt, krahasuar me ata që merrnin barna të tjera.
Shkencëtarët ende nuk e kanë përcaktuar mekanizmin e saktë të këtij efekti, por mendojnë se barnat mund të ulin inflamacionin dhe yndyrën rreth tumoreve, të cilat mund të ndihmojnë qelizat kancerogjene të rriten dhe të përhapen.
Megjithatë, ekspertët kërkojnë studime më të mëdha për të konfirmuar këto rezultate. Pacientët me kancer paralajmërohen të mos përdorin injeksione për dobësim pa këshillën e mjekëve specialistë, pasi këto barna mund të ndikojnë në mënyrën se si trupi përthith medikamente të tjera dhe të ulin efektin e tyre. /GazetaExpress/