Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka zbuluar se interesi global për Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada, është larg më i larti në historinë e futbollit.
Ai tha se në vetëm katër javë FIFA i ka regjistruar 508 milionë kërkesa për bileta, për rreth 7 milionë bileta sa janë në dispozicion, një numër që ai e përshkroi si të pabesueshëm.
Infantino i bëri këto komente gjatë një interviste për “CNBC” nga rezidenca e ish-presidentit Donald Trump në Mar-a-Lago, ku shpjegoi se kjo masë e kërkesës është shumë më e lartë se çdo Botëror tjetër deri më sot, përcjell “Gazeta Express”.
“Ne kurrë më parë nuk kemi parë diçka të tillë, është e pabesueshme,” tha ai, duke theksuar se kërkesat kanë ardhur nga fansat në më shumë se 200 vende të botës.
Sipas Infantinos, në historinë e 100 viteve të fundit të Kupës së Botës, FIFA ka shitur më pak se 50 milionë bileta gjithsej.
Tani, vetëm në katër javë, kërkesat janë ekuivalente me atë që ai e quajti “1000 vite Botërorë” nëse shikohet nga këndvështrimi i kërkesës totale.
Kjo kërkesë e paimagjinueshme ka ardhur pavarësisht nga kritikat për çmimet e larta të biletave, të cilat kanë qenë një temë e diskutuese në javët e fundit.
Grupe tifozësh në Evropë dhe SHBA thanë se disa bileta janë “astronomike” në çmim, por FIFA e ka mbrojtur strategjinë e çmimeve duke argumentuar se tregu në vendet nikoqire (sidomos SHBA) përdor një sistem të çmimeve dinamike që e reflekton kërkesën e tregut.
FIFA po përdor një sistem të shortit për t’i ndarë biletat, për shkak të mbingarkesës së kërkesave të dorëzuara nga tifozët në fazën e shitjes së biletave.
Rezultatet e shortit për fazën kryesore të shitjes iu dërguan tifozëve nga FIFA gjatë fillimit të shkurtit.
Për ata që nuk siguruan biletë nga shorti, FIFA do ta hapë një fazë “Last-Minute Sales” në prill, ku biletat do të shiten në bazë “first-come, first-served” deri në fund të turneut.
Botërori 2026 do të jetë i pari me 48 Kombëtare, i zhvilluar në tri vende mikpritëse dhe pritet të jetë më i ndjekuri dhe më popullori në histori.
Kjo shpjegon pse kërkesa e fansave në mbarë botën ka depërtuar në shifra rekord — edhe para se ndeshjet të fillojnë më 11 qershor dhe finalja të luhet më 19 korrik. /Gazeta Express