Presidenti i FIFA, Gianni Infantino, ka shprehur “tronditje dhe trishtim” pas akuzave për racizëm gjatë ndeshjes së UEFA Champions League mes Real Madrid dhe Benfica.
Incidenti ndodhi kur sulmuesi i Real Madridit, Vinícius Júnior, pretendoi se lojtari i Benficës, Gianluca Prestianni, përdori gjuhë raciste, duke bërë që gjyqtari Francois Letexier të ndalonte ndeshjen për 10 minuta. Prestianni dhe Benfica kanë mohuar akuzat, por UEFA ka hapur hetim, duke përfshirë shqyrtimin e pamjeve video dhe intervistat e të dy lojtarëve.
Infantino theksoi se ata që rezultojnë fajtorë duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të përballen me masa të rënda: “Nuk ka absolutisht vend për racizëm në sport dhe në shoqëri. Duhet të veprojnë të gjithë aktorët e përfshirë dhe të mbajnë përgjegjësi ata që janë përgjegjës.”
Presidenti i FIFA-s përgëzoi gjithashtu gjyqtarin për aktivizimin e protokollit anti-racizëm dhe riafirmoi angazhimin e organizatës për mbrojtjen e lojtarëve dhe për ndëshkimin e çdo forme diskriminimi.
Nga ana e tij, Vinícius Júnior reagoi në rrjetet sociale, duke quajtur racistët “të frikshëm” dhe duke shtuar: “Racistët janë, mbi të gjitha, frikacakë. Duhet të mbulojnë gojën me fanellën për të treguar dobësinë e tyre.” Ai gjithashtu kritikoi mënyrën e zbatimit të protokollit nga gjyqtari, duke thënë se nuk shërbeu për qëllimin e tij.
Rasti ka tronditur komunitetin e futbollit evropian dhe UEFA pritet të publikojë rezultatet e hetimit në ditët në vijim. /GazetaExpress