Mediumi kroat “index.hr” shkruan sot autoritetet kroate kanë arrestuar një pilot kroat J.I i forcave ajrore kroate dhe e dashura e tij A.M e nacionalitetit serb nga qyteti i Mitrovicës, nën dyshimet për spiunazh. Në këtë operacion të arrestimit të tyre, mediumi kroat shkruan se është përfshirë edhe Europol.
Siç raporton ky medium, hetuesit dyshojnë se piloti ushtarak i jepte sekrete partneres së tij, dhe ajo ia dërgonte ato Listës Serbe.
Index shkruan se e mori këtë informacion nga burime të besueshme por se kur kanë provuar ta konfirmojnë, kanë hasur në heshtje të institucioneve kroate.
“Drejtoria e Policisë na tha të kontaktonim Ministrinë e Mbrojtjes, meqenëse policia ushtarake është e përfshirë në këtë rast, por Ministria e Mbrojtjes ende nuk ka dhënë asnjë informacion.Jozyrtarisht kemi mësuar se të dy të dyshuarit janë marrë në pyetje sot dhe se pritet një vendim nëse ata do të përfundojnë në paraburgim”, shkruan Index.hr.
“Sipas informacionit që arritëm të mbledhim, hetuesit dyshojnë se piloti ushtarak kroat, i cili ishte i angazhuar në KFOR (forca ndërkombëtare paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë), i dha partneres së tij informacione konfidenciale që ajo ua kaloi anëtarëve të Listës Serbe, partisë së pakicës serbe në Kosovë.”, shton raportimi i mediumit kroat.
Siç raporton ky medium, dyshohet se JA i ka dhënë të dashurës së tij informacione rreth lëvizjeve të serbëve në Veri të Kosovës nga fundi i vitit 2022 deri në këtë vit, si dhe lëvizjeve të trupave të KFOR-it./Express/