Incidenti NATO-Rusi në Sllatinë që mund të niste Luftën e Tretë…, Prokuroria u interesua, Clark  e risolli rrëfimin e tij - Gazeta Express
string(117) "incidenti-nato-rusi-ne-sllatine-qe-mund-te-niste-luften-e-trete-prokuroria-u-interesua-clark-e-risolli-rrefimin-e-tij"

Lajme

Gazeta Express

18/11/2025 13:58

Incidenti NATO-Rusi në Sllatinë që mund të niste Luftën e Tretë…, Prokuroria u interesua, Clark  e risolli rrëfimin e tij

Lajme

Gazeta Express

18/11/2025 13:58

Pas fushatës ajrore 78 ditëshe ndaj caqeve të Serbisë për shkak të krimeve në Kosovë, NATO’s për pak mund t’i shfaqej një problem i ri – përballja me Rusinë për shkak të “garës” për t’i futur trupat më shpejtë dhe për ta kontrolluar zonën strategjike – Aeroportin e Sllatinës.

Në mëngjesin e 12 qershorit të vitit 1999, një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës e cila edhe i dha fund luftës në Kosovë, disa qindra ushtarë rusë, u vendosën në Prishtinë, pasi u larguan nga Bosnja. Në atë kohë, analistët e vlerësuan këtë si tentim të Rusisë për të treguar ndikimin e saj në  rajon.

Hyrja e rusëve në Kosovë  vazhdon të përfolet edhe tani, ndërsa debati i nxehtë mes Wesley Clark komandant amerikan i Forcave të NATO’s për Evropë dhe komandanti britanik të KFOR’it vazhdon të tregohet në disa versione.

Por, a kishte pasur tensione edhe mes gjeneralëve dhe a i kishte refuzuar Mike Jackson urdhrat e Clark.

Çfarë tha dje gjenerali amerikan?

Në dëshminë e tij në Hagë, në mbrojtje të ish-presidentit Thaçi dhe të tjerëve, ai bëri të ditur se kishte marrë informata se rusët kishin nisur lëvizjen, dhe se për këtë, ndër të tjerë kishte biseduar edhe me Jackson. Ky i fundit, siç deklaroi Clark, i kishte thënë këtij të fundit se ‘’kishte një plan’’, porse, për të cilin, gjenerali amerikan s’ishte në dijeni se cili ishte.

“Në mëngjesin e së premtes, 11 qershor, mësova se rusët kishin nisur lëvizjen, telefonova Sekretarin e Përgjithshëm (Solana), ai tha: Epo a nuk mund të fusni disa trupa atje dhe ta merrni atë Aeroportin në Prishtinë para se rusët të mbërrijnë? Dhe unë i thashë: Do ta provojmë. Telefonova në Pentagon. Sekretari i Mbrojtjes, nuk mund të shqetësohej, Nënkryetari i Shefave të Shtabit tha: Pse nuk dërgon thjesht një oficer atje të shohë çfarë po ndodh? Por ajo nuk do të funksiononte”, sqaroi Clark.

“Prandaj unë u përpoqa të lidhesha me Mike Jackson. Ai me tha se kishte një plan por unë nuk e dija se cili ishte plani. Dhe para se ta zbuloja se cili ishte plani i tyre, të gjithë ishin zgjuar në atë pikë dhe kështu shefi britanik i mbrojtjes kishte folur me Sekretarin e Mbrojtjes … dhe ata vendosën thjesht të lejonin rusët të bënin atë që do të bënin. Të harronin, kjo është arsyeja se pse të premten nuk ndodhi asgjë. Jackson më tha të mos shqetësohesha. Ai do t’i çonte forcat e tij atëherë të shtunën në mëngjes. I thashë: Kur do të nisën? Ai tha: Epo, menjëherë’’, shtoi ai.

Megjithatë, Clark bëri të ditur se për disa orë s’kishte ndodhur asgjë. Gjë për të cilën, ai ishte informuar nga Jackson, se ky i fundit ishte përcjellë nga një BMP rus (mjet luftarak rus).

‘’Por në orën 08:00 asgjë nuk ndodhi, në orën 10:00 asgjë nuk ndodhi,. Në mesditë pothuajse asgjë nuk po lëvizte. Dhe më vonë pyeta Mike se çfarë po ndodhte.  Ai thjesht nuk po arrinte t’i vinte në lëvizje këto forca. Dhe me në fund , ai mbërriti në aeroport. Duhet të ketë qenë rreth orës 5 ose 6 pasdite. Ai hyri në aeroport dhe sipas raportimeve të tij ndaj meje një BMP rus qarkoi rreth Humvee-it të tij dhe ai vendosi të largohej nga aeroporti për të mos hyrë në konflikt me rusët. Dhe kështu nuk u bë asgjë. Udhëzimet që shpresoja që ai t’i zbatonte ishin të shkonte në aeroport dhe të ishte në aeroport në mënyrë që rusët të mos mund të përforcoheshin. Këtë nuk mundi ta bënte’’, shtoi Clark dje.

Tutje, Clark shpjegoi edhe se komandanti britanik Jackson, kishte refuzuar edhe që të dërgoheshin disa helikopterë në pistë, me arsyen se ‘’ishte e rrezikshme sepse kishte stuhi’’.

“Pastaj mora një telefonatë nga Uashingtoni që thoshte: Vetëm bëji të ulin disa helikopterë atje ose një helikopterë për të bllokuar pistën. Kështu që ia përcolla këtë Admiral Ellis’it. Ellisi ia përcolli Jackson’it. Rreth orës 22:00 atë natë Ellis më telefonoi dhe më tha se Jackson po refuzonte të vendoste helikopterin atje. Ai thoshte se ishte shumë e rrezikshme sepse kishte stuhi me bubullima në zonë. Dhe unë thashë: Mirë Ellis, mos u shqetëso.  Po fluturojë poshtë të nesërmen në mëngjes dhe do të shihja Jackson’in. Kështu mbeti çështja.  Pastaj u ngrit pyetja: Çfarë do të bënim për bllokimin e pistave?  Dhe aty u përfshinë  gjithë ato emocione para se të hartonim një plan”, shtoi ai.

Pas kësaj, Clark u pyet se nëse në fund, pas së gjithash, a ishte bllokuar pista me helikopterë, për të cilën, ai dha përgjigje të prerë ‘’Jo’’.

‘’Jo. Por dua të bëjë diçka shumë të qartë. Si komandant nuk do të kisha urdhëruar kurrë Mike Jackson’in të bënte diçka që ai mendonte se nuk mund ta bënte ose nuk duhej ta bënte pa një diskutim të plotë dhe pa e kuptuar plotësisht se cilat ishin kundërshtimet e tij’’, shtoi ai në fund.

Ndryshe, qysh nga atëherë, raportohet se mes Clark dhe Jackson ka pasur tensione për shkak të mos përmbushjes së urdhrave nga ky i fundit. Madje, raportohet, siç theksohet edhe në këtë artikull të The Guardian, se Jackson, i është drejtuar Clark me fjalët “Nuk do ta nis Luftën e Tretë Botërore për ty.” Gjenerali Jackson, një nga ushtarakët më me nam britanik,  ka vdekur vitin e kaluar, në moshën 80 vjeçare./GazetaExpress/