Përleshje kanë shpërthyer në Stamboll mes policisë dhe protestuesve gjatë tubimeve të 1 Majit, të cilat qeveria turke është përpjekur ti ndalojë.
Siç raporton France 24, që nga mbrëmja e së mërkurës, shtatë stacione metroje dhe disa nga stacionet më të ngarkuara të autobusëve dhe tramvajit në Stamboll ishin mbyllur.
Sipas raportimeve të medias, që nga e hëna, policia ka kryer “bastisje” në disa pjesë të qytetit për të arrestuar ata që bënë thirrje për tubime në Sheshin Taksim për 1 Maj. Kryeprokurori i Stambollit lëshoi një urdhër-arrest për 108 persona.
Megjithatë, sipas raporteve nga shoqatat e avokatëve, më shumë se 400 persona që morën pjesë në festimet e 1 Majit u arrestuan sot. Autoritetet nuk dhanë menjëherë detaje. Gazetarët e AFP-së dëshmuan dhjetëra arrestime në lagjet Beşiktaş dhe Mecidiyeköy në anën evropiane të qytetit, ku policia bllokoi rrugët që çonin në Sheshin Taksim.
Vlen të theksohet se që nga protestat e vitit 2013, të cilat u përhapen në të gjithë Turqinë dhe shkaktuan tetë viktima, qeveria ka ndaluar tubimet në Taksim, madje edhe për 1 Majin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas apo marshime të tjera.
Megjithatë, sipas mediave turke, disa protestues që sfiduan masat dhe shkuan në Sheshin Taksim, pavarësisht paralajmërimeve të policisë, u arrestuan. Të arrestuarit u shoqëruan në stacionin e policisë për t’u marrë në pyetje.
Gjatë arrestimeve, ndodhën incidente me protestuesit që rezistuan dhe policia i goditi ata pa të drejtë, siç shihet në videot e postuara në mediat sociale.
Siç është raportuar nga media të tjera turke, më shumë se 150 anëtarë të partive, sindikatave dhe organizatave të krahut të majtë u arrestuan pas bastisjeve në shtëpi të martën dhe të mërkurën në qytete të mëdha si Stambolli, Ankaraja dhe Izmiri, përpara protestave të 1 Majit, pasi donin të mblidheshin në Sheshin Taksim.
Grupi Socialist për Barazi lëshoi një deklaratë në Twitter të mërkurën duke dënuar “arrestimin e një numri të madh njerëzish gjatë bastisjeve në shtëpi në shumë provinca, veçanërisht në Stamboll, pak para Ditës së 1 Majit”.
“Këto operacione synojnë të frikësojnë jo vetëm të arrestuarit, por edhe grupin më të gjerë të punëtorëve dhe të rinjve që dolën në rrugë muajin e kaluar”, thuhet në deklaratë.
“Demonstrimi ose thirrja për demonstrata në Sheshin Taksim ose diku tjetër për Ditën e Majit nuk është krim, por një e drejtë themelore demokratike”, thuhet në postim.
“Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të të arrestuarve për ushtrimin e të drejtave të tyre demokratike dhe të gjithë të burgosurve politikë”, përfundon ai.