Më 10 shtator, në Galerinë 17, bëhet hapja e ekspozitës “In the MAking” nga Luiza Thaqi dhe Lena Violetta Leitner.
Në një rrjet dinamik, ku elementët natyrorë dhe shoqërorë ndërthuren duke bashkëkrijuar, ndërmjetësuar dhe mbijetuar së bashku, artikulohet një realitet hibrid dhe i pashmangshëm për garantimin e ekuilibrit ekologjik dhe shoqëror. Brenda këtij organizimi, konceptimet e agjencisë që mbështeten ekskluzivisht mbi njeriun tejkalohen, duke hapur rrugë të reja për këndvështrime post-njerëzore dhe ndërveprime shumë-agjentëshe. Luiza Thaqi dhe Lena Violetta Leitner, shpërfaqin këtë marrëdhënie dinamike në ndryshim të vazhdueshëm – mes specieve, midis entiteteve të ndryshme, përgjatë kohës.
“Garden of Hybrids: Cultivating Realities” nga Luiza Thaqi, vë në pah mendimet e Bruno Latour në librin “We have never been modern” (1991), se natyra dhe shoqëria janë rrjete të pandashme, që si rrjedhojë prodhojnë një sistem kompleks e të shtresuar kuptimor. Në këtë kontekst, toka hibride në instalimin e saj përshkon përbërjen, lëvizjen, rindërtimin dhe ndërveprimin – materialisht dhe konceptualisht. Kështu ne zhytemi në kopshtin e hibriditeteve; dheun e tokës që nuk fiksohet kurrë: copëza tokash që mbajnë kujtesë, fara që migrojnë, dhe arkitektura që përshtaten dhe vazhdimisht e formësojnë vetveten përmes riparimit dhe rikrijimit. Një njohje e mënyrës se si çdo gjest, strukturë ose vendim rezonon në të gjitha rrjetet e marrëdhënieve njerëzore dhe jo-njerëzore në një sistem funksional.
Në punimin e Lena Violetta Leitner “Hello Prishtina, here is your Forecast of Forgotten Rivers and Unruly Dragons…” ajo na përkujton që marrëdhënia jonë me lumenjtë e kryeqytetit, Vellushën dhe Prishtevkën, nuk është ndërprerë me varrosjen e tyre. Përkundrazi, ajo e rilidh këtë komunikim përmes parashikimit të motit spekulativ urgjent e kolektiv që ri sjell në mendje përmbytjet, thatësirat dhe stuhitë shkatërruese. Kështu, ringjallet mallkimi mitologjik i kulshedrës dhe i jepet jehonë zërit të Vellushës, që vjen nga nëntoka si një kujtesë e gjallë dhe e papajtueshme me heshtjen. Duke hulumtuar në pikat e kryqëzimit midis rrëfimit dhe kujtesës, individuales dhe kolektives, përvojës dhe gjetjeve, zbulojmë çarjet pjellore ku lulëzon sërish hibriditeti kuptimor.
Andaj, në galeri, aktorët jo njerëzorë – materie organike dhe jo organike, toka dhe koha – bashkëveprojnë me praktikat, politikat dhe aktivitetin njerëzor, duke zbuluar se si pushteti, njohuria dhe përkatësia qarkullojnë përmes shtigjeve hibride. Një ekspozitë që gjurmon kalimin e materialeve nga një vend në tjetrin; një pasqyrim që përkthen të dhënat ekologjike në kujtesën e komunitetit, një parashikim moti që tejkalon agjencitë të kufizuara vetëm me njeriun.
***
Nën temën e Ekologjia Queer ne tentojmë të ofrojmë një gjuhë përfshirëse – një gjuhë që nderon dhe njeh personalitetin e botës natyrore, duke e çliruar atë nga objektivizimi i zakonshëm i botës së gjallë; vë në pah ndërveprimet me aktorët jo organik, si dhe për më shumë, ajo shpalos identitete fleksibile që ri-konfigurojnë nocionet e territorit dhe të kohës. Në këtë mënyrë çlirojmë perceptimin ekologjik nga kufijtë e ngurtësuar dhe e vendosim atë në një gjendje të vazhdueshme rinegocimi dhe bashkëkrijimi.
Fitore Isufi Shukriu
Ekspozita do të qëndroj e hapur deri më 27 nëntor.