Janë bërë më shumë se një javë nga rasti i rëndë në Lipjan ku vdiq qytetari Agon Zejnullahu pak pas arrestimit. Për këtë, pesë policë aktualisht ndodhen në paraburgim. Ditën e ngjarjes tronditëse ka përfunduar autopsia, por raporti me gjetjet e tij mungon ende. IML ka treguar se ka dërguar kohëve të fundit mostra për analiza në Evropë dhe rajon, por s’ka treguar ende nëse janë kryer ato të lipjanasit Agon Zejnullahu.
Gazeta Express
Në minutat e parë të 7 korrikut, 27 vjeçari Agon Zejnullahu vdiq pasi u arrestua nga policia në qendër të Lipjanit. Momenti i arrestimit dhe vdekjes së tij u incizua nga qytetarë nga kënde të ndryshme, të cilat ngjallën shumë revoltë për sjelljen e policëve. Në një video që e ka siguruar T7 shihet se njëri nga zyrtarët ia vë gjurin në qafë tani të ndjerit.
Ditën që vdiq, u krye autopsia, mirëpo akoma nuk ka një raport që do të tregonte nëse shkaku i vdekjes ishte ngufatja apo ndonjë shkak tjetër.
Gazeta Express ka dërguar pyetje në adresë të drejtori të IML’së, Ditor Haliti, dhe Prokurorisë në Prishtinë, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
IML një ditë pas rastit, ka njoftuar se autopsia është kryer nga ekipi i udhëhequr nga eksperti mjeko ligjor kujdestar dhe me pjesëmarrjen edhe të zyrtarëve policor të caktuar nga Policia e Kosovës.
“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Prokurorin e Shtetit që e ka rastin dhe jemi duke bërë përpjekje maksimale për të kryer sa më shpejt edhe analizimin histopatologjik dhe toksikologjik të mostrave indore të cilat janë marrë gjatë autopsisë në mënyrë që të hartohet sa më shpejt raporti i autopsisë.”
Ditën tjetër, IML tregoi se për shkak të renovimeve në objektin e saj disa mostra janë dërguar në Evropë dhe rajon pa përmendur specifikisht rastin e Agon Zejnullahut.
“Gjithsesi, gjatë kësaj periudhe kohore të mosfunksionimit të laboratorit, me urdhëresë të prokurorëve përkatës, një numër i caktuar i mostrave janë dërguar dhe do të dërgohen për analizim toksikologjik në vendet e rajonit dhe Evropës”, thuhet në njoftim.
Rreth 42 orë pas ngjarjes tragjike, Policia e Kosovës ka dalë me një version më të detajuar të ngjarjes. Ata thanë se kanë pranuar informacione që një person po i sulmonte qytetarët, sjellje të cilat janë shfaqur edhe në prani të policëve.
Në njoftim thuhej se i ndjeri ishte jo bashkëpunues dhe se ka tentuar të ikë, mirëpo është arrestuar. Sipas policisë, autoambulanca ka arritur në vendin e ngjarjes 3 minuta pasi e kanë thirrë. Ndër të tjerash, thuhet se te personi janë gjetur në posedim gjësende personale dhe substancë pluhur që dyshohet të jetë narkotike, e cila është dërguar për ekzaminim.
Për media është deklaruar edhe Alban Zejnullahu, vëllai i Agon Zejnullahu i cili ka thënë se përgjegjës për vdekjen e të vëllai janë policët të cilët, siç tha ai, shiheshin mbi të gjatë arrestimit.
“Nuk na shpjegonin diçka qartë se për çka ka vdekur, i nijsshim do zëra, aty, jo infarkt, dozë e madhe alkooli, por kur e hapëm, (pamë) tashme me thanë kufomën në atë moment kish pas shumë shenja, brinjë të thyer nuk u kuptoje a u kanë në luftë, nuk u kuptohej situata me trup të tij”, tha ai.
Institucioni i Avokatit të Popullit ka njoftuar se kanë ndjekur me shqetësim rastet e fundit të dhunën policore ndaj qytetarëve.
“Institucioni i Avokatit të Popullit ka ndjekur me shqetësim rastet e raportuara ku zyrtarë të Policisë së Kosovës dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj qytetarëve në dy raste të ndara – njëri rast i ndodhur në Klinë dhe rasti tjetër së fundmi në Lipjan, ku për pasojë humb jetën një qytetar”, thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit.
Po ashtu është bërë e ditur nga Oda e Mjekëve të Kosovës, se kjo e fundit ka hapur hetime lidhur me dyshimet për mosdhënie të ndihmës së parë nga mjekja e ekipit të Urgjencës së Komunës së Lipjanit.
Ka qenë kryetari i Odës, Pleurat Sejdiu, ai që ka njoftuar se hetimet do të bëhen në dy pista, ku njëra lidhet me deklaratën e mjekës që ‘‘konsiderohet në kundërshtim me etikën profesionale’’, dhe se tjetra me mosdhënien e ndihmës së parë në vendin e ngjarjes. /GazetaExpress/