Imazhe dhe video me inteligjencë artificiale për klikime dhe propagandë - Gazeta Express
string(71) "imazhe-dhe-video-me-inteligjence-artificiale-per-klikime-dhe-propagande"

Lajme

Gazeta Express

26/06/2025 13:30

Imazhe dhe video me inteligjencë artificiale për klikime dhe propagandë

Lajme

Gazeta Express

26/06/2025 13:30

Në kohën kur tensionet në Lindjen e Mesme janë në pikën më të lartë, fushatat dezinformuese kanë marrë intensitet edhe në Kosovë. Kjo po bëhet duke përdorur Inteligjencën Artificiale (AI) për të krijuar foto dhe video manipuluese në rrjetet sociale, shumica nga të cilat janë “click-bait”. Faqe të shumta që target kanë audiencën shqipfolëse, përfshirë Kosovën, ditët e fundit kanë gjeneruar imazhe të fabrikuara duke i paraqitur si dëshmi reale.

Më 15 qershor, në profilin “Lufta hibride” në Facebook, është publikuar një video me pretendimin se raketat iraniane kanë shkatërruar aeroportin në Tel Aviv. Aty shfaqen aeroplanët dhe terminali i shkatërruar i aeroportit. Por kjo video është gjeneruar përmes Inteligjencës Artificiale. E njëjta video ka qarkulluar edhe në faqe të tjera në rrjetet sociale dhe është shenjuar si dezinformatë.

Faqja që pretendon se publikon gjithçka rreth luftës hibride nuk i ka transparente të të dhënat, as nuk dihet se kush qëndron prapa saj. Data e krijimit figuron të jetë 20 mars 2020 dhe përgjatë viteve e ka ndryshuar emrin disa herë. Në shtator 2024 ka operuar me emrin “Info Zgjedhjet 2025”, ndërsa më 13 shtator 2020 me emrin “Informata”. Faqja përfshin tri lokacione në Kosovë, prej ku menaxhohet.

Një fotografi tjetër e cila ka qarkulluar në shumë profile nga vende të tjera u publikua edhe nga faqet në gjuhën shqipe. Aty pretendohet se ka pasur shkatërrime masive në Izrael natën e 13 qershorit, si pasojë e raketave të hedhura nga Irani. Imazhi që jepet është një flakë e madhe dhe tym përreth ndërtesave të larta në Izrael. Por fotografia nuk është nga asnjë sulm në Tel Aviv, por një imazh artificial, i manipuluar për të shkaktuar pamje dramatike.

Në rrjete sociale kanë qarkulluar edhe spekulime se kinse Turqia do të përfshihet në luftën mes Izraelit dhe Iranit. Postimi i publikuar nga faqja “Lajme nga Bota” u shoqërua me një fotografi të kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, me pretendimin se ai dhe stafi i tij janë strehuar në bunker, si pasojë e paralajmërimit të Turqisë.

“Netanyahu dhe Gjeneralat ushtarak izraelit nga bunkeri të shqetësuar nga situata që Turqia ju ka afruar në kufi izraelit, Netanyahu deklaroi se Turqia po përgaditet për një pushtim të tmerrshëm ndaj izraelin, prandaj na duhet ndihma e SHBA-ve dhe bashkimit evropjan”, pretendohet në postimin që përmban shumë gabime drejtshkrimore. Por fotografia është e datës 4 nëntor 2024 dhe nuk lidhet me rrethanën për të cilën pretendon kjo faqe.

Po ashtu, nga asnjë medium zyrtar apo deklaratë e zyrtarëve turq nuk konfirmohet pretendimi se ata po përgatiten për ta pushtuar Izraelin.

Publikimi i dezinformatave të tilla përmes imazheve të fabrikuara, videove të manipuluara dhe lajmeve sensacionale synon të krijojë kaos informativ, të ngjallë emocione, frikë ose zemërim, si dhe të manipulojë perceptimin e publikut mbi realitetin.

Këto manipulime zakonisht vijnë në kontekste të tensionuara, siç është konflikti në Lindjen e Mesme, dhe përhapen me qëllim që ta polarizojnë debatin publik, duke shmangur burimet zyrtare me narrativa që mbështeten në dezinformata.