Kandidati i LDK-së për kryetar të Istogut, Ilir Ferati, ka vizituar një nga fermat më të mëdha dhe më të organizuara në Kosovë, e cila ndodhet në fshatin Gusar. Me mbi 500 krerë lopë dhe më shumë se 400 hektarë me kultura bujqësore, kjo fermë përfaqëson një model të suksesshëm të përkushtimit dhe punës së palodhshme të fermerëve vendorë.
Gjatë vizitës, Ferati shpalosi planin e tij për bujqësinë për mandatin e ardhshëm katërvjeçar, duke theksuar se zhvillimi i fshatit dhe bujqësisë do të jetë prioritet i LDK-së në Istog.
“Kemi plan konkret: sisteme moderne të ujitjes, mbështetje të drejtpërdrejtë për fermerët, leje ndërtimore falas dhe eliminim të taksave të padrejta që rëndojnë mbi ta”, deklaroi Ferati.
Ai gjithashtu prezantoi programin “Fermeri i Ri”, që do të synojë përfshirjen dhe mbështetjen e gjeneratës së re në bujqësi, si dhe krijimin e një shërbimi mobil agronomik dhe veterinar që do të ofrohet në mënyrë të rregullt në të gjitha zonat rurale.