Analisti politik Ilir Deda ka rikthyer në vëmendje çështjen e zgjedhjes së presidentit me votë të drejtpërdrejtë nga qytetarët.
Përmes një postimi publik, Deda ka theksuar se tash e 15 vjet partitë politike kanë premtuar ndryshime kushtetuese për të mundësuar zgjedhjen e presidentit nga populli, por sipas tij, ky zotim ende nuk është përmbushur.
Ai sugjeroi që partitë të dakordohen që gjatë viteve të ardhshme të bëjnë ndryshimet e nevojshme, në mënyrë që në vitin 2031 – në 20-vjetorin e premtimit – presidenti i vendit të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët.
Postimi i Dedës:
A po e shihni tash sa me rëndësi është që presidenti/ja të zgjidhet me votë qytetare?
Jemi qe 15 vjet në pritje të përmbushjes të zotimit publik të partive që do të bëjnë ndryshimet e nevojshme kushtetuese në këtë drejtim.
Ndoshta partitë mund të dakordohen që gjatë disa viteteve të ardhshme t’a bëjnë këtë ndryshim që do të mundësonte që në vitin 2031 i pari i shtetit të zgjidhet nga qytetarët- rrafsh në 20 vjetorin e premtimit të dhënë.