Një ilaç i përdorur zakonisht për trajtimin e diabetit, që kushton vetëm rreth 2 peni për tabletë, mund të ulë rrezikun e kancerit të prostatës me më shumë se një të tretën, sipas një studimi të ri.
Ilaçi Metformin përdoret prej vitesh nga miliona pacientë për të kontrolluar nivelin e sheqerit në gjak tek personat me diabet të tipit 2. Tani, një nga studimet më të mëdha që ka analizuar efektet e tij kundër kancerit sugjeron se ai mund të ndihmojë edhe në parandalimin e kancerit të prostatës – një sëmundje që çdo vit shkakton mbi 12,000 vdekje në Mbretërinë e Bashkuar.
Studiuesit thonë se në të ardhmen është e mundur që burrat me rrezik të lartë për këtë sëmundje të marrin metforminë si një masë parandaluese.
Sipas studiueses së kancerit Visalini Nair-Shalliker nga University of Sydney, kjo është një çështje shumë e rëndësishme që po analizohet aktualisht nga shkencëtarët.
Sa i përhapur është kanceri i prostatës
Çdo vit në Mbretërinë e Bashkuar diagnostikohen më shumë se 60,000 raste të reja me Prostate Cancer, ndërsa numri i rasteve është rritur me mbi 40 për qind në 15 vitet e fundit.
Metformina është studiuar si një trajtim i mundshëm sepse disa kërkime sugjerojnë se ajo mund të pengojë shumimin e qelizave kancerogjene. Ilaçi ul nivelet e insulinës, një hormon që mund të ndihmojë në rritjen dhe përhapjen e qelizave malinje.
Studime të tjera kanë treguar gjithashtu se metformina mund të ketë efekt në trajtimin e kancerit të gjirit dhe në parandalimin e disa formave të leukemisë.
Çfarë tregoi studimi
Në studimin më të fundit, ekspertët nga Universiteti i Sidneit ndoqën gati 95,000 burra gjatë periudhës 2012–2019. Ata analizuan sa prej tyre u diagnostikuan me kancer të prostatës dhe e krahasuan këtë me përdorimin e metforminës.
Rezultatet, të publikuara në revistën shkencore BJC Reports, treguan se pak më shumë se 5,000 pjesëmarrës zhvilluan tumore të prostatës.
Megjithatë, burrat që përdornin metforminë kishin 35 për qind më pak gjasa të diagnostikoheshin me këtë lloj kanceri.
Shumë nga pjesëmarrësit ishin mbipeshë ose obezë – një faktor i njohur rreziku për kancerin. Por edhe tek burrat me peshë normale që përdornin metforminë u vu re ulje e rrezikut.
Rëndësia e trajtimit të hershëm
Studimet e mëparshme janë fokusuar kryesisht tek përdorimi i metforminës për pacientët që tashmë kishin kancer të avancuar, dhe rezultatet kanë qenë të kufizuara.
Megjithatë, ekipi kërkimor në Sidnei beson se ilaçi mund të jetë më efektiv nëse përdoret më herët, ndoshta edhe para se kanceri të diagnostikohet.
Sipas Sophie Brooks nga Cancer Research UK, nevojiten studime të tjera për të kuptuar më mirë se si metformina mund të ndikojë në rrezikun e kancerit të prostatës, por rezultatet e para janë inkurajuese.
Ndërkohë, Simon Grieveson nga Prostate Cancer UK tha se organizata po mbështet kërkimet për të parë nëse ky ilaç mund të ndihmojë në zgjatjen e jetës së disa pacientëve – një zhvillim që mund të ndryshojë ndjeshëm trajtimin për shumë burra. /GazetaExpress/