Një injeksion që merret vetëm dy herë në vit dhe që mund të parandalojë mijëra pacientë me astmë nga krizat kërcënuese për jetën pritet të dalë në treg në Britani brenda disa muajsh.
Testimet klinike tregojnë se ilaçi i ri “me veprim ultra-të-gjatë”, i quajtur depemokimab, ul shtrimet në spital me 72 për qind, duke shkaktuar shumë pak efekte anësore.
Kjo terapi injektuese, pjesë e grupit të barnave të njohura si biologjikë, përmban antitrupa që zbusin inflamacionin në mushkëri dhe pritet të ndryshojë rrënjësisht trajtimin e astmës së rëndë.
Agjencia Britanike e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore (MHRA) i ka dhënë autorizim për tregtim trajtimit, i cili prodhohet nga gjiganti farmaceutik britanik GSK. Ilaçi pritet të jetë i disponueshëm fillimisht në tregun privat në gjysmën e parë të vitit 2026, ndërsa autoriteti NICE do të vendosë nëse do të përfshihet edhe në sistemin publik të shëndetësisë (NHS).
“Si raketë me drejtim lazer”
Profesori Ian Pavord, ekspert i mjekësisë respiratore në Universitetin e Oksfordit dhe drejtues i provave klinike për depemokimab, i krahasoi terapitë biologjike me një “raketë të drejtuar me lazer”.
“Ato godasin drejtpërdrejt ‘armikun’, ndërsa barnat anti-inflamatore jo specifike — sidomos steroidet — janë si bomba fragmentuese,” tha ai.
“Steroidet kanë shumë efekte anësore që nuk i duam. Me biologjikët, rreth një e treta e pacientëve arrijnë remision të plotë të astmës, duke dalë nga një gjendje dëshpërimi ekstrem.”
Biologjikët konsiderohen shpëtimtarë për pacientët me astmë të rëndë dhe të pakontrollueshme, për të cilët inhalatorët nuk mjaftojnë. Më parë, këta pacientë trajtoheshin me doza të larta steroidësh, të cilët shoqërohen me efekte anësore serioze si ndryshime humori, shtim në peshë, rritje të sheqerit në gjak dhe osteoporozë.
Depemokimab, që do të tregtohet me emrin Exdensur, ka avantazhin e madh se merret vetëm një herë çdo gjashtë muaj, ndryshe nga biologjikët aktualë për astmën, të cilët kërkojnë injeksione çdo dy deri në tetë javë.
Shefja ekzekutive e GSK-së, Dame Emma Walmsley, tha:
“Është tmerruese për një pacient — apo për një prind — të përfundojë në spital për shkak të një krize astme.
Tani kemi trajtimin e parë në botë për astmën që merret çdo gjashtë muaj dhe është i miratuar.
Studimet tona tregojnë se ky ilaç ul ndjeshëm krizat që çojnë në shtrim në spital — ato më të frikshmet.”
Kush mund të përfitojë?
Rreth 6 milionë persona në Angli vuajnë nga astma. Prej tyre, vlerësohet se 58 mijë të rritur kanë formën e rëndë dhe të pakontrolluar që i bën të përshtatshëm për trajtim biologjik. Megjithatë, vetëm rreth 21 mijë aktualisht i marrin këto barna, sipas një studimi të fundit nga Universiteti i Kembrixhit.
Profesori Pavord e quajti zhvillimin e biologjikëve një “histori suksesi britanike”, duke theksuar se një pjesë e madhe e zhvillimit klinik është bërë në Mbretërinë e Bashkuar.
Nga ana e tij, Kaivan Khavandi, drejtues i kërkimeve për sëmundjet respiratore në GSK, tha se doza gjashtëmujore do të ndihmojë pacientët që kanë frikë nga gjilpërat, do të ulë mungesat nga puna për vizita mjekësore dhe do të lirojë burime të NHS-it.
Zgjatja e intervaleve mes dozave zakonisht kërkon rritje të dozës, gjë që shpesh sjell rrezik për toksicitet dhe efekte anësore. Shkencëtarët e GSK-së në Stevenage arritën ta shmangin këtë duke bërë dy ndryshime strukturore në antitrup, duke e bërë ilaçin efektiv për gjashtë muaj pa shtuar rreziqet.
Çmimi, çelësi i aksesit
Profesor Nick Hopkinson, drejtor mjekësor i organizatës bamirëse Asthma + Lung UK, e quajti zhvillimin:
“Një hap të rëndësishëm përpara. Terapitë biologjike po bëhen gjithnjë e më të zakonshme dhe kjo u lejon pacientëve të jetojnë normalisht pa trajtime të shpeshta.”
Ndërkohë, profesori David Jackson nga King’s College London paralajmëroi se numri i pacientëve që do të përfitojnë nga depemokimab do të varet shumë nga çmimi që do të caktojë GSK, i cili pritet të bëhet publik në javët në vijim.
Kjo sepse NICE aktualisht vendos si kriter për shumicën e biologjikëve të paktën tre kriza të rënda në vit për t’u kualifikuar për trajtim në NHS.
“Shpresa jonë si komunitet mjekësor është që çmimi të jetë mjaftueshëm i ulët, në mënyrë që ky prag të ulet, për shembull në dy përkeqësime në vit, dhe më shumë pacientë të përfitojnë,” përfundoi ai.
Nëse pritshmëritë realizohen, depemokimab mund të shënojë një epokë të re në trajtimin e astmës së rëndë — më pak kriza, më pak shtrime në spital dhe një jetë shumë më normale për mijëra pacientë. /GazetaExpress/