IKD: Qeveria dhe Kuvendi po shkelin Kushtetutën, le të miratohet urgjentisht Ligji kundër COVID-19 - Gazeta Express

IKD: Qeveria dhe Kuvendi po shkelin Kushtetutën, le të miratohet urgjentisht Ligji kundër COVID-19

Lajme

Gazeta Express

06/07/2020 14:42

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka kritikuar Qeverinë Hoti dhe Kuvendin e Kosovës për menaxhimin e pandemisë. IKD po kërkon që urgjentisht të propozohet dhe të miratohet Ligji kundër COVID-19

Përmes një komunikate për media, IKD deklaron se institucionet e Kosovës kanë dështuar në miratimin e kornizës ligjore adekuate.

“Që nga shpallja e kësaj pandemie nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, institucionet në Kosovë kanë dështuar në miratimin e kornizës ligjore adekuate, duke ndikuar që menaxhimi i kësaj pandemie të bëhet duke shkelur vazhdimisht dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe duke cënuar rëndë të drejtat dhe liritë e njeriut në Kosovë”, thuhet në deklaratën e IKD’së.

“Për nevojën e kësaj qasje, IKD vazhdimisht ka alarmuar ish-Qeverinë Kurti, duke i bërë thirrje për shkeljet kushtetuese të vendimeve të domosdoshme Anti-Covid-19, të cilat shkelje ishin vërtetuar edhe nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në reagimin e IKD’së.

IKD deklaron se edhe Qeveria Hoti ka vazhduar duke injoruar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat janë të obligueshme për t’u zbatuyar në të gjitha institucionet publike dhe nga të gjithë qytetarët e vendit.

“Fatkeqësisht, edhe qeveria Hoti ka vazhduar avazin e vjetër, duke injoruar vendimet e Gjykatës Kushtetuese të cilat janë të obligueshme për tu zbatuar nga të gjitha intsitucionet publike dhe qytetarët e Kosovës.  Qeveria Hoti në kundërshtim me Kushtetutë, praktikën e ndërtuar nga Gjykata Kushtetuese ka vazhduar në miratimin e vendimeve lidhur me masat për parandalimin dhe luftimin e COVID-19”, thuhet në reagim.

IKD ka përmendur edhe kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, vendim të cilin e kishte marrë Qeveria Kurti, e që Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur antikushtetues.

“Lidhur me nxjerrjen e masave kufizuese, me qëllim të parandalimit të pandemisë COVID-19, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës kishte nënvizuar se “Gjykata  konstatoi  se  kufizimet  që  përmban  Vendimi  i  kontestuar i  Qeverisë përkitazi me të drejtat dhe liritë themelore kushtetuese të lartcekura, nuk janë të “përcaktuara me ligj”, andaj bien në kundërshtim me garancitë që përmbajnë nenet 35, 36 dhe 43 të Kushtetutës në lidhje me nenet respektive të KEDNJ-së, dhe me nenin 55 të Kushtetutës, i cili në paragrafin e tij të parë përcakton qartë që  të  drejtat  dhe  liritë  themelore  të  garantuara  me  Kushtetutë,  mund  të kufizohen vetëm me ligj””, thuhet ne reagim.

IKD thotë se në aktgjykimin pasues mbi kushtetutshmërinë e vendimeve për parandalimin e COVID-19, Gjykata Kushtetuese kishte gjetur se Kuvendi me mos miratimin/plotësim-ndryshimin e ligjit, nuk kishte respektuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Deri më sot, Qeveria Hoti nuk e ka proceduar në Kuvend Ligjin për Luftimin dhe Parandalimin e COVID-19, apo ndryshimin e ndonjë ligji për këtë qëllim, si dhe as Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk ka miratuar një ligj të tillë”, thotë IKD.

Sipas IKD’së, Qeveria dhe Kuvendi janë duke e shkelur vazhdimisht Kushtetutën.

“Me këtë qasje, Qeveria Hoti dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës janë duke shkelur vazhdimisht Kushtetutën si dhe nuk janë duke respektuar kërkesat e aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese”, thotë IKD.

“Për më tepër, IKD i rikujton Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës detyrimet e tyre pozitive për mbrojtje të së drejtës në jetë, për mos zbatim të së cilave detyrime, institucionet e Republikës së Kosovës në një rast ishin shpallur përgjegjës për shkelje të së drejtës në jetë.

IKD po kërkon nga Qeveria dhe Kuvendi që urgjentisht të procedojnë me miratimin e Ligjit për parandalimin e COVID-19.

“Sikurse, IKD, kërkon nga Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Kosovës që në pajtim me kompetencat dhe përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore, në mënyrë urgjente të procedoj me miratimin e Ligjit për Parandalimin e COVID-19, dhe të zbatoj në praktikë rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, thuhet në reagimin e IKD’së./GazetaExpress/