Mosfunksionalizimi i Kuvendit të Kosovës ndonëse po bëhen gati katër muaj që kur u mbajtën
zgjedhjet e 9 shkurtit, po shkakton pasoja serioze për vendin.
Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, në intervistë për Ekonomia
Online, vlerëson se krahas pasojave të deritanishme, ndikimi negativ pritet të thellohet në muajt
vijues.
“Prej 15 prillit, kur është dashur të konstituohet Kuvendi, pasojat janë në dy rrafshe: në rrafshin e jashtëm dhe atë të brendshëm. Në rrafshin e jashtëm tashmë pasojat janë evidente. Kosova dështoi të jetë pjesë e agjendës për t’u bërë pjesë e Këshillit të Evropës dhe për këtë çështje përgjegjëse është shumica parlamentare, partia e cila ka të drejtën të propozojë kryetarin e Kuvendit dhe shkon pastaj edhe me votimin e mandatarit. Çështja e dytë që në mungesë të Kuvendit të Kosovës tashmë është duke dështuar të marrë fondet në Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian, fillimisht duke mos u votuar ose duke mbetur pezull dy marrëveshje ndërkombëtare”, tha Jakaj.
Ai paralajmëroi pasoja direkte për qytetarët, duke vënë në pah se rritja e çmimit të energjisë për biznese nga qershori, në kuadër të tregut të lirë të energjisë, do të ndikojë edhe në shtrenjtimin e produkteve të shportës bazë për qytetarët.
“Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në jetën e përditshme. Sa i përket rrafshit të brendshëm, po vonohen reformat në drejtësi, sistemet pensionale e sociale si dhe politikat fiskale.
Aktualisht Kosova është në minus për shkak të aspekteve që i përmenda. Nëse shkohet edhe dy-tre muajt e ardhshëm pa konstituim të Kuvendit dhe pa formim të Qeverisë, normalisht situata mund të përkeqësohet edhe më tej. Pasojat do të jenë edhe më të rënda për vendin”, paralajmëroi Jakaj.
Hulumtuesi i IKD-së vë theksin edhe te pushimi veror që po afrohet, teksa Kuvendi mund të mos konstituohet edhe më tej.
“Më 31 korrik, edhe nëse konstituohet Kuvendi, shkon në pushim, përveç nëse vendoset ndryshe për shkak të çështjeve që i ka. Paramendoni situatën që një Kuvend që nuk është konstituar prej 15 prillit, shkon në pushim menjëherë më 31 korrik. Ajo çka dimë edhe deputetët, edhe të tjerët, nuk përtojnë që të jenë pjesë e pushimit. Kjo është evidentuar edhe në raportet tona të IKD-së. Nuk presim një Kuvend tjetër të jetë më i mirë”, tha Jakaj.