Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka mirëpritur veprimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për futjen në rend të ditës të shpalljes dhe certifikimit të rezultatit përfundimtar të procesit zgjedhor për zgjedhjen e një anëtari të KPK, të zhvilluar më 1 nëntor 2025.
Pas vendimit të Gjykatës Supreme, IKD ka thënë se KPK me të drejtë ka përcaktuar në rend të ditës procesin e certifikimit të rezultatit nga procesi i zgjedhjes së anëtares së re të KPK-së.
IKDe ka parë këtë si një hap të domosdoshëm drejt jetësimit të reformës në KPK dhe respektimit të vullnetit të prokurorëve të prokurorive themelore në nivel vendi.
“IKD kërkon nga anëtarët e KPK-së që në takimin e sotëm, të respektojnë ligjin dhe interesin më të mirë të sistemit prokurorial, si dhe të miratojnë Rregulloren për Zgjedhjen e Kryesuesit dhe Zv. Kryesuesit të KPK-së dhe të ndërmarrin hapat sa më të shpejtë, brenda kornizës ligjore, për zgjedhjen e Kryesuesit dhe Zv. Kryesuesit të KPK-së. Me qëllim të zbatimit të ligjshmërisë dhe rritjes së besimit të publikut në sistemin prokurorial, IKD kërkon nga KPK që të gjitha këto veprime t’i ndërmarrë në mënyrë të ligjshme dhe efikase”, ka thënë IKD.