Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerëson zgjedhjen kushtetuese të Dimal Basha, Kryetar i Kuvendit si hap i rëndësishëm drejt zhbllokimit institucional pas disa muajsh të paralizimit të funksionimit institucional.
IKD përmes një njoftimi për media thekson se ka monitoruar procesin e zhvillimit të seancës konstituive më 26 gusht dhe ka vërejtur se Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka zhvilluar procedurën e zgjedhjes së nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve jo-shumicë në kundërshtim me detyrimet që ia ka përcaktuar Kushtetuta, Rregullorja e Kuvendit, Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe praktika e deritanishme parlamentare.
“Shkelja e Kushtetutës, Rregullores, aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe praktikës parlamentare në lidhje me nënkryetarët nga radhët e Komuniteteve paraqet një skenar të ri bllokues drejt konstituimit të Kuvendit”, thuhet në reagim.
IKD thekson se sipas aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese në rastet Nr. KO119/14 dhe rastet nr. KO193/25 dhe KO196/25, zgjedhja e Kryetarit dhe nënkryetarëve duhet të bëhet në pajtim me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe praktikën e deritanishme parlamentare:
Sipas Kushtetutës (Neni 67, paragrafi 4), dhe Rregullores së Kuvendit (Neni 12, paragrafët 4 dhe 5), procedura e përzgjedhjes së nënkryetarëve nga radhët e Komuniteteve është si në vijim:
Kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit, si nga komuniteti serb ashtu edhe nga komunitetet e tjera, propozohen me shkrim;
Propozimi bëhet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, respektivisht komuniteteve të tjera;
Votimi i nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve bëhet në pako (ashtu sikurse votimi i nënkryetarëve nga tri (3) grupet më të mëdha parlamentare).
Me përjashtim të formës me shkrim të propozimit, që është risi në Rregulloren e re të Kuvendit, kjo procedurë është ndjekur dhe respektuar vazhdimisht gjatë praktikës parlamentare, përfshirë edhe konstituimin e legjislaturës së kaluar në vitin 2021, gjatë të cilës kjo procedurë ishte ndjekur nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari.
“Kështu, fillimisht, ftesa e Kryetarit të ri të Kuvendit për të propozuar kandidatin për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komuniteteve është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit. Kjo për faktin se kjo Rregullore kërkon formën me shkrim të propozimit për nënkryetarë të Kuvendit, e cila formë nuk u respektua në rastin e Emilija Rexhepi.
Për këtë arsye, si procesi i propozimit të kandidatit për nënkryetar nga radhët e komunitetit serb, ashtu edhe zgjedhja e deputetes Emilija Redžepi në pozitën e nënkryetares së Kuvendit u bë në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit dhe në mungesë të transparencës. Marrëveshjet politike të cilat u prezantuan nga deputeti Elbert Krasniqi nuk mund të bëhen pjesë e një procesi kushtetues e ligjor”, thuhet në reagim.
Sipas IKD-së, shkelja e radhës në këtë proces ishte procesi i votimit.
“Siç mund të vërtetohet lehtësisht, Kushtetuta dhe Rregullorja përcaktojnë dy (2) paragrafë të ndarë në lidhje me çështjen e votimit të nënkryetarëve të Kuvendit. Këta dy (2) paragrafë flasin për dy (2) procese të vetme të votimit: votimi i tre (3) nënkryetarëve nga grupet më të mëdha parlamentaren dhe votimi i (2) nënkryetarëve nga komunitetet jo shumicë. Kështu, sikurse nuk mund të ndahet procesi i votimit të nënkryetarëve nga tri (3) grupet më të mëdha parlamentare, njashtu nuk mund të ndahet as procesi i votimit të nënkryetarëve nga komunitetet. Kështu ka qenë edhe praktika parlamentare e deritanishme, përfshirë praktika e vitit 2021 e udhëhequr nga vet LVV.
Për këtë arsye, ndarja e procesit të votimit në këtë rast është në kundërshtim me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe praktikën parlamentare. Ky fakt paraqet shkelje të dyfishtë kushtetuese, si në përzgjedhjen e znj. Redžepi në pozitën e nënkryetares ashtu edhe në mohimin e të drejtës së komunitetit serb për tu përfaqësuar në Kryesinë e Kuvendit”, thuhet tutje.
IKD tutje thekson se në lidhje me propozimin për votim të deputetit Nenad Rasiq si nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, ai nuk është i propozuar nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, të cilën shumicë e përbën Lista Serbe me 9 deputetë.
“Kështu, vetëpropozimi është i ndaluar si për nga forma që kërkohet me shkrim ashtu edhe për nga materia, që kërkohet të jetë përfaqësim nga shumica e deputetëve të komunitetit serb.
IKD vëren po ashtu se Kryetari i Kuvendit ka filluar me procesin e shortit në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, ngase shorti aplikohet vetëm kur nuk ka propozime të paraqitura, ndërkohë që në këtë rast kishte propozime konkrete nga deputetët e komunitetit serb, të cilat nuk morën votat e nevojshme, dhe në anën tjetër, vet deputetët e këtij komuniteti, refuzuan me të drejtë shortin, për arsye se mënyra e realizimit të votimit për të dy nënkryetarët ishte jo kushtetuese”, thuhet tutje.
IKD thekson se përfaqësimi i komuniteteve jo-shumicë në organet drejtuese të Kuvendit nuk është privilegj, por garanci kushtetuese për integrimin e tyre në procesin demokratik dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.
“Imponimi i vullnetit të pakicave nga shumica parlamentare mbi emrin e përfaqësuesit të pakicave është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Për këtë arsye, në tërësinë e saj, procedura e ndjekur në lidhje me zgjedhjen e nënkryetarëve nga komunitetet jo shumicë është në kundërshtim me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe praktikën e deritanishme parlamentare”, thuhet në reagim.
IKD kërkon nga Kryetari i ri i Kuvendit që në vazhdimin e seancës konstituive më 28 gusht, të përsëritet procedura e votimit të nënkryetarëve nga komunitetet dhe procesi të zhvillohet në përputhje me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.
“Nënkryetari nga komuniteti serb dhe nënkryetari nga komunitetet tjera jo-shumicë, pas pranimit të propozimeve me shkrim, duhet të votohen së bashku, në pako. Kjo është e domosdoshme për të garantuar respektimin e rendit kushtetues dhe për të siguruar që procesi i konstituimit të Kuvendit të zhvillohet mbi bazën e rregullave të qarta ligjore e kushtetuese dhe brenda afatit 30 ditor të dhënë nga Gjykata Kushtetuese”.