Instituti për Hulumtimin e Gjenocidit në Kanada (IGK) e ka cilësuar si një akt të rrezikshëm dhe çnjerëzor vendimin e Amnesty International për ta quajtur gjenocidin e Srebrenicës në vitin 1995 “masakër”, duke theksuar se kjo nuk është një gabim gjuhësor, por një formë mohimi të vetmit gjenocid të njohur në tokën evropiane pas Holokaustit.
IGK nënvizon se përdorimi i këtij termi është një fyerje ndaj viktimave të gjenocidit, por edhe një akt poshtërimi ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe institucioneve ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara. Pikërisht nën ombrellën e OKB-së, dy gjykata ndërkombëtare – Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë – kanë konstatuar me vendime të formës së prerë se në Srebrenicë është kryer gjenocid.
Po ashtu, kujtohet se Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 2024 shpalli 11 Korrikun si Dita Ndërkombëtare e Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, në nderim të viktimave dhe për të forcuar ndërgjegjësimin global për të penguar mohimin dhe shtrembërimin e fakteve historike dhe juridike.
IGK përkujton gjithashtu se Parlamenti i Kanadasë në vitin 2015 miratoi njëzëri një rezolutë historike që shpall prillin si Muajin e Kujtimit, Dënimit dhe Parandalimit të Gjenocidit, duke njohur disa gjenocide përfshirë edhe atë në Srebrenicë. Në vitin 2010, po i njëjti parlament miratoi gjithashtu Rezolutën M-416, duke njohur zyrtarisht gjenocidin në Srebrenicë dhe duke vendosur një ditë përkujtimore për këtë krim në Kanada.
“Amnesty International në deklaratën e saj njeh vendimet e gjykatave ndërkombëtare, por sërish përdor fjalën ‘masakër’ për të përshkruar gjenocidin. Kjo kontradiktë e rrezikshme, çnjerëzore dhe fyese kontribuon në mohimin e gjenocidit – fenomen të cilin vetë Amnesty pretendon se dënon. Prandaj është thelbësore që të përdoren faktet gjyqësore dhe historike, dhe që krimi në Srebrenicë të emërtohet ashtu siç është: gjenocid,” thuhet në deklaratën e IGK.
IGK thekson se përdorimi i gabuar i termave përbën një ndihmë të drejtpërdrejtë për mohuesit e gjenocidit, revizionistët dhe glorifikuesit e kriminelëve të luftës të dënuar nga gjykatat ndërkombëtare.
Ekspertët ndërkombëtarë të IGK kërkojnë nga Amnesty International që menjëherë ta korrigjojë këtë gabim dhe të përdorë termin “gjenocid” në të gjitha tekstet, analizat dhe deklaratat e ardhshme që lidhen me Srebrenicën.