Ideologjia e çmendurisë - Gazeta Express
string(23) "ideologjia-e-cmendurise"

Ideologjia e çmendurisë

OP/ED

Gazeta Express

26/10/2021 10:51

Ideologjia nuk duhet të mbajë përgjegjësi për aktet e masakrës dhe dhunës: fajin e ka individi, dhe jo pikëpamja botërore në të cilën mbështetet ai apo ajo

Nga Rod Liddle

Lexo Edhe:

Në bankinën prej druri nga ku nisej trageti për në ishullin e vogël të Utojas, qëndroi për pak kohë një obelisk i vogël rreth të cilit njerëzit vendosnin lule. “Nëse një njeri mundi të shfaqë këtë urrejtje të madhe, imagjinoni sa dashuri mund të tregojmë që të gjithë së bashku!”, shkruhej aty.

Utoja gjendet në Liqenin Tirifjorden rreth 45 minuta në veri të Oslos, dhe është vendi ku “Lidhja e Rinisë së Punëtorëve” e Partisë Laburiste mbante kampingjet e saj verore. Kjo deri pasditen e korrikut 2011, kur u shfaq një burrë i quajtur Anders Breivik, i armatosur rëndë.

Ai vrau 69 njerëz në Utoja, 33 prej tyre nën moshën 18 vjeçare. Disa orë më parë ai kishte vrarë 8 persona përmes një auto-bombe të shpërthyer nën një ndërtesë qeveritare në kryeqytet. Konsensusi midis publikut dhe politikanëve të shokuar norvegjezë ishte se Breivik ishte një i çmendur, dhe ky ishte në fakt edhe zbulimi i parë nga një ekip psikiatrish. Por me kalimin e kohës kjo pikëpamje u sfidua për arsye të cilat mund të përshkruhen vetëm si politike.

E majta argumentoi me forcë, se Breivik nuk ishte i çmendur. Se ai ishte thjesht shumë i djathtë. Sipas saj, veprimet e tij vrastare ishin pasojat e drejtpërdrejta të ideologjisë së tij. Dhe kjo është ajo ku të çon për shembull mospëlqimi i emigracionit. Pra, fajtore ishte politika e urrejtjes, siç përmendej edhe në obelisk.

Breivik u ri-ekzaminua dhe u shpall mendërisht i shëndetshëm. Tani ai po vuan një dënim prej 21 vitesh burg. Po mendoja për Breivikun, kur lexova lajmin e një krimi të ngjashëm në Norvegji, atë të vrasësit me“hark dhe shigjeta”, Espen Andersen Brathen, 37 vjeç, që vrau 5 kalimtarë në qytetin e Kongsbergut, pasi i kishte qëlluar fillimisht me shigjetat e tij, dhe më pas i kishte goditur me thikë.

Tre të tjerë mbetën të plagosur. Reagimi i menjëhershëm ndaj këtij akti të tmerrshëm ishte shumë e ndryshme ndaj masakrës së Breivikut. Shumë shpejt u zbulua se Brathen, një shtetas danez, ishte konvertuar në besimin Islam, dhe autoritetet njoftuan menjëherë se ata po e trajtonin incidentin si një sulm terrorist.

Kjo ishte një javë më parë. Por tani autoritetet kanë ndryshuar mendje. Deklaratat e fundit nga policia norvegjeze hodhën poshtë lidhjet fetare të Brathen, dhe në vend të kësaj autoritetet janë përqendruar në faktin se ai kishte probleme të shëndetit mendor.

Pra, ata po bëjnë pikërisht të kundërtën e asaj që bënë në rastin e Anders Breivik. A është Brathen i çmendur? Ai sulmoi njerëz të panjohur me hark dhe shigjetë, para se t’i godiste me thikë. Më duket se është një veprim që dikush mund ta përshkruajë në mënyrë të arsyeshme si të shkaktuar nga marrëzia.

Por po ashtu, ne jemi mësuar disi me autoritetet që i shpjegojnë akte të tilla si të nxitura nga ekstremizmit islamik, për të thënë më pas se ato ishin në fakt pasojë e çmendurisë. Pra, në rastin e Breivik, bindjet e tij të djathta çuan drejtpërdrejt në vrasjen e 77 njerëzve.

Megjithatë besimi radikal islamik i Brathen, kishte një rëndësi të vogël për të na ndihmuar të kuptojmë vrasjet që kreu ai. Mos harroni se edhe vrasja e deputetes laburiste Xho Koks në vitin 2016 nga Tomas Meir, u cilësua menjëherë si një akt i terrorizmit të ekstremit të djathtë, çka çoi në shtimin e mbikëqyrjes së shërbimeve britanike të inteligjencës ndaj ekstremistëve të krahut të djathtë.

Në atë kohë askush nuk sugjeroi se Meir ishte thjesht i çmendur. Madje, në një artikull në “Times”, David Aronoviç e lidhi vrasjen e Koks me gjuhën e atyre që bënin fushatë pro-Brexit. Analiza ime mbi ngjarje të tilla është më e thjeshtë. Të gjitha këto vrasje, nga e djathta ekstreme përmes xhihadistëve islamikë,tek Brigadat e Kuqe në Itali dhe Bandën Bader-Meinhof në Gjermaninë Perëndimore,kryhen nga individë dhe sociopatë me probleme të mëdha.

Unë prirem që t’i përmbahem pikëpamjes së shprehur nga një prej psikiatërve të parë që ekzaminoi Breivikun,dhe që më vonë pa t’i shkatërrohej tërësisht reputacioni si profesionist, kur vala politike u kthye në anën tjetër.

Torgeir Husbi më tha në vitin 2015:“Teoria ime është se dhuna është mendimi i tyre kryesor, dhe ideologjia politike vjen më pas. Bota e tyre politike ekziston vetëm për të pasur një botë ku ata mund të jenë psikotikë”. Kjo diagnozë është më se e qartë. Ideologjia nuk duhet të mbajë përgjegjësi për aktet e masakrës dhe dhunës:fajin e ka individi, dhe jo pikëpamja botërore ndaj së cilës mbështet ai apo ajo. / “The Spectator” – Bota.al