Identifikimi biometrik në zgjedhje, Borchardt nxjerr blof Gjiknurin - Gazeta Express

Shqiperi

Gazeta Express

31/05/2020 18:16

Identifikimi biometrik në zgjedhje, Borchardt nxjerr blof Gjiknurin

Shqiperi

Gazeta Express

31/05/2020 18:16

Pika më e rëndësishme që ka përplasur për disa ditë maxhorancën dhe opozitën në tavolinën e reformës zgjedhore ka qenë ajo e identifikimit biometrik të zgjedhësve, një pikë e kërkuar nga opozita por e papranuar prej socialistëve.

Argumenti i kahershëm i përfaqësuesit të qeverisë në tavolinën e Këshillit Politik, ka qenë përherë një raport i OSBE/ODIHR i cili sugjeronte që futja e teknologjisë (votimi elektronik) do të kërkonte kohë dhe se duhej aplikuar hap pas hapi. Sugjerimi fliste për 10% të të gjithë hapësirës ku do të kryhej votim e zgjedhje.

 “Jemi dakord, por nuk mund të vihen në dyshim zgjedhjet se nuk punoi teknologjia. Uroj që kjo mos përdoret si sebep. Ne nuk kemi dhënë dot garanci 100%. ODIHR ka kthyer përgjigje e thotë se rekomandohet se teknologjia nuk duhet më shumë se 10% e duhet bërë shkallë – shkallë” – do të shprehej Gjiknuri për një propozim për të cilin fillimisht maxhoranca ishte dakort.

Por ndryshe rezulton të thotë vetë OSBE. Kreu i saj në Tiranë Bernd Borchardt, në intervistë për Vizion+, ka deklaruar se mjafton që palët të bien dakord për aplikimin e identifikimit biometric dhe më tutje duhet aplikuar teknologjia. E vetmja çështje që vë në dukje Borchardt është koha, pasi implementimi i teknologjisë do të kërkojë kohë dhe resurse.

Pyetje: A është e realizueshme kërkesa e opozitës për aplikimin e identifikimit biometrik në të gjithë vendin dhe një projekt pilot për votimin dhe numërimin elektronik?

Ambasadori Borchardt: Pikë së pari, lejomëni të theksoj se tani po prekim çështje të cilat nuk janë pjesë e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Kjo është diçka e mundshme. Di dy shtete pjesëmarrëse të OSBE-së, që e përdorin identifikimin biometrik. Pra, në parim, është e mundur. Nevojitet konsensus dhe ky konsesus duhet të jetë i shpejtë, pasi zbatimi kërkon kohë. Duhet bërë procesi i prokurimit, duhet përgatitur pajisjet, duhen kalibruar, duhen futur të dhënat, duhen testuar, në mënyrë që të mos ketë asnjë problem ditën e zgjedhjeve. Pra, shqetësimi im është koha – duhet të ndodhë shumë shpejt. Nëse vendoset, ne, sigurisht, do ta mbështetim Shqipërinë për zbatimin. Por ky është plotësisht vendim që i takon Shqipërisë ta marrë.