Ibri nuk turbullohet në lumin Rashka! - Gazeta Express
string(36) "ibri-nuk-turbullohet-ne-lumin-rashka"

Ibri nuk turbullohet në lumin Rashka!

OP/ED

Gazeta Express

10/08/2023 13:39

Vuçiqi këtë e ka të qartë, gjë që dëshmohet me faktin se nga arritja e marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, çdo konflikt dhe mosmarrëveshje ka qenë në territorin e Kosovës dhe ka pasur për objekt shtetasit dhe institucionet e shtetit të Kosovës. Është joserioze dhe përpjekje e kotë insistimi pareshtur i pushtetit në Kosovë për të provuar se uji i turbullt në Ibër vjen nga lumi Rashkë (sic!).

Shkruan: Enver Hasani

Lexo Edhe:

Përmbajtja e letrës dhe reagimet e palëve të afektuara

Ditë më parë, u bë publike një letër drejtuar SHBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe, nga deputetë e shefa të marrëdhënieve me jashtë të vendeve mike me Kosovën, përfshirë Ukrainën. Në letër kërkohej një qëndrim më i ashpër ndaj Serbisë dhe shprehej brenga për përkëdheljen e Serbisë nga Perëndimi. Letra për këtë si shembull e merr tolerimin e rrëmbimit arbitrar të policëve të Kosovës, ushtrimin e dhunës ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe mosvënien e sanksioneve Rusisë. Asnjë fjalë nuk thuhet për sulmin e huliganëve serbë ndaj gazetarëve kosovarë dhe tolerimin e tyre nga ana e KFOR-it (sic!). Kjo këtu nuk ka rëndësi, meqë nuk duam të flasim për lirinë e shprehjes, si formën më sublime të institutit të lirisë së medies në një shoqëri të hapur dhe demokratike. Qëllimi i këtyre rreshtave është ofrimi i një leximi tjetër të kësaj letre, me qëllim shpjegimin e përpjekjeve për të kuptuar (vetë) kënaqësinë që shprehu lidhur me letrën Qeveria e Kosovës, e cila bazohet në një lexim qartësisht të gabuar të mesazhit të letrës. Ky mesazh i deklaratës së 10 kryetarëve të komisioneve për punë të jashtme dhe 56 deputetëve, që i bën thirrje SHBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe për ndryshim të qasjes ndaj Serbisë, nga pushteti ynë u pa si solidaritet me Kosovën. Në këtë lexim, qartësisht të gabuar, hyn edhe cilësimi nga pushteti i letrës si një përpjekje për “një qasje më të vëmendshme për rajonin ndaj kërcënimit që vjen nga qëndrimi dhe veprimet agresive të Serbisë.”

Në Kosovë, sakaq u vu një paralele mes situatës me Serbinë e kohës së diktatorit serb, Sllobodan Millosheviq, duke u mbështetur në vëzhgimet e ambasadorit të fundit amerikan në Beograd, Warren Zimmermann, që i pat dhënë në “Foreign Affiars” (mars-prill 1995). Rileximi i këtij shkrimi u bë me qëllim që të provohet se tragjedia jugosllave kishte ndodhur si pasojë e tolerimit të Millosheviqit nga perëndimorët: pa këtë tolerim, një gjë e tillë nuk do të ndodhte. Këtë mendim, në fakt, nuk e shpreh shkrimi, sepse autori aty qartë tregon se ai dhe shteti i tij, që në fillim e kishin konsideruar Millosheviqin dhe liderin e serbëve të Bosnjës, kriminelin e luftës Radovan Karaxhiq, si engjëj të nacionalizmit agresiv serb. Nuk besoj që ka dikush me dy palë mend në kokë që beson se Vuçiq sot shikohet nga Washingtoni e përfaqësuesit e tij zyrtar si dikur Millosheviqi e Karaxhiqi!

Edhe në Serbi nuk mungoi reagimi ndaj letrës. Vuçiqi tha se letra kishte të bënte me Serbinë, jo me të, se ai ndihet krenar që nuk e njeh Kosovën dhe, së fundi, se nënshkruesi i letrës nga Ukraina nuk mund të ishte më i mençur se shefi i tij, presidenti V. Zelenski. Ky qëndrim ishte në linjë me deklaratën e ambasadorit ukrainas në Beograd, që tha se për njohje të Kosovës vendos presidenti Zelenski dhe se vendi i tij e respektonte integritetin territorial të Serbisë. Nuk e pyetën nëse në këtë integritet futej Kosova. Një gjë e tillë nuk mund të nënkuptohet, duhet të thuhet. Ajo që u nënkuptua ishte cinizmi brutal që shprehu kur tha se njohja e Kosovës i takonte presidentit Zelenski, për faktin se dihet botërisht që njohjen e shtetit në të drejtën ndërkombëtare e bën ekzekutivi vendit, jo parlamenti!

Chris Hill dhe përpjekjet e tij realiste

Jo pak teoricienë të marrëdhënieve ndërkombëtare, diplomatë, politologë dhe të tjerë e marrin luftën e Kosovës (qershor 1999) si moment kur mori fund Pax Americana, epoka e bekimit tonë më të madh që nga koha e Skënderbeut. Në këtë kohë, morali manikean ka dominuar politikën e jashtme amerikane dhe ka gjetur zbatim kurdo, sido dhe ndaj kujtdo në botë. Chris Hill, më mirë se kushdo tjetër, së paku sa i përket Ballkanit, ka argumentuar fundin e këtij morali dhe përshtatjen e politikës së jashtme amerikane me kushtet e reja të sistemit multipolar. E kam fjalën për përsiatjet e tij në librin “Outpost: A Diplomat at Work” (2015). Nga viti i botimit shihet se bëhet fjalë për një pikëpamje të shprehur para se ai ta marrë postin e ambasadorit amerikan në Beograd. Në paraqitjet e tij jo të rralla, Hilli i tregon qartë publikut se nuk vihet seriozisht në dyshim orientimi evro-atalantik i Serbisë, pa shfaqur asnjë paralele mes kohës së Zimmermannit dhe kohës së sotme. Qasjen e tij e përshkon realizmi, si dikur në kushtet e rirreshtimit të botës, dobësisë kronike ruse dhe kineze, kur sfidimi i rendit ndërkombëtar në ndërtim e sipër nga Amerika dhe aleatët e saj, nga diktatorët lokalë, si Millosheviq ose Sadam Husein, as që mund të mendohej e tolerohej. Ai rend ndërkombëtar nuk kishte premisa ideologjike ose fetare, sepse lëvizjet terroriste me bazë fetare akoma nuk kishin hyrë në skenë, gjë që e bënte të lehtë dhe të parashikueshëm projektimin amerikan të forcës ushtarake dhe përkthimin e fuqisë së butë amerikane në një forcë shtytëse e tërheqëse për miliona njerëz dhe territore anembanë botës. Në atë kohë, nuk ka qenë reale të pritej që Rusia ose Kina të shërbejnë si balancues të fuqisë amerikane, në cilindo cep të botës.

As sot, sipas së njëjtës qasje metodologjike, nuk është reale të pritet që SHBA-ja dhe aleatët e saj të kenë prioritet frenimin e ambicieve eventuale autoritare të Vuçiqit, vetëm për shkak se dikush në Prishtinë imagjinon një gjë të tillë: prirja autoritare e liderit serb, sado që ngjason me Millosheviqin, në thelb nuk është e tillë. Kjo, për faktin se nuk është reale të pritet që Vuçiqi të ketë ambicie për projektim të forcës ushtarake në një Ballkan ku më nuk ekziston asnjë lider tjetër me ambicie serioze për zgjidhje ushtarake dhe me forcë të problemeve thellësisht politike. Këtë qasje reale kësisoj, pra që nuk e sheh Vuçiqin me sytë e pushtetarëve kosovarë, e shohim përditë nga paraqitjet e ambasadorit amerikan në Beograd, dhe atë me shumë të drejtë: orientimi i politikës së jashtme amerikane është bipartizan, sado që në qasjet e ndryshme të administratave të ndryshme amerikane favorizohen liderë të caktuar lokalë, si në Kosovë ashtu dhe në Serbi. Pikërisht fakti që ka hapësirë për favorizim të liderëve të caktuar lokalë në Beograd dhe Prishtinë, në ndërkohë që politika ndaj Kosovës dhe Serbisë ngelet bipartizane, e provon qartësisht qasjen realiste të ambasadorit Ch. Hill, e cila duhet të merret shumë seriozisht nga të gjithë.

Lufta në Ukrainë dhe besimi se shpejt do të dihet epilogu i saj

Lidershipi në Prishtinë, sërish e sheh në mënyrë të gabuar letrën si më sipër, si një solidaritet me Kosovën, siç e ka parë fillimin e agresionit rus në Ukrainë: ky lidership rrinte duke fërkuar duart në tragjedinë që po shpalosej atje, duke pritur që bota të izolonte dhe të sanksiononte Serbinë, si një mik tradicional të Rusisë, bashkë me pasardhësin e Millosheviqit në Beograd! Kjo, megjithatë, nuk ndodhi. Nuk ndodhi sepse konteksti global gjeopolitik brenda të cilit operon Perëndimi sot është krejtësisht tjetër. Ai operon në rendin dhe marrëdhëniet ndërkombëtare që ndryshuan rrënjësisht pas Luftës së Kosovës (1999) dhe tragjedisë së 11 shtatorit 2001.

Në të njëjtën kohë që Perëndimi kishte besuar se agresioni në Ukrainë mund të mos zgjaste shumë, edhe Putini ka shpresuar se për pak javë do të mposhtte rezistencën e Kievit. Gabimi në llogaritje i Perëndimit mbart një rrezik tjetër, me një natyrë strategjike më të thellë. Putini me siguri ka pendesë për agresionin e nisur, jo pse nuk arriti ta marrë Ukrainën me shpejtësinë e parashikuar, por sepse e ekspozoi dobësinë ushtarake të shtetit të vet dhe arriti homogjenizimin e perëndimorëve si asnjëherë më parë. Në anën tjetër, Perëndimi mund të pendohet për moshyrjen në luftë në anën e Ukrainës edhe më hapur dhe më me vendosmëri, përmes armatimit të saj më fuqishëm dhe më fort se deri tani. Në këtë lëshim qëndron rreziku strategjik i radhës: mosarmatimi i shpejt dhe i fortë i Ukrainës mund të çojë në dobësimin e homogjenitetit të krijuar perëndimor, këtij aseti më të madh aktualisht në aspektin gjeostrategjik. Ky homogjenitet nuk prishet nëse Perëndimi vepron, siç edhe po bën, me një maturi dhe kujdes të shtuar, në hapat balansues ndaj Kinës: balansimi i Kinës dhe përafrimi i SHBA-së dhe Evropës me të, me synim arritjen e një partneriteti gjeostrategjik sa i përket paqes dhe stabilitetit në shkallë globale (Irani, Lindja Mesme, Tajvani, Deti i Kinës Jugore, etj) vetëm sa e dobëson Rusinë dhe rolin e saj të synuar për të qenë sërish partner në arkitekturën e sigurisë evropiane. Kjo qasje ndaj Kinës, e thënë ndryshe, e bën Rusinë më pak të rëndësishme në çështjet e sigurisë evropiane dhe më gjerë, sepse vetë Putini ka pranuar të luajë rolin e “mashës kineze” në marrëdhëniet me Perëndimin.

Kush po turbullon ujin?

Këtë kontekst global të veprimit të Perëndimit duhet pasur parasysh me rastin e leximit të letrës, e cila duhet parë edhe në dritën e luftës së stërgjatur në Ukrainë si dhe pasojat që mund të sjellë kjo për raportin e Kosovës me Serbinë (sic!). Në këtë kuptim, letra nuk duhet parë si një shkop për Serbinë, sepse është bërë për të mirën e saj; ajo nuk ka për qëllim disiplinimin e Serbisë si në kohën e Millosheviqit. Letra qartë shpreh brengën për Serbinë, e cila shihet si një partner që po humb kohë dhe po e vë në dyshim besimin e rifituar në Perëndim me premtimet fillestare se do të jetë konstruktive në raport me Ukrainën dhe Rusinë. Vuçiqi këtë e ka të qartë, gjë që dëshmohet me faktin se, nga arritja e marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, çdo konflikt dhe mosmarrëveshje ka qenë në territorin e Kosovës dhe ka pasur për objekt shtetasit dhe institucionet e Shtetit të Kosovës. Është joserioze dhe përpjekje e kotë insistimi pareshtur i pushtetit në Kosovë për të provuar se uji i turbullt në Ibër vjen nga lumi Rashkë (sic!).

U mor vesh, letra as për Kosovën nuk është një shkop, për faktin e thjeshtë se tanimë ekzistojnë sanksionet e BE-së kundër saj. Letra as si karotë nuk duhet të merret, pra si shprehje solidariteti me ne dhe si alarm për sjelljet luftënxitëse të Serbisë. Kjo nuk mund të jetë kështu! Kosova ka marrë karotën e saj me paraqitjen e Escobarit në Kongresin Amerikan, ditë më parë, kur ai bëri të qartë se Amerika është e gatshme dhe në pritje që Kosova të marshojë drejt integrimit evro-atlantik, në rend të parë duke formuar Bashkësinë e Komunave Serbe. Ky veprim i palës kosovare, dhe vetëm ky, jo sekuencimi apo zbatimi “zgjidh e merr” i zotimeve të marra ndërkombëtare, përbën garancinë reale se SHBA-ja do të nis një ofensivë për fitimin e njohjeve të tjera ndërkombëtare dhe integrim të Kosovës në institucione e struktura mulitlaterale ndërkombëtare, në rend të parë përafrimin e saj me strukturat e sigurisë së NATO-s përmes aranzhimeve stabile institucionale. Ky është mesazhi i letrës, josolidariteti dhe pengimi i një konflikti të ri të armatosur, aq më pak pengimi i përshkallëzimit të situatës mes dy vendeve. Te romani “Për kë bie kambana” (1940), E. Hemingway, kur flet për temën kryesore, humbjen e pafajësisë, na tregon që morali në momente konflikti dhe tensioni është subjektiv dhe anët e së mirës dhe së keqes gati asnjëherë nuk janë të qarta. Pa anë të qarta të së mirës dhe së keqes, pushtetarët në Kosovë kot provojnë të ndërtojnë ndjenjat e një fitoreje madhështore, ndjenjat e triumfit dhe kënaqësisë, sepse nuk ekziston asnjë përfundim që thotë se e mira fitoi mbi të keqen. Kjo është forma letrare e asaj që në teori të marrëdhënieve ndërkombëtare quhet fitore absolute, përkatësisht situatë “win-win” (ku dy palët fitojnë).

*Autori është kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese dhe profesor i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare