Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi tha për rtv21 se qeveria e Kosovës do duhej që të themelonte grantin e katërt në mënyrë që komunat e Kosovës të përfitojnë një ndarje të barabartë të buxhetit. Ibrahimi ndarjet buxhetore për investime kapitale nëpër komuna e ka cilësuar si fenomen që po përsëritet vit pas viti dhe siç tha vetëm granti i katërt është zgjidhja për këtë çështje. Deklarata e Ibrahimit pasoi një analizë të institutit GAP ku ka theksuar se shpërndarja e investimeve kapitale nga niveli qendror është i pabarabartë duke favorizuar komunat e udhëhequra nga LVV.
“Ky është fenomen i cili ndalohet nëse themelohet granti i katërt. Ka pasur implikime politike, shumica absolute e kryetarëve kanë ngritur këtë shqetësim që ka pasur në disa raste edhe kritere politike në ndarjet buxhetore nga ministritë e linjës. Është shumë me rëndësi të theksohet se këto ndarje buxhetore po bëhen nga ministritë e linjës dhe jo nga qeveria si të tilla. “, tha Ibrahimi.
Ibrahimi tha se shqetësimi më i madh i kryetarëve të komunave të Kosovës është se ministritë e linjës po kryejnë investime nëpër komuna të caktuara edhe pse kompetenca ligjore për këto investime është e komunave
“Me legjislacionin në fuqi grantet komunale janë të garantuara, por hileja më e madhe po bëhet nga ministritë e linjës ku po të ishte granti i katërt ministritë e linjës nuk do të kishin mundësi të investonin drejtë për drejtë në nivelin lokal ku kompetencat i kanë komunat dhe pastaj mjetet do të shpërndaheshin në mënyrë të barabartë. “ tha ai.
“Në bazë të analizës së Institutit GAP po del që dallimet do të ndodhin këtë vit po shpresojmë që nëse amandamentohet ligji për financat lokale, ky fenomen do të ndërpritet dhe të gjitha komunat e Kosovës në të ardhmen do të trajtohen në mënyrë të barabartë nga ministritë e linjës. Paramendo, ministria e infrastrukturës investon në rrugë lokale ndërsa kompetenca ligjore për investime është e komunës. DMTH kjo ka qenë argumenti kryesor i joni pse ministria nga niveli qendror të investojë në rrugë lokale kur kompetenca është e komunës? Pra ne mendojmë që ministritë që investojnë direkt në komuna do duhej që t’i bënin në mënyrë të barabartë dhe mendojmë që granti i katërt do të evitonte këtë fenomen.”, shtoi Ibrhaimi.