Ibrahim Kelmendi për Express: Qerimin e vranë mercenarët e BIA-s - Gazeta Express

Ibrahim Kelmendi për Express: Qerimin e vranë mercenarët e BIA-s

Lajme

Arlena Krivenjeva

27/02/2020 12:16

Ibrahim Kelmendi ka folur për herë të parë pas vrasjes së vëllait të tij në një përgjigje për Gazetën Express. Kelmendi, që momentalisht është duke jetuar jashtë Kosovës, dyshon se Qerimi mund të jetë vrarë nga profesionistë të BIA-s serbe.

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qerim Kelmendi, në orët e para të ditës së sotme u gjet nga policia i djegur në veturën e tij në fshatin Zahaq të Komunës së Pejës.

Deri më tani organet e rendit, nuk kanë bërë publike dyshimet e para. Për Kelmendin, u tha se mund të ketë qenë i ftuar apo dëshmitar në Gjykatën Speciale, mirëpo këtë informacion e kanë mohuar në familjen e tij.

Ish-udhëheqësi i Lëvizjes Popullore të Kosovës, Ibrahim Kelmendi, në një bisedë për Gazetën Express thotë se vëllai i tij i ndjerë deri sot nuk ka marrë asnjë ftesë për intervistim nga Gjykata Speciale. Ai thotë se me Qerimin kishte komunikuar çdo ditë, e se ai nuk e kishte shfaqur ndonjë shqetësim, përveç atyre për të cilat thotë se ka shkruar edhe publikisht, e që ishin vrasjet politike.

“Deri sot nuk ka marrë asnjë lloj ftese nga strukturat e të ashtuquajturës Gjykatë Speciale. Për herë të fundit jemi pa para katër vitesh, meqë unë jam larg Kosove. Por përmes FCB kemi komunikuar përditë. Hera e fundit ishte pardje. Nuk ka shfaqur asnjë shqetësim ekstra, pos atyre që i ka shfaq në FCB, gjatë debatit për “vrasjet politike”, shton ai.

Kelmendi i ka thënë Gazetës Express se dyshon që prapa vrasjes së vëllait të tij qëndrojnë vrasës mercenarë, apo profesionistë të BIA-s serbe, që thotë se këtë e kanë bërë për të ndezur edhe më shumë armiqësimin mes krahut të luftës dhe atij të paqes.

“Dyshoj në vrasës mercenarë apo profesionistë të BIA-s së Serbisë, e cila duhet të ketë shfrytëzua rastin e debatit dhe grindjeve për “vrasjet politike”, për ta ndez edhe më shumë armiqësimin mes “krahëve” të luftë dhe pacifist.

Sa herë që nxiten grindje e debate, BIA shfrytëzon rastin të bëjë vrasje, për ta armiqësuar sa më shumë ambientin mes shqiptarëve”, deklaron Kelmendi.

Policia e Kosovës ndërkaq përmes një komunikate nisur për media ka njoftuar se vetura në të cilën dyshohet se ishte Qerim Kelmendi është gjetur e djegur e tëra.

“Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, është informuar se në fshatin Zahaq-Pejë, në një rrugë është duke u djegur një veturë. Me të marrë informatën njësitet e Stacionit Policor në Pejë kanë shkuar në vendngjarje, ku ka vërejtur një veturë e cila ishte përfshirë tërësisht nga zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë arritur njësitet e zjarrfikësve të cilët e kanë shuar në tërësi zjarrin”, ka bërë të ditur policia.

Qerim Kelmendi ishte një prej ushtarëve të parë të UÇK-së, mik i heroit Ilir Konushevc idhe vëllai i Ibrahim Kelmendit, njërit nga drejtuesit e Lëvizjes Popullore të Kosovës.

Për vrasjen e tij kanë reaguar presidenti i shtetit, Hashim Thaçi, ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtar të tij. /GazetaExpress/