Ibishi: Renditja e Kosovës në Gallup pasqyron meritat e qytetarëve - Gazeta Express
string(65) "ibishi-renditja-e-kosoves-ne-gallup-pasqyron-meritat-e-qytetareve"

Lajme

Gazeta Express

23/09/2025 7:00

Ibishi: Renditja e Kosovës në Gallup pasqyron meritat e qytetarëve

Lajme

Gazeta Express

23/09/2025 7:00

Nuredin Ibishi, njohës i sigurisë, ka komentuar për Indeksin për Ligj dhe Rend, ku Kosova është renditur e para në Evropë dhe e treta në botë, sipas raportit të organizatës amerikane Gallup “Siguria Globale 2025”.

“Këto rezultate janë për t’u mburrur, pasi përkundër sfidave politike, qytetarët kanë treguar rezistencë dhe kjo pasqyron sigurinë personale”, ka thënë Ibishi në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.

Ai ka theksuar se arritjet nuk i takojnë vetëm institucioneve, por kryesisht qytetarëve:
“Unë mendoj që krejt këto rezultate nga Gallup-i janë merita e qytetarëve, pasi ka më pak se gjashtë muaj që vendi ishte pa Kuvend, dhe megjithatë, qytetarët arritën këto rezultate. Mirëpo, nuk duhet t’i humbim edhe pak meritat e kësaj qeverie”, ka shtuar Ibishi.

Ky koment vjen pas publikimit të raportit ku Kosova ka marrë 94 pikë nga 100 në Indeksin për Ligj dhe Rend, duke u bërë një nga vendet më të sigurta në botë sipas Gallup-it.

Kosova ka arritur një rezultat të jashtëzakonshëm prej 94 pikësh nga gjithsej 100 në Indeksin për Ligj dhe Rend, duke zënë vendin e tretë në botë dhe të parin në Evropë, sipas raportit të fundit të Gallup International Association. Në nivel global, vetëm Taxhikistani dhe Singapori kanë arritur rezultat më të mirë se Kosova.

Pas Taxhikistanit, Singaporit dhe Kosovës, vijnë Kina, Islanda, Vietnami, Norvegjia, Austria, Bahreini dhe Omani, duke kompletuar listën e dhjetë vendeve më të sigurta në botë. Në fund të listës janë Liberia, Sierra Leone, Chadi, Uganda, Republika e Kongës, Afrika e Jugut, Peruja, Republika Demokratike e Kongos, Nigeria dhe Kenia.

Kosova është në dhjetëshen e parë në botë për sigurinë gjatë ecjes natën, duke lënë pas Finlandën, Islandën e Zvicrën. Para Kosovës janë Danimarka, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Norvegjia, Kuvajti, Hong Kongu, Arabia Saudite e Singapori.

E kësaj arritjeje i është gëzuar edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili deklaroi se “kjo është shenjë që qytetarët tanë gëzojnë një nga të drejtat e tyre themelore, dhe pasqyron forcën e institucioneve tona” në zbatimin e rendit dhe ligjit.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, falënderoi “çdo pjesëtar të strukturave të sigurisë për përgjegjësinë e lartë dhe çdo qytetar për kontributin e përditshëm” në ruajtjen e rendit, sigurisë dhe stabilitetit të përgjithshëm në Kosovë.

Ndryshe, megjithëse zyrtarë të qeverisë në detyrë i bënë jehonë suksesit duke marrë meritat për vete, duhet theksuar se Kosova edhe në të kaluarën ka regjistruar rezultate të larta në indeksin për Rend dhe Ligj, veçanërisht gjatë dekadës së fundit.