Novak Djokovic dikur ishte përkrahës i madh i presidentit Aleksander Vuçiç.
Mirëpo, në vitet e fundit tenisti serb ia ka kthyer shpinën kreut të shtetit duke u rreshtuar kah protestuesit, të cilët po e kërkojnë rrëzimin e tij.
E kjo ftohje raportesh ka bërë që fituesi i shumëfishtë i Grand Slam ta mendojë jetën jashtë Serbisë.
Në fakt, Djokovic thuhet se i ka regjistruar fëmijët në një shkollë private britanike në Athinë, derisa familja e tij duket se do ta nisë një jetë të re në Greqi.
Sipas “Tennis24”, ai i ka regjistruar të birin (11 vjeç), Stefan dhe të bijën, Tara (8 vjeçe) në “Saint Lawrenca College” në Athinë, ndërsa e ka blerë edhe një shtëpi në jug të kryeqytetit grek, përcjell “Gazeta Express”.
Ky vendim duket se vjen pasi Qeveria serbe e ka shënjestruar tenistin më të suksesshëm në histori për shkak të mbështetjes së tij ndaj protestave studentore.
Fituesi i 24 Grand Slam qe një kohë konsiderohet si hero kombëtar, por ai së fundmi është bërë cak i goditjes nga ana e mediave të afërta me presidentin Vuçiç.
Djokovic publikoi mesazhe solidariteti ndaj studentëve protestues, derisa gjithçka nisi pas tragjedisë që ndodhi në Novi Sad, ku e humbën jetën dhjetëra qytetarë serbë.
“Studentët janë kampionë”, shkruante në bluzën e Djokovicit, që i mbështeste iniciatorët e protestave, që tashmë janë bërë masive.
Mediat e afërta me pushtetin kanë bërë reagime të ashpra, ndërsa Djokovicin e konsiderojnë si “patriot i rremë”. /Gazeta Express
Nga Europa drejt biznesit tënd – nisje çdo javë me 3P Logistics, shpejt, sigurt dhe pa stres! Kur bëhet...