Albin Kurti, kryeministër në detyrë, ka treguar se ai ka qenë 10 vjeçar kur edhe e ka takuar për herë të parë ish-kryeministrin në ekzil të Kosovës, Bujar Bukoshin, i cili dy ditë më parë ndërroi jetë në moshën 78-vjeçare, shkruan Gazeta Express.
Kurti në deklarimin e tij, ka thënë se ish-kryeministrin Bukoshi e kishte takuar në vitin 1985, pasi që prindërit e tij kishin organizuar një ndejë për mjekët që kishin përfunduar me sukses operacionin e babait të tij në Spitalin e Prishtinës.
Kryeministri në detyrë, ka theksuar se prindërit e tij e admironin Bukoshin, porse edhe ai kishte admirim për të.
‘‘Unë personalisht Dr. Bujarin e kam takuar për herë të parë në jetë në moshën time 10-vjecare. Ka qenë viti i largët 1985 atëherë kur prindërit e mi patën organizuar një ndejë për mjekët që kishin përfunduar me sukses operacionin e babait tim në Spitalin e Prishtinës pas shpërthimit të idhëzës. Kurrë nuk e harroj admirimin që kishin prindërit e mi për Dr. Bujarin e Dr. Zanën, por njëkohësisht unë kisha edhe një admirim shtesë; sa fëmijëror, ndoshta edhe kombëtar. Më pëlqenin emrat e këtyre dy doktorëve, që prindërit e mi i admironin si profesionist të shquar shqiptar; Bujar dhe Zana. Unë do të dëshiroja që edhe prindërit e mi të kishin aso emra shqip, por isha veçse 10 vjeç atëbotë’’, ka deklaruar ai. /GazetaExpress