I vranë djalin në derën e shtëpisë, flet mjeku reanimator: Shoku pa autorin, çfarë i tha kur e qëlloi - Gazeta Express
string(98) "i-vrane-djalin-ne-deren-e-shtepise-flet-mjeku-reanimator-shoku-pa-autorin-cfare-i-tha-kur-e-qelloi"

I vranë djalin në derën e shtëpisë, flet mjeku reanimator: Shoku pa autorin, çfarë i tha kur e qëlloi

Gazeta Express

29/05/2020 15:59

Mjeku reanimator i njohur në qytetin e Vlorës, Edmond Breshanaj, ka pranuar të flasë për ngjarjen e rëndë të ndodhur pak ditë më parë, ku i vrarë mbeti djali i tij. 

Mjeku shprehet se djali nuk ka pasur konflikte të mëparshme dhe se ka qenë njëri jo problematik duke kërkuar të zbardhet sa më shpejt shkaku i vrasjes së tij.

Lexo Edhe:

Pak pas mesnatës së të dielës, një person ende i paidentifikuar ka qëlluar për vdekje djalin e mjekut Breshanaj, Kristjan Breshanaj. Ky i fundit ishte duke u kthyer në shtëpi, teksa ka rënë pre e atentatit mafioz. Edmond Breshanaj i bën apel shtetit dhe Policisë të zbulojnë ngjarjen ku mbeti i vrarë djali i tij.

I tronditur nga ngjarja, ai ka rrëfyer se djali i tij nuk ka pasur asnjë konflikt, ndërsa në Belgjikë ka punuar si barist, ku në pjesën më të madhe të kohës i dërgonte familja para. Sipas Breshanaj, ai nuk di që djali i tij të ketë bërë punë të jashtëligjshme gjatë kohës që qëndroi në Belgjikë, si dhe djali i tij lëvizte lirshëm në qytetin e Vlorës, nuk ruhej nga askush. Ai ka thënë që Policia e Shtetit duhet të gjejë autorët dhe të mësojë se pse iu vra djali në derë të shtëpisë.

PRONONCIMI

Sipas Edmond Breshanaj, lajmin për vrasjen e të birit e ka marrë nga bashkëshortja e tij. Ka qenë kjo e fundit që ka dëgjuar krismat e armës jashtë banesës, ku më pas ka dalë dhe ka parë djalin të pajetë në rrugë.

“U dëgjuan krisma pas shtëpisë sime. Më merr gruaja në telefon dhe më thotë që dëgjoi disa krisma armësh dhe se djali nuk kishte shkuar ende në shtëpi. Atëherë marrë në telefon djalin dhe nuk përgjigjej askush. I them nuses dil hap portën, mos ki frikë. Ajo gjen djalin të shtrirë në rrugë, të mbytur në gjak. Telefonoj Policinë dhe i them që më kanë vrarë djalin. Shkoj te shtëpia dhe e gjej djalin të mbuluar në gjak dhe nusen mbi fëmijë”, është shprehur mjeku reanimator.

Më tej, ai ka treguar se Kristjani nuk ka qenë vetëm momentin kur u qëllua për vdekje. “Ai ka qenë bashkë me shokun e tij. Autori e kishte qëlluar nga larg dhe pastaj nga afër. Shoku kishte reaguar, i kishte thënë “mos vëlla, çfarë bën””, është shprehur ai. Breshanaj tregon se djali i tij nuk ka pasur ndonjë problem. Në kohën kur ka qëndruar në Belgjikë Kristjani, thotë mjeku, ka punuar si barist dhe se shpeshherë e kishte mbështetur vetë me para. “Më ka ardhur si e papritur. Nuk di që djali të ketë pasur ndonjë problem. Ai nuk rrinte i armatosur. Nuk di të ketë marrëdhënie me ndonjë njeri që ta penalizojë. Në Belgjikë, ai ka punuar si barist, e kam mbështetur unë me lekë, ai erdhi me duar në xhepa nga Belgjika. Ka ardhur si e papritur, djali lëvizte lirshëm, pa asnjë problem në Vlorë, nuk fshihej, nuk ishte i armatosur. Djali im nuk ishte pjesë e grupeve. Në Belgjikë e kam ndihmuar unë me lekë, po të ishte marrë me gjë, do të kishte ardhur me lekë që andej, por erdhi me rrobat që kishte veshur”, thotë më tej Edmond Breshanaj.

NGJARJA

Vrasja e 25-vjeçarit Kristjan Breshanaj është regjistruar rreth orës 01:00 të mëngjesit të së dielës. Ndaj 25-vjeçarit është qëlluar me breshëri kallashnikovi, fillimisht nga një distancë e largët, më pas autori është afruar drejt viktimës dhe e ka qëlluar sërish për t’u siguruar për vdekjen e tij. Sipas informacioneve të Policisë, Breshanaj ishte duke shkuar në banesën e tij, ndërsa autori i ka bërë pritë pak metra para se të futej në portë. Gjithçka, thanë burimet, ka qenë e mirëmenduar.

Autorët e kanë kryer “misionin” e tyre në një moment kur lëvizje në zonë thuajse nuk kishte fare. Pasi kanë qëlluar me breshëri ndaj të riut, personi ende i paidentifikuar është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Për të mos lënë gjurmë më tej, ka djegur makinën e krimit vetëm 1 kilometër nga vendi i ngjarjes, në lagjen “10 Korriku” të qytetit të Vlorës. Policia e ka gjetur automjetin tip “BMW” me targa greke, të paidentifikueshme dhe të paregjistruar, nën flakë.

Brenda tij, Policia ka arritur të gjejë edhe armën me të cilën dyshohet se është qëlluar ndaj 25-vjeçarit, por automjeti dhe arma tip kallashnikov ishin të shkrumbuara thuajse plotësisht si pasojë e flakëve të zjarrit. Në vendin e ngjarjes ka mbërritur menjëherë Policia, e cila ka bërë rrethimin e vendit të ngjarjes, ndërsa ka nisur hetimet për kapjen e autorëve të atentatit ndaj 25-vjeçarit. /PANORAMA