Endrit Ademi, një 24-vjeçar nga Kosova, ka gjetur vdekjen në një aksident në vendin e punës në Milano të Italisë mëngjesin e sotë.
Mediat italiane shkruajnë se ai vdiq në një kantier ndërtimi në rrugën “Edoardo Bassini”. Vdekja e tij erdhi pasi ra nga një lartësi prej dymbëdhjetë metrash. Ai ra nga një skelë e lëvizshme në oborrin e brendshëm të pallatit ku po punonte. Në ndërtesë ishin duke u kryer punime lyerjeje pas një ndërhyrjeje që kishte përfshirë të gjithë objektin.
Endriti po punonte në katin e tretë. Skela ku ai ndodhej kishte një barrierë mbrojtëse më pak se një metër të lartë. Por 24-vjeçari, për arsye ende për të pasqaruara, pak para orës 10, ra prapa dhe barriera nuk e mbajti. Ndoshta e humbi ekuilibrin, shkruajnë mediat në Milano.
Mbërritja në vendngjarje e personelit të Ndihmës së Urgjencës Rajonale (Areu) ishte e kotë, për punëtorin e ndërtimit nuk kishte më asgjë për të bërë. Në vendin e aksidentit ishin të pranishëm edhe agjentët e policisë lokale, karabinierët, ATS (Agjencia për Mbrojtjen e Shëndetit) dhe zjarrfikësit.
Dinamika e aksidentit fatal po hetohet nga policia lokale dhe personeli i ATS-së së Milanos.
Kosovari vdiq, ndërsa shpëtoi pa u lënduar kolegu i tij, të dy punonjës të një firme nga zona e Brescias, të cilët ndodheshin atje për të lyer ndërtesën.
Disa kolegë të pranishëm në kantier në momentin e aksidentit e përshkruan 24-vjeçarin si një “djalë shumë i mirë dhe një punëtor i shkëlqyer”. Banonte në Rovato, provincën e Brescias. Jetonte i vetëm, sepse familja e tij kishte mbetur në vendlindje, raportojnë mediat italiane.
“Nevojitet më shumë përgjegjësi”
Në rruga “Bassini” mbërritën edhe disa sindikalistë. Laura Malguzzi dhe Stefano Ferraio, funksionarë të Fillea Cgil, kërkuan “veprime konkrete dhe më shumë kontrolle, sepse nuk mund të justifikohet gjithçka me elementin e rastësisë”. Të dy, përpara gazetarëve, shpjeguan se nevojitet “më shumë përgjegjësi nga të gjithë akterët, porositës dhe nënkontraktorë të përfshirë në procesin e ndërtimit”.
Hetimet: urdhërohet autopsia
Prokuroria e Milanos në orët në vijim do të hapë një dosje për vrasje nga pakujdesia. Për të hedhur dritë mbi vdekjen e kosovarit 24-vjeçar, prokurorja Maria Cristina Ria do të urdhërojë autopsinë mbi trupin dhe do të kryhen të gjitha verifikimet për të kontrolluar kushtet e sigurisë së kantierit.