Mikel Selimaj, 49-vjeçari shqiptar, i dyshuar për vrasjen e bashkatdhetarit të tij, Altin Arapaj në Rafinë të Greqisë, është arrestuar nga policia në një apartament të marrë me qira ditore.
Ai u gjet pak pas mesnatës së të enjtes (23 Maj) duke fjetur sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Sipas informacioneve, policia është njoftuar nga pronarja e apartamentit pasi mendonte se diçka i kishte ndodhur qiramarrësit pasi ai nuk kishte treguar shenja jete që nga mëngjesi.
Pasi shkuan në vendngjarje, polica greke arrestoi shqiptarin, i cili u dërgua në paraburgim dhe po merret në pyetje.
Viktima, përpara se të vdiste, e kishte telefonuar gruan e tij dhe i kishte treguar emrin burrit që e qëlloi në fytyrë.
Bashkëshortja e tij arriti që nëpërmjet një aplikacioni të posaçëm të gjente vendndodhjen e telefonit celular të 41-vjeçarit dhe njoftoi policinë.
Duhet theksuar se autori dhe viktima kanë qenë duke u hetuar nga autoritetet greke për raste droge.