Kryetari i degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, ka shkruar në Facebook për kandidimin e Arbër Ismajlit për kryetar nga ky subjekt politik.
Arbër Ismajli ka qenë nënkryetar i komunës në kohën kur Haziri e drejtonte atë.
Haziri ka përshkruar me epitete të larta Arbër Ismajlin, duke thënë se është i qetë në vendimmarrje e i guximshëm në veprim.
“Pas një procesi të kujdesshëm të konsultimeve me Kryesinë e Degës së LDK-së në Gjilan, kemi marrë vendimin që, z.Arbër Ismajli, të jetë kandidati ynë për kryetar të Komunës së Gjilanit në zgjedhjet e ardhshme lokale. Ky është një vendim që vjen si rezultat i një besimi të ndërsjellë dhe vlerësimi të thellë për punën, përkushtimin dhe vizionin që Arbëri ka dëshmuar gjatë viteve, veçanërisht si nënkryetar i Komunës, por edhe si një aktivist i palodhur i LDK-së për tri dekada. Ai është pjesë e gjeneratës së dytë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, gjeneratë e artë e familjes sonë politike”.
“E njoh Arbërin prej dekadash, është njeri i përgatitur, i qetë në vendimmarrje dhe i guximshëm në veprim. Është miku im dhe bashkëpunëtori i ditëve të mira e të rënda. Ka treguar se di të dëgjojë qytetarët dhe t’i shërbejë interesit publik me përulësi e profesionalizëm. Nominimi i tij është vendim i përbashkët i imi dhe i Kryesisë së Degës sonë në Gjilan, si shprehje e bindjes sonë se ai do të dijë ta udhëheqë Gjilanin me dinjitet, me përkushtim dhe me dashuri për qytetin. E uroj përzemërsisht Arbërin dhe i dëshiroj sukses në këtë rrugëtim. Gjilani ka nevojë për energjinë, përvojën dhe vizionin që ai e përfaqëson”, ka shkruar Haziri. /Gazeta Express