Atë natë nuk fjeti. Qëndronte i shtrirë duke parë abstraksionin e saj të hedhur në telajo. Kuptoi që dora e tij nuk do të pikturonte më në forma të tjera.
Priti lindjen e diellit me padurim dhe, kur ky i fundit u shfaq nga hiçi, nga krenaja e malit që dukej nga dritarja e tij, u ngrit me vrull dhe u vesh.
Doli përjashta, ashtu, i pakrehur, në kërkim të saj Ishte në dijeni që po bënte diçka të përbindshme.
Nisi të llogariste me mend mundësitë e vendeve ku kishte më shumë gjasa që ta takonte. Shihte rreth e rrotull tij. Me siguri ato që e shihnin do të mendonin se, ose do të ishte ndonjë informator, ose do të ishte një i çmendur.
Dikur kish lexuar një histori arabe. Bëhej fjalë për një poet të quajtur Kajs, i cili ra në dashuri me një vajze të quajtur Lejla. Që në fillim ishte një dashuri e pamundur, sepse prindërit e saj nuk donin që vajza e tyre të martohej me të.
Atëherë ai doli në shkretëtirë duke thurur vargje të tilla të cilat, ata që i dëgjonin i vendosën emrin “Maxhnun”, që do të thotë i pushtuar nga demonët. Çdo njeri që shihte, i dukej sikur shihte dashurinë e tij të pamundur.
Pak nga jeta e autorit
Brajan Sukaj është një ndër autoret e rinj të letërsisë bashkëkohore shqipe, i cili pati një debutim të suksesshëm me romanin “Ciklopi”. Me këtë roman fitoi çmimin e vitit në Panairin e Librit Tirana 2018 dhe çmimin romani me i mirë i vitit për vitin 2018 dhënë nga Bukinist.al. Romani i dyte “Viti i elefantit” shënon një tjetër arritje në zhanrin romanor tek ky autor./Liberale.al